GREQI – Deputeti i Demokracisë se Re Jani Mihelaki ka kërkuar interpelancë me ministrin grek të Punës dhe atë të Financave, lidhur me ligjin që parashikon heqjen e pensioneve të rreth 18 000 minoritarëve grekë nga Shqipëria. 

Sipas Gazetës Shqiptare ai e ka quajtur këtë ligj “një padrejtësi të madhe që iu bëhet pensionistëve të Epirit të Veriut”, të cilët deri tani kanë marrë nga enti i sigurimeve OGA, një shumë prej 330 euro në muaj dhe me prerjen e këtij pensioni, sipas tij, “do të marrin një goditje të padurueshme”. 

“Humbja e pensioneve OGA do të jetë një goditje e padurueshme për pensionistët nga Epiri i Veriut në mes të krizës më të rëndë ekonomike që ka parë Greqia. Problemi i grekëve të Epirit të Veriut është se në Shqipëri marrin një pension jo më shumë se 100 euro në muaj, por përveç dimensionit të dukshëm ekonomik të problemit, ata do të privohen edhe nga kujdesi shëndetësor, pasi do t’i shtohen numrit të të pasiguruarve, që është trefishuar në dy vitet e fundit”,- shprehet deputeti Mihelaki. 

Ai tha se kupton qëllimin e ligjit për të lëvizur drejt shmangies së pensioneve të dyfishta dhe trefishta, por kur është fjala për pensionet që arrijnë në nivele shumë më të larta, dhe jo për ardhurat e ulëta, siç është rasti i pensioneve të Vorio-Epirit, që nuk kapin as 400 euro në muaj. 

Mihelaki theksoi se “në një kohë, kur kryeministri shqiptar Sali Berisha këmbëngul në deklaratat provokative rreth "Shqipërisë së Madhe", Greqia duhet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e standardeve të jetesës së minoritetit grek dhe të shmangë në këtë mënyrë rrezikun e çrrënjosjes së tyre nga vendi”. 

Sipas legjislacionit aktual grek, minoritarët grekë që banojnë në Shqipëri ose prej disa vitesh në Greqi, kanë fituar të drejtën e pensionit minimal të OGA në vlerë 330 €.

                                                   Marre nga GAZETA SHQIPTARE