*Një vështrim kritik për luftën midis Çezarit e Pompeut të zhvilluar në tokën tonë

Në sistemin edukativo-stërvitor për përgatitjen ushtarake dhe në procesin mësimor-shkencor të kuadrove, që kryhet sipas shkencës ushtarake dhe Artit Ushtarak, një vend të caktuar zë edhe njohja e historisë së artit ushtarak në përgjithësi, e historisë së artit ushtarak të popullit shqiptar në veçanti, në këtë kuadër, edhe historia e artit ushtarak të luftërave të zhvilluara midis ushtrive të vendeve të huaja në tokën shqiptare. Si kudo edhe në fushën e studimit të teorisë e të praktikës të historisë së artit ushtarak ne nisemi nga parimi se duke mësuar luftën moderne s’na bëjnë keq të njohim edhe të vjetrat dhe të bëjmë disa herë nga ndonjë analogji që mund të na vlejë.

Nisur nga ky mësim, në këtë shkrim do të ndalemi në një nga luftërat e zhvilluara ndërmjet ushtrive të huaja në tokën tonë, siç ishte ajo midis Cezarit e Pompeut në vitet 49-48 para erës sonë.

Aty nga vitet 231 para erës sonë në Iliri sundonte mbretëresha Teuta, një grua që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Ilirisë, pasi u përpoq shumë për bashkimin dhe zhvillimin e mbretërisë ilire. Por përpjekjet e saj nuk pëlqeheshin përtej Adriatikut. Romakët, duke qenë në kulmin e fuqisë së tyre dhe të nisur nga parimi grabitës “përça e sundo”, nuk mund ta shikonin me sy të mirë një veprim të tillë. Prandaj kërkuan një shkak për të ndërhyrë e mandej të shtriheshin në Lindje. Kështu, kur ilirët rrethuan ishullin Isa (Dalmaci) romakët i shpallën asaj luftë. Teuta, si grua e zgjuar, manovroi në rrugë të ndryshme dhe, për një farë periudhe, fitoi diçka të përkohshme, por më në fund romakët e pushtuan tërë bregdetin ilir. Luftimet që u zhvilluan ndërmjet Romës së Vjetër dhe ilirëve, sidomos gjatë bregdetit e shndërruan Ilirinë në provincë romake. Por sundimi shumëshekullor romak nuk mundi të shuajë traditën luftarake, karakteristikat etnike dhe morale të ilirëve (sidomos të asaj pjese që banonin në zonat malore), për të jetuar si popull i pavarur. Por kjo gjendje nuk i pengonte romakët që ta përdorin tokën e Ilirisë si kryeurë për luftëra të tjera pushtuese siç ishin p.sh., gjatë viteve 214-197 kundër Maqedonisë etj. E kësaj natyre ishte edhe lufta midis Cezarit e Pompeut, (dy gjeneralëve të famshëm të Romës së Vjetër).

Më përpara le të njihemi shkurtimisht me situatën politiko-ushtarake para ndeshjes së dy ushtrive të prira nga Cezari e Pompeu.

Mbas fitores në Gali popullariteti i Cezarit, si udhëheqës ushtarak, u rrit së tepërmi. Prandaj në kushtet kur në Romë kishte shpërthyer kriza dhe zhvillohej lufta për sundimin politik midis dy partive (grupeve) kryesore dhe që rrezikonin Republikën Romake, Senati, për të mënjanuar rrezikun vendosi të mos ia zgjasë më Gai Jul Cezarit afatin e pushtimit mbi Gali. Ai mori vendim të shpërndaheshin legjionet e tij dhe, duke i dhënë Gnei Pompeut pushtet të gjithanshëm për të rivendosur rregullin gjatë kësaj krize politike, e kundërvuri me Cezarin. Në atë kohë Cezari sundonte Galinë dhe Ilirinë, ndërsa Pompeu kishte pjesën më të madhe të Italisë dhe Spanjën. Kështu filloi në Romë, rreth viteve 50-49, dhe vazhdoi në vende të huaja deri në vitin 15 para erës sonë, ajo luftë e gjatë që mban emrin, Lufta civile e Romës, për të cilën F. Engelsi do të shkruante: “Lufta zhvillohej midis dy grupeve skllavopronarësh. Në krye të njërit prej tyre ishte Pompeu, – në krye të tjetrit Cezari. Që të dy synonin të vendosnin pushtetin e tyre absolut”.

