Teksa u rikonfirmua për të 5 herë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti Armando Duka prej disa kohësh i ka kushtuar vëmendje edhe aktivitetit fizik, siç e dëshmojnë edhe fotot e fundit të bëra publike nga trajneri i tij personal, durrsaku Ani Dedja.

Dedja është një emër i njohur në Durrës, pasi prej vitit 2010 është instruktor i një prej palestrave më të mëdha të qytetit, e cila frekuentohet edhe nga personazhe “VIP”.

Pas përfundimit të studimeve, ai nisi të punojë fillimisht si trajner i moshave në futboll, ku vijon të jetë edhe sot, ndërsa prej 10 vitesh punon instruktor si dhe trajner personal për njerëz të njohur në Durrës.

Një ndër ta është edhe kreu i FSHF-së, për të cilin Ani Dedja ndan me lexuesit e DurrësLajm, programin stërvitor që ka përzgjedhur për Dukën si dhe seriozitetin e këtij të fundit “në luftën” me kilogramët e tepërt.

“Prej vitesh tashmë në profesionin tim kam trajnuar shumë persona, mes tyre personazhe të njohur. Por z.Duka është një person me vullnet të hekurt, i cili përveç angazhimeve të përditëshme gjen mundësinë dhe kohën të ushtrohet për të paktën 1 orë e 30 minuta pesë ditë në javë. Punoj prej rreth 16 muaj me z.Duka dhe çdo ditë e më shumë shikoj që ai jep maksimumin në palestër duke tentuar të punojë më shumë se dita e kaluar.”

Në sajë të vullnetit të fortë të Dukës dhe punës së trajnerit Dedja, kreu i FSHF-së ka arritur të humbasë mbi 16 kg duke minimizuar përmasat e tij trupore.

E nëse mendoni se drejtuesi i institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë, është i kënaqur me punën e deri tanishme, e keni gabim, pasi Dedja tregon se ata punojnë pa ndërpreje për të arritur synimin, atë të perfeksionit.

“Z.Duka punon shumë në palestër. Ai ka palestër personale në shtëpinë e tij dhe deri tani ka arritur objektivin. Përgjatë kësaj kohe, Z.Duka ka rënë mbi 16 kilogram nga pesha e mëparshme dhe trupi i tij tashmë është tonifikuar ndjeshëm. Ai po shkon drejt perfeksionit dhe vazhdon të punojë pa ndërprerje”,- thotë Dedja.

Por çfarë programi stërvitor ndjek Duka?

Dedja shprehet se “Së pari u përqëndrova në njohjen e gjendjes shëndetësore edhe funksionale të z.Duka. Bazuar në peshën e tij, përcaktova rënien e peshës së tij trupore, gradualisht me 4 kg në muaj. Për këtë qëllim, fillimisht caktova sasinë e shpenzimit të 1800kalori/javë dhe pas dy muajve e rritëm shpenzimin energjitik në 2400 kalori/javë.

Në dy muajt e parë fiksova tre stërvitje në javë dhe pas dy muajve e rrita gradualisht stërvitjen në 4-5 herë në javë.”

Sipas trajnerit, “programi stërvitor ditor ka kohëzgjatjen fillimisht 1 orë për të kaluar në 1 orë e 20 apo e 30 minuta, ku përmban këto detyra:

a) Stërvitje aerobie-> Ecje nga 4-5-6-6.8 km gjatë një seance stërvitje ditore. Në këtë detyrë stërvitore kam përcaktuar numrin e rrahjeve të zemrës në një minutë në mënyrë të individualizuar për z.Duka.

b) Ushtrime për zhvillimin e fleksibilitetit të muskujve të trupit dhe të gjymtyrëve

c) Ushtrime në palestër për fuqizimin e muskujve të qafës, shpinës, gjoksit, barkut dhe gjymtyrëve të poshtme.”

G.D.