Për supersticiozët numri 13 sjell ters, po ashtu edhe dita e premte…dhe kur bëhen bashkë këto dyja, si dita e sotme, mundohen të shmangin lëvizjet, të shtyjnë për një ditë tjetër punën dhe planet e tyre. 

13 shtator 2013- Ekzistojnë disa teori mbi origjinën e kombinimit të kësaj date dhe dite. Rrënjët e këtij supersticioni shkojnë deri në shekullin e 19-të. Sipas studiuesve ky kombinim lidhet me vdekjen e Gioachino Rossini, i cili vdiq një të premte më datë 13-të. 
13-ta është numër ters që thyen numrin e plotë 12. 12-ta shihet si numër i plotë, si reflektim i 12 muajve të vitit, 12 numrave të orës, 12 perëndive të Olimpit, 12 fiseve të Izraelit, 12 apostujve të Jezusit, 12 ndjekësve të Muhamedit në besimin islam shiit, 12 shenjave e zodiakut e plot e plot të tjera. 
Sa i përket të premtes, ajo konsiderohet një ditë ters të paktën që prej shekullit të 14-të. Gjithashtu e premte ishte edhe dita e kryeqëzimit të Jezu Krishtit. 
Megjithatë, ka autorë që thonë se të gjitha referencat për “tersin e së premtes” nuk ekzistojnë para vitit 1907. Ata argumentojnë se popullariteti i së premtes 13 mori përmasa pas publikimit të novelës së Thomas W.Lawson “E premte, 13të” të cilën një punonjës i paskrupullt i “Wall Street” e shfrytëzoi për të përhapur panik, po në atë vit. 
Ky kombinim shihet ters në shumë kultura, por ka të tjera që e vlerësojnë krejt ndryshe. Në Itali numri 13-të konsiderohet si fatsjellës, ndërsa kombinimi ters është dita e premte me datën 17-të.