BEJRUT, 11 shkurt 2013 – Sipas një demografi autoritar, po ndodh një “ndryshim kardinal”, i cili po shkakton rënie të dukshme të lindshmërisë në botën myslimane dhe “arratisje nga martesa” midis grave arabe, shkruan periodiku i njohur libanez “The Daily Star”.

Nicholas Eberstadt, studiues në “American Enterprise Institute”, i ka dokumentuar këto përfundime në dy studime të fundit. Ato tregojnë një histori që kundërshton tablonë e zakonshme të një shpërthimi të popullsisë që vazhdon në vendet myslimane.

Popullsia vërtet po rritet, por nëse do të ruhen tendencat aktuale, kjo rritje nuk do të zgjasë gjatë.

Duke përdorur të dhëna për 49 vende dhe territore me shumicë myslimane, Eberstadt-i zbuloi se koeficienti i lindshmërisë ka rënë me një mesatare prej 41 për qind në periudhat 1975 – 1980 dhe 2005-2010, krahasuar me një rënie 33 për qind për botën në tërësi.

22 vende dhe territore myslimane kanë pasur rënie të lindshmërisë deri në 50 për qind ose më shumë, sidomos në Iran, Oman, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjeri, Bangladesh, Tunizia, Libi, Shqipëri, Katar dhe Kuvajt, që regjistruan rënie deri 60 për qind ose më shumë gjatë këtyre tri dekadave.

(th.m./ Agjensia e Lajmeve Dyrrah)