Cezari ambicioz, në kundërshtim me vendimin e senatit nuk e shpërndau ushtrinë, por nga Galia kapërceu lumin Rubikon, hyri në Itali dhe u vu në ndjekje të Pompeut, i cili nuk pranoi ndeshje, por u tërhoq dhe, si ngarkoi legjionet e veta në flotën detare, kaloi në Iliri. Cezari e ndoqi kundërshtarin deri në Brindisi. Këtu ndaloi për një kohë deri sa të ndërtonte flotën detare për të kapërcyer Adriatikun. Prej këtej, Cezari u drejtua në Spanjë për të likuiduar ushtrinë pa komandant të Pompeut.

Fitoret kundër legjioneve të Pompeut në Spanjë i siguruan Cezarit kushtet politiko-ushtarake për t’u kthyer tani nga perëndimi në Lindje, përtej Adriatikut, që të ndëshkonte Pompeun e larguar në Iliri. Pompeu, në Iliri, grumbulloi një ushtri e një flotë të fortë dhe mbasi fitoi (i ndihmuar edhe nga tradhtia) në disa ndeshje kundër dy ndihmësve të Cezarit, që ishin në Iliri, mbeti zot i saj duke i kushtuar vëmendje përgatitjeve për luftërat e ardhshme. Kësisoj pjesa perëndimore e Gadishullit të Ballkanit, Iliria, do të ishte teatri kryesor i veprimeve luftarake ku do të përlesheshin dy forcat kundërshtare politiko-ushtarake romake, ndërsa Durrësi do të ishte arena e luftës historike midis Cezarit e Pompeut.

Kalimi i Adriatikut nga legjionet e Cezarit dhe përpjekja për iniciativën në shkallë strategjike përbëjnë periudhën e dytë të luftës midis Cezarit e Pompeut.

Përpara fillimit të luftës midis Cezarit e Pompeut në tokën ilire përbërja dhe aftësitë luftarake të dy palëve, mbështetur në të dhëna të historianëve, paraqitej afërsisht: Pompeu arriti të grumbullonte 9 legjione (me nga 5000-6000 vetë secili), dispononte 7000 kalorës dhe rreth 3000-4000 shtizarë e hushtetarë. Shumë nga këto legjione të Pompeut ishin kompletuar me rekrutë të pastërvitur dhe pa përvojë luftarake. Po rëndësi pati fakti se ai ndërtoi një flotë të fuqishme prej 500-600 anije lufte, me të cilën sundonte pjesën lindore të Mesdheut dhe, mbasi e përhapi gjatë bregdetit lindor të Adriatikut nga Epiri në Iliri, e përqendroi sidomos në Greqi, ku kishte porte të fortifikuara, rezerva ushqimore dhe garnizone të fuqishme. Me këto masa ai u bë zot i detit. Forca e Pompeut arrinte rreth 60.000 veta, nga të cilët 45.000 ishin këmbësorë. Udhëheqësi i kësaj ushtrie, Pompeu, ishte një gjeneral i dëgjuar, por karakterizohej nga plogështia, hezitimi; megjithëse gjithmonë ka pasur ushtri dhe flotë më të madhe se të Cezarit.

