Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Siguria”, i zhvilluar në kuadër të rritjes së parametrave të sigurisë dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytet, shërbimet e policisë organizuan ndërhyrjen dhe bënë të mundur arrestimin në flagrancë të një 32-vjeçari, E. M., banues në fshatin Peshkëpi.
Operacioni u zhvillua në lagjen “Lef Sallata”, ku i dyshuari u ndalua teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, dy krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj tij rëndojnë veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” si dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.





