DURRES – Klasifikimi i Shqipërisë në Listën e Bardhë të dokumentacioneve të detarëve hap mundësi të shumta punësimi për mijëra të rinj dhe të reja që kanë pasion detin dhe e shohin të ardhmen e tyre në biznesin detar, si atë komercial ashtu dhe atë turistik.

Sipas gazetës “Investigim”, kreu i Administratës Detare, Gazmir Tahiri, thotë se kjo është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë, që krahas punësimit në këtë sektor, përfitojnë paga mujore shumë të mira për nivelin mesatar të rrogave në vendin tonë.  

“Edhe pagat mujore janë të volitshme: për pozicionet më të ulëta si kamarierë apo marinarë të thjeshtë 800-900 dollarë, ato mesatare 1500-1800 dollarë deri në 3000-4000 dollarë për kapitenë",- thotë Tahiri për "Investigim".

Njëkohësisht Tahiri thekson se “predispozita e administratës detare, por edhe i hallkave të tjera për t’i dhënë rrugë detarisë dhe biznesit detar në Shqipëri, dhe pas kontrollit të këtij raporti, që u krye nga ekspertë të disa vendeve anëtare të IMO-s, rezulton që Shqipëria klasifikohet në Listën e Bardhë të dokumentacioneve të detarëve”.

Megjithëse Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare dhe eksperiencë të gjatë në fushën e detarisë, mos klasifikimi i vendit tonë në Listën e Bardhë përsa i përket dokumentacionit të detarëve, bëhej pengesë për këta të fundit për punësimin e tyre në anije të huaja tregtare apo turistike. Përfshirja në këtë listë nënkupton një shtim të ndjeshëm të detarëve shqiptarë të punësuar në anije të huaja fakt që e pranon edhe Tahiri.

“Sot ne numërojmë rreth 1300 detarë me dokumente, ndërkohë që janë potencialet që ky numër të shkojë deri në 8000 në një të ardhme shumë të afërt. Dhënia e certifikatave nëpërmjet kompanisë jopublike TSTS në Durrës, ka dhënë efekte të menjëhershme. Ka ardhur një kërkesë masive për 200 veta, që do të punojnë në anije udhëtarësh (traget) në Itali, dhe që ka flamur të huaj për marinarë të thjeshtë, kamerierë të moshës 20-35 vjeç me paga 800-900 dollarë në muaj. Bie në sy fakti që nga Shqipëria kërkohen dy kapitenë për motor-jaht me flamur të huaj, me gjatësi 27 m, ku paga është e lartë: 3000-4000 dollarë në muaj. Jo pa interes është dhe kërkesa për 4 veta në anije mallrash me flamur të huaj me tonazh 6.000-8.000 GRT me pozicionin oficer kuverte i parë e i dytë, ku paga varion në 1500-1800 dollarë në muaj”.

Klasifikimi në këtë listë ndikon në rritjen e numrit të detarëve, të cilët në kushtet dhe standardet e sotme kanë rroga mjaft të mira krahasuar me standardet e tokës, si dhe u jep mundësi agjencive të rekrutojnë punonjës, të lidhen me firma europiane dhe t’u ofrojnë specialistë në të gjitha specifikat e detit që nga kapitenë, inxhinierë, saldatorë, elektricistë, mekanikë e deri te stjuardesa, kamerierë apo parukierë në anijet e komoditeteve dhe standardeve evropiane.