-Duke lexuar foton e gushtit të vitit 1962…

Pak jetojnë, e kjo më duket se nuk ka rëndësi. Ata të gjithë jetojnë, pasi mbeten të gjallë, duke i dhënë frymë traditës dhe përpjekjeve për të mos u tkurrur, për të mos u tulatur, për të mos u shpërbërë. Dhe kjo duket si një amanet. Dhe amanetin nuk e tret dheu…

Nga BUJAR QESJA

Noti është lavdia dhe krenaria e Durrësit dhe e durrsakëve. Ekziston një binom i fortlakuar: deti dhe noti. Kur thua deti nënkupton Durrësin dhe kur thua Durrësi nënkupton notin. Notarët, ujët dhe Durrësi, trioja e përjetshme e lidhur si gishtat e dorës. Dhe tradita është e hershme. Është historike. Por që të mbetet e freskët ky formatim, kjo histori, duhet gërrmuar në brendësi të saj që t’i ruhet shkëlqimi, që t’i ruhet freskia, që t’i forcohen edhe më shumë rrënjët traditës. Si shkrues i kahershëm i kësaj pune, më takon t’i nxis rrëfimet, të ngas kujtesën, që harresa mos të fitoj terren.

Kam mbi tavolinën time të punës një pamje drithëruese, që i përket verës së vitit 1962. I bie të kenë kaluar mbi 59 vite. E hershme është, ku palca e traditës vjen e ulet butë butë, duke na bërë që sytë të na përloten, zemra të shtoj rrahjet, e malli të na ofrohet fort, fort. Janë 19 notarë, që i konsideroj si yje në gjerdanin e artë të notit durrsak. Janë 19 qytetarë të përmëndur të këtij Durrësi tonin, që ngrinin peshë gëzimin e jashtëzakonshëm të mijra e mijra durrsakëve. Është koha kur stërvitjet dhe garat bëheshin në zadra. Është koha kur Porti Detar i Durrësit, nuk përdorej vetëm për transport mallrash, por edhe për kampionatet kombëtare të notit. Dhe i gjithë qyteti lëvizte si një dallgë gjigande, duke na i laguar dëshirat e kënaqësinë e pafund për të parë ata, të famshmit notarët e “Lokomotivës”.

Dhe çfarë yjesh kemi patur? Yje që edhe tani jo vetëm nuk e kanë tretur shkëlqimin, por të verbojnë me ndriçimin e historisë së tyre, që i kanë dhënë qytetit kryelartësinë dhe krenarinë e përjetshme. Dhe vjen kjo kështu e palëkundur, e patronditur, e pazbehur edhe në këtë vjeshtë të dytë të vitit 1921. Kam foton përpara dhe përqendrimi vjen i fuqishëm, ashtu si vetë pushteti dhe gjithfuqishmëria e tyre në dominimin e notit shqiptar. Dhe kur bëheshin garat, të dukej se detin e Portit Detar kishin kthyer në një cunam djemtë e fortë të Durrësit. Krahasimet që u bëhej atyre si “luan të detit”, “tarzanë të ujit”, etj. ishin të justifikuara.

Vitet 50-të, por veçanërisht 60-të dhe 70-të, janë historia më e ndritur e “Lokomotivës” në not, që garat i kthenin në festa dhe gëzime popullore. Masa e njerëzve qendronte në kalata e mbi gur ku të mundej, duke krijuar një amfiteatër gjigand m’u në ujët e portit. Dhe e dini se çfarë bëhej më pas, kur njoftohej se djemtë e Durrësit janë kampionë të Shqipërisë? Gëzimi dhe tronditja shpirtërore ishin aq të mëdha, sa që shumicë njerëzish me gjithë veshtjet e trupit hidheshin në det. Notarë e popull në një, i bashkonte sërish deti dhe këtu rimerrte jetë binomi i patronditur në Durrës: deti dhe durrsakët.