Cezari, si siguroi sundimin në pjesën perëndimore të pellgut të Mesdheut, urdhëroi që forcat e tij prej 28 legjione të bashkoheshin në Brindizi. Këtu, në muajt e fundit të vitit 49 p.e.r, gjeti të grumbulluara vetëm 12 legjione dhe 10.000 kalorës. Por duke marrë parasysh pakësimin e numrit të trupave nga luftërat e shumta dhe udhëtimet e gjata, dhe meqenëse nuk gjeti numër të mjaftueshëm anijesh (siç kishte urdhëruar), la në Brindizi një pjesë të forcave, gjithçka që e pengonte dhe, si u foli trupave me atë gjuhën e tij bindëse (Cezari kishte aftësi t’u fitonte zemrat ushtarëve) se ky udhëtim e kjo luftë do të ishte e fundit për të dalë përfundimisht ngadhnjimtarë, mundi të hipë në 100 anije transporti dhe në 12 anije luftarake rreth 26.000 këmbësorë dhe 700 kalorës. Cezari kishte fituar popullaritet si prijës ushtarak, efektivi i tij ishte më i kalitur, më i stërvitur në luftë dhe në marshime të gjata, por furnizimi i tij në Iliri e Greqi ishte i vështirë, sepse rrugët detare i zotëronte flota e Pompeut.

Duke i gjykuar me rezervë këto të dhëna të tjera historike del se nga pikpamja sasiore, siç e ka pohuar edhe vetë Cezari, Pompeu kishte epërsi, ndërsa nga pikpamja cilësore epërsia e Cezarit ishte e padiskutueshme. Kështu, p.sh, në sasinë e përgjithshme të forcave raporti paraqitej 2,3:1, në këmbësori 1,7:1 dhe në kalorësi 10:1 gjithmonë në favor të Pompeut. Në mjete lundruese epërsia e Pompeut ishte gati absolute. Me një plus kaq të madh sa ishte gjendja  e forcave në tokë e det, mund të plotësohej, deri diku, minusi cilësor dhe, për rrjedhim, Pompeu si strateg ushtarak, mund të ndërmerrte ndonjë veprim luftarak e të mos rrinte në pritje, d.m.th. duhej t’i binte (ta sulmonte) Cezarit pa i dhënë kohë e rast që ky të rriste numrin e forcave. Në rast se Pompeu e mësynte me këtë raport fillestar forcash, Cezarit mund t’i hiqej mundësia e krijimit të kryeurave (vatrave) të veçuara të zbarkimit, të cilat nuk mund të bashkoheshin më vonë. Kjo pritshmëri e panevojshme dhe pasive në historinë e artit ushtarak gjithmonë është kritikuar dhe është quajtur si një akt paaftësie dhe plogështie. Pikërisht sepse nuk u sulmua as në det dhe as sapo zbarkoi Cezari, raportin e mësipërm sasior të forcave e zbuti më vonë kur i erdhën përforcimet (skalioni i dytë) që la në Brindizi. Në shqyrtimin e situatës dhe të raportit të forcave, duhen mbajtur parasysh edhe aftësitë e Cezarit e të Pompeut si udhëheqës ushtarakë, vlerësimet, vendimet dhe drejtimet e të cilëve do të ndikonin, në disa raste, në mënyrë vendimtare në rrjedhën e ngjarjeve, për fitore ose për humbje. Kështu, p.sh., Marksi ka shfaqur mendimin se “Cezari bënte gabime shumë të mëdha ushtarake, qëllimisht absurde për ta ngatërruar filistinin (Pompeun-N.Z.) që kishte përballë. Cilido prijës ushtarak i rëndomtë romak, për shembull Krasi, do ta kishte shpartalluar nja gjashtë herë Cezarin gjatë luftës së Epirit. Por me Pompeun gjithçka ishte e mundshme”.

Në këto kushte politike dhe në këto situata të dyanshme ushtarake, do të fillonte periudha e dytë, etapa vendimtare e Luftës Civile në Romën e Vjetër. Duke krahasuar mendimet e historianëve dhe studiuesve ushtarakë, për ta kuptuar më mirë nga pikëpamja e historisë së artit ushtarak, këtë luftë do ta trajtojmë sipas fazave.

