Ligji për menaxhimin e mbetjeve, i cili u miratua me shpejtësi në Parlament, mbetet shumë larg zbatimit. Bashkitë dhe komunat në të gjithë vendin duhet të punonin për ngritjen e infrastrukturës, ku qytetarët duhet të ndajnë mbetjet në burim dhe më pas një pjesë e tyre të riciklohen. 

Ambientalistët theksojnë se jo vetëm bashkitë nuk po ndërmarrin asnjë masë për ngritjen e infratrukturës, por edhe rrjeti i romëve që punonin për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme u shkatërrua në mënyrë të qëllimtë

Xhemal Mato thekson: “Bashkia nuk po i realizon dot detyrat. Edhe mbledhja primitive që bënin romët u pengua dhe kjo solli falimentimin e familjeve rome, ndërmarrjes së re që u hap në Sharrë dhe fabrikave të riciklimit.”
 
Deri në vitin 2015, Bashkimi Europian ka kërkuar që në Shqipëri të riciklohen të paktën 15% e mbetjeve plastike, ndërkohë që aktualisht riciklohet vetëm 1%. Xhemal Mato tregon se procesi i riciklimit u shkatërrua jo vetëm sepse nuk grumbullohen më mbetjet e riciklueshme, por edhe sepse në Sharrë për një kohë të gjatë u grumbulluan mbetje pa bërë ndarje: “Ky projekt do të dështojë sepse nuk ka fare interes nga pushteti lokal, qendror dhe vendimmarrësit.”

Edhe qytetarët shprehen të gatshëm për zbatimin e këtij ligji, i cili do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e mjedisit.

Ligji për menaxhimin e mbetjeve të integruara u kundërshtua fort nga shoqëria civile për pjesën e importit të mbetjeve, çka ka bërë që mbi 70 mijë qytetarë të kërkojnë mbajtjen e referendumit.

Edhe pse ligji për menaxhimin e mbetjeve u miratua në Parlament me shpejtësi, edhe pas kontenstimit të ambientalistëve për importin e mbetjeve, ende nuk po zbatohet.