Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pengmarrje dhe dhunim ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës.
R. L. u ndalua teksa udhëtonte me një automjet në aksin rrugor “Tepelenë-Gjirokastër”. Ai ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë marrë peng dhe kanë dhunuar barbarisht një të ri për t’i zhvatur një shumë të konsiderueshme parash.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 21 maj 2026 në qytetin e Vlorës. Autoritetet dokumentojnë se shtetasi R. L., në bashkëpunim me shtetasit B. H. dhe L. K. (alias L. L.), të cilët janë arrestuar më parë nga policia, kanë futur me forcë në automjet një 20-vjeçar.
“Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve ndërmjet strukturave hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, u ndalua, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës “Shqiponja” të DVP Gjirokastër, shtetasi i shpallur në kërkim për llogari të DVP Vlorë, në kuadër të operacionit të koduar “Strike 2”, R. L., 30 vjeç, banues në fshatin Risili, Vlorë.
30-vjeçari u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Tepelenë-Gjirokastër”.
Ai akuzohet se më datë 21.05.2026, në bashkëpunim me shtetasit B. H. dhe L. K. alias L. L. (të arrestuar më parë), kanë marrë me forcë, në automjet, një 20-vjeçar, të cilin e kanë çuar në një ambient të veçuar, ku e kanë dhunuar, për t’i marrë 6000 euro.
Shtetasi R. L. iu dorëzua shërbimeve të DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme.”- njofton policia.





