Nga Rivelino Çuno*

Më në fund Qeveria shqiptare ka vendosur të kalojë për miratim në Kuvend pr/ligjin për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë vlerëson se ky draft ka qenë një kërkesë e kahershme e saj drejtuar Qeverisë shqiptare.

PEISH sqaron se Kryetari z. Rivelino Çuno prej gati dy vitesh ka kërkuar miratimin e një drafti ligjor, përmes të cilit komunitetet, Egjiptianet dhe Romët, të përfitojnë statusin e pakicës kombëtare, duke garantuar të drejtat e tyre njëlloj si çdo komunitet tjetër që cilësohet pakicë në çdo vend me demokraci të zhvilluar.

Për një kohë të gjatë, PEISH ka insistuar në zbatimin e marrëveshjes me Qeverinë, por prej mazhorancës qeverisëse ka marrë si përgjigje: Heshtjen.

Në mungesën e një vullneti të mirë për të respektuar dhe zbatuar një marrëveshje, e cila kishte të bënte me komunitetet me riskun më të lartë varfërisë, mungesës së kujdesit dhe kushteve minimale të jetesës, PEISH vendosi largimin nga koalicioni qeveritar.

Por, në fundin e mandatit zyrtar të Qeverisë dhe Kuvendit, mazhoranca ndërmorri një akt duke çuar në Parlamentin e Shqipërisë për miratim draftin ligjor, i cili duhej të ishte përgatitur të paktën 2 vite më parë. PEISH garanton komunitetet që do të luftojë me çdo mjet demokratik për të garantuar jo vetëm mbrojtjen, por edhe integrimin e komuniteteve të margjinalizuara, për të cilat fatkeqësisht vëmendje i kushtohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore.

PEISH uron që edhe ky draft ligjor i miratuar nga Qeveria në fundin e mandatit të saj të mos ketë një prapavijë politike, duke qenë se vendi është në prag të një procesi zgjedhor. Sot ka ardhur koha që komunitetet të mos shihen vetëm si hambarë votash apo vëmendja ndaj tyre të jetë vetëm në prag fushatash zgjedhore, por ato të ndjehen të përfaqësuar në çdo nivel të qeverisjes me përfaqësuesit e tyre, duke u trajtuar në përputhje me Konventat Ndërkombëtare dhe duke iu garantuar çdo e drejtë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

* Kryetari i Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë