Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar këtë të martë, më 21 prill, me drejtorin ekzekutiv të kompanisë ajrore të Luksemburgut, Luxair.
“Diplomacia ekonomike është një prioritet i politikës sonë të jashtme. Një slogan? Sigurisht që jo.”, shkruan Hoxha, ndërsa ndan në rrjetet sociale disa foto nga ky takim me Gilles Feith, dhe ekipin e tij.
Ministri shqiptar shprehet se ky takim u zhvillua “për të shqyrtuar mundësitë e vendosjes së lidhjeve ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Luksemburgut.”
Sipas tij, një sektor turizmi në rritje të shpejtë në Shqipëri dhe me infrastrukturën ajrore në zgjerim, potenciali për linja të reja dhe për thellimin e bashkëpunimit tregtar është i madh.
“Rritja e lidhshmërisë ajrore shkon përtej fluturimeve; ajo mbështet tregtinë, tërheq investime, lehtëson lëvizshmërinë dhe afron më shumë njerëzit, duke qenë plotësisht në përputhje me prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë, perspektivat e saj të rritjes dhe rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presim me interes të çojmë përpara këtë dialog dhe të mirëpresim praninë e Luxair në Shqipëri.”, shton më tej ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.





