TIRANE – Opozita e ka cilësuar si një tjetër akt korruptiv një projektligj të Ministrisë së Brendshme që dërgon për vlerësim në rezervat e shtetit rreth 4 mijë e 500 automjete dhe 250 mjete lundruese të sekuestruara deri në dhjetorin e 2010-ës.
Deputetët socialistë në komisionin parlamentar të sigurisë mendojnë se të gjitha këto automjete do të dërgohen për skrap para vitit të ri.
“Është bërë modë në vitet e fundit, para vitit të ri, që këto objekte t’u shkojnë kompanive të caktuara klienteliste, sikurse është bërë me uzinën e Poliçanit që u zhvesh e tëra për t’u shitur për skrap”,- deklaroi deputeti i majtë, Gazmir Bizhga.
Deputeti Ilir Gjoni akuzoi se një pjesë e këtyre makinave janë përdorur nga dikasteret shqiptare, si edhe nga vetë ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
“Unë dua të di se ku është bazuar ai që ka përdorur këto objekte, a ka pasur legjislacion për këtë veprim, sepse ai e ka pranuar këtë”,- deklaroi Gjoni.
“Unë personalisht nuk jam në dijeni për këtë që thoni ju, por besoj se ajo duhet të jetë e pavërtetë”,- replikoi zëvendësministri i Brendshëm, Arben Ristani.
Por në vazhdën e mohimeve, zëvendësministri Ristani hodhi poshtë edhe një tjetër shqetësim, atë të vjedhjes së automjeteve brenda komisiariateve ku janë të sekuestruara këto makina.
“Unë nuk kam informacion për këtë dhe nuk ka pasur asnjë ankim nga asnjë qytetar që t’i jetë vjedhur makina kur ka qenë e sekuestruar”,- tha Ristani.
“Ti s’ke informacion, por kam unë. Unë kam burimet e mia dhe kam kontaktuar me qytetarët që kanë denoncuar”,- kundërshtoi deputeti Asllan Dogjani.
Marrë nga TOP CHANNEL