1. Veprimet për kalimin e detit Adriatik

Cezari për kalimin e detit dhe për zbarkimin në bregun lindor të Adriatikut, duhet të ketë pasur parasysh dy momente kryesore: së pari, drejtimin e lëvizjes dhe vendin e zbarkimit; së dyti, kohën dhe kushtet meteorologjike të lundrimit për zbarkim. Për vijë dhe vend zbarkimi ai zgjodhi drejtimin Brindizi-Palastë (Palasa), rrëzë masivit shkëmbor të maleve Keraune (Himarë), si drejtim më i shkurtër për të dalë në Greqi, ndonëse jo fort i sigurt nga goditjet e flotës së Pompeut të ankoruar në Korfuz dhe Orikum (Vlorë) në rast se zbulohej, megjithëse kundërshtari e përjashtonte atë vend për zbarkim.

Në zgjedhjen e papritur të këtij drejtimi e të këtij vendi, mund të gjykohet edhe nga pohimi i vetë autorit të këtij plani, Jul Cezarit, në komentarin (ditarin) e tij “De bello civile”, (Mbi luftën civile) nga ku rezulton: “Ndërmjet shkëmbinjve të maleve Keraune (Himarë-N.Z.) dhe të vendeve të tjera të rrezikshme (Cezari-N.Z.) gjeti një gji të qetë dhe duke pasur frikë nga tërë limanet, që ai kujtonte se i kishin në dorë armiqtë, pa humbur asnjë anije, zbarkoi prej tyre ushtarët në atë vend që quhet Palastë”. Drejtimi i dytë Brindizi-Iliri ishte më i favorshëm dhe më i sigurt prej goditjeve të flotës së Pompeut, por ishte më i gjatë për të shkuar në Greqi dhe mund të humbiste në kohë e në befasi.

Përcaktimi i drejtimeve dhe vendeve të zbarkimit duhet të jetë bërë në lidhje të ngushtë me stinën dhe kushtet meteorologjike kur do të realizohej zbarkimi. Fakti, siç konstatojnë historianët, se në Detin Adriatik para erës së jugut, që shkakton stuhi detare (në afate të shkurtra), fryn era e veriut dhe deti bëhet relativisht më i qetë, nëpër të cilin në ato shekuj nga Italia në Greqi mund të kalohej për 12-15 orë – e bindën Cezarin që të vendosë e t’i shfrytëzojë këto kushte. Zgjedhja e ditëve me mot të keq të stinës dimërore (mendohet në fillim të vitit 48 p.e.r.) do të ishte një akt i papritur, i befasishëm për forcat dhe flotën e Pompeut. Këtë vlerësim të situatës dhe këtë plan ndërtoi Cezari, sepse çdo shtytje e zbarkimit do t’i jepte kohë për përgatitje Pompeut dhe nuk mund t’i siguronte befasinë. Një gjykim dhe një veprim i tillë në historinë e artit ushtarak mund të merret dhe si një fakt që befasia plotëson numrin më të pakët sasior të forcave, siç ishte rasti i Cezarit me Pompeun.

Pompeu, nga ana tjetër, duhet të ketë menduar se, në kushtet e dimrit dhe kur Cezari nuk kishte mjete të mjaftueshme detare për transportimin e tërë legjioneve, zbarkimi dhe veprimet aktive mund të priteshin nga pranvera e vitit të ardhshëm (48 p.e.r). Këtë pauzë dimërore Pompeu do ta shfrytëzonte për të forcuar e stërvitur ushtrinë e tij të re, që t‘i kundërvihej i përgatitur Cezarit. Nga ky vlerësim i njëanshëm duhet të kenë rrjedhur edhe pasojat e tjera në radhët e forcave të tij. Kështu flota u mblodh në portet e Korfuzit e të Orikumit (Vlorë) dhe ra në një qetësi të pafalshme. Në këtë mënyrë ky bregdet (i Himarës) nuk ruhej