*Rama e Meta, kandidatë për të kryesuar listat e deputetëve në Durrës

*LSI hap zyrat elektorale

Gati katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, të gjitha partitë politike në Durrës kanë nisur fushatën në bazë me të gjithë qytetarët durrsakë. E para që ka hapur zyrat elektorale është LSI, e cila ka hapur qendrën elektorale e cila do të jetë zyra qendrore në sheshin “Pranvera”. Mandej në lokale të ndryshme, në funksion të fushatës elektorale po hapen në çdo lagje të qytetit të Durrësit.

Burimet brenda LSI-së bënë me dije për “DurrësLajm” se fushata ka nisur, dhe po bëhen kalkulimet nga të gjthë për të thithjen e elektoratit të tyre e kryesisht atyre që deri tani kanë qenë indiferentë.

LSI është forca politike e tretë në Durrës, shumë afër me PS-në dhe PD-në, përsa i përket numrit të votave të marra në zgjedhjet e fundit të 2015-s.

Brenda kësaj partie, zërat flasin për një kandidim të mundshëm të Ilir Metës në Durrës, i cili do të kryesojë listën e kandidatëve të kësaj partie.

Po kështu zërat janë edhe për kandidim të Edi Ramës në Durrës, ku dy krerët e PS-së dhe LSI-së përplasin “brirët”.

Burime të LSI-së, thanë se nëse zoti Meta do të kandidojë këtë radhë në Durrës, favorizimi është për marrjen e tre deputetëve minimalisht, nga një që përfaqësohet aktualisht.

Një gjë është e sigurt, LSI-a ka karikuar fuqishëm motorët dhe ka hapur fushatën elektorale. Ndërsa PD e cila është në opozitë, ende nuk ka filluar, kjo pas dyzimit se nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje si formacion politik.

Lefter Koka dhe Flamur Gjuzi janë aktualisht dy kandidatët potencialë në krye të listës së LSI-së në Durrës për momentin.

Nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhje, një gjë është e sigurt, elektorati i saj shpërbëhet dhe shkon midis partive të tjera.

Ndërkaq në PS, takimet për zgjedhje kanë nisur që 6 muaj para me takime e riorganizim strukturash në bazë. Pothuajse të gjithë strukturat e PS-së janë rinovuar, dhe brenda javës së parë të prillit pritet hapja e zyrave elektorale të tyre në Durrës, në ato vende edhe ku kanë qenë më parë.

Një gjë është e sigurt, që partitë politike do përplasen fuqishëm për të marrë vëmendjen dhe votën e elektoratit të Durrësit, i cili këtë vit nxjerr 14 deputetë, nga 13 që nxori në 2013-n.