Foto me lëviz në duart që dridhen, saqë më duket se po notoj së bashku me këta 19 yje, duke lëvizur në fakt kujtesën tonë, memorien tonë drejt mosharresës. Shumë të rinj me trupa si diva dhe kur notonin, të dukej sikur vraponin në ujë. Mbaj mënd një legjendë popullore:

“Më shpejt noton një notar durrsak, se sa vrapon një atlet”.

Në këto kufij të hiperbolizimit, apo të mitizimit ishte vendosur dhe qendronte si themel i çimentuar ecuria, tradita dhe historia e notit të Durrësit. Vështroni trupat e këtyre 19 tarzanëve të ujit. Mjaft të rinj, por shumë të zhvilluar, shumë të pjekur në formim, me një kulturë që na bënin nder.

Të kalojmë tek emrat. Janë shumë të njohur. Kush më shumë e kush më pak, janë skalitur si emblemë e zhvillimit dhe përparimit të notit. Të mos harrojmë jemi 17 vite pas çlirimit të Atdheut, ku gjërat nuk mund ti kishim siç i donim. Autori i këtyre rradhëve në vitin 1962, ishte 11 vjeçar, por kjo nuk i vendos perde memories së tij, që vjen ashtu e freskët dhe e gjallë si 59 vite të shkuara. Dhe kjo memorie nuk mund të zbehet, aq sa mund të zbehen emrat dhe prezantimi i këtyre emrave, që janë historia e vetë notit të Durrësit.

Sul Tufa. Gjigandi që zinte diellin me hijen e trupit. Trajner, notar. Ka dhënë shumë edhe si istrumentist, por edhe si gjahtar i peshkut me pushkë. Agron Ismailati, vaterpolist, notar, por edhe një trajner nga më jetgjatët dhe më mbreslënësit në notin durrsak. Notarë rekordmenë ka nxjerrë ky Ismailat, si Petrit Gumën e famshëm, duke dhënë një ndihmesë në ruajtjen e traditave pas viteve 90-të. Mirban Kadiu, Koço Afezolli krijuesit e Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit, pasi dihet që kampionati i parë i notit është zhvilluar në Durrës që në vitin 1929. Po dyshja Niko Korani – Kastriot Karamuço? Bënin kërdinë mbi rivalët. Kur notonin dukeshin si motoskafë të fuqishëm. Deti shkumbëzonte, duke i mbuluar plotësisht trupat e tyre. Kampionë e rekordmenë. Nuk ndaleshin. Vaterpolistë si Spiro Urumi, Gjon Luli, Pëllumb Zito, Xhevat Kapidani të “fiknin derën”, fluturonin mbi ujë.

Dhe vijnë yje të tjerë si Hilmi Kapllani, Syrja Kapexhiu ( i treti nga të mirnjohurit vëllezërit Kapexhiu – Shaqiri dhe Sabriu), Arben Rrogozhina, Ferid Velja, Shyqyri Gjepali, Galip Çoba, Xhevdet Mitraku, Rifat Murati dhe Luan Korani.

19 notarë në një foto, duke mbetur një ekip gjigand edhe tani pas 59 vitesh. Janë gjigandët tanë të notit, që ndërtuan historinë dhe legjendën e notit të Durrësit, duke lënë peng rininë, në këmbim të nderit dhe namit të mirë që i lanë qytetit. Dhe natyrish meritojnë këtë mirnjohje, këtë njerzillëk të brezit që lanë pas. Dhe jemi ne që nuk harrojmë. Dhe duhet edhe më pas të mos harrojmë.

Pak jetojnë, e kjo më duket se nuk ka rëndësi. Ata të gjithë jetojnë, pasi mbeten të gjallë duke i dhënë frymë traditës dhe përpjekjeve për të mos u tkurrur, për të mos u tulatur, për të mos u shpërbërë. Dhe kjo duket si një amanet. Dhe amanetin nuk e tret dheu.