ZUERICH- Ylli argjentinas, Lionel Messi, mori sot cminin ‘Topi i Artë’, duke u bërë kështu futbollisti i parë që fiton katër herë rresht këtë titull. 25-vjeçari triumfoi përballë konkurrencës me bashkëlojtarin e tij te Barcelona, Andres Iniesta, dhe portugezin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo. 

Çmimi "Topi i Artë" u nda sot nga FIFA në bashkëpunim me revistën franceze "France Football" në një ceremoni gala që u organizua në Zuerich. 

Ylli argjentinas sezonin e kaluar u shpall shënuesi më i mirë në La Liga me shifër rekorde prej 50 golave. Po ashtu mbylli vitin 2012 me plot 91 gola të shënuar, duke e thyer rekordin 40-vjeçar të Gerd Muellerit për më së tepërmi gola të shënuar brenda një viti kalendarik. Theu edhe rekorde tjera të klubit, ndër të tjera u bë shënuesi më i mirë i Barcelonës në gjithë historinë e saj.