Teuta në basketboll për meshkuj e ka mbyllur me fitoren fazën e grupit në Ligën Ballkanike, duke mundur mbrëmjen e sotme bullgarët e Beroe me rezultatin 87-85. Ky është suksesi i tetë sezonal për durrsakët në këtë turne, ku numërojnë edhe 4 humbje.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Baletic e ka siguruar prej kohësh kualifikimin për në “final four”, ndeshjet e të cilit do të luhen në Tiranë, më datat 6-7 prill.

Takimi i luajtur në “Ramazan Njala” të Durrësit është dominuar gjatë gjithë kohës nga basketbollistët e Teutës, që ngjiten në kuotën e 20 pikëve. Kjo ishte humbja e parë në Ligën Ballkanike për ekipin bullgar, që ashtu si Teuta e ka siguruar kualifikimin për në “final four”. 

Ndaj sfida e sotme ishte si një finale e parakohshme, ku durrsakët dhanë një sinjal të qartë për pretendimet që kanë. Durrsakët vunë diktatin në fushë që në periodën e parë, ku falë një loje të mirë u shkëputën 23-16, diferencë që u thellua gradualisht edhe në periodat e tjera.

Pjesa e parë u mbyll 47-37 për Teutën, që e mbështetur edhe nga fansat e shumtë nuk e ul ritmin, por luan mirë dhe dikton në fushë. Në minutat e fundit, durrsakët administrojnë avantazhin edhe pse në fund rrezikojnë disi, duke fituar 87-85 dhe tashmë përgatiten për “final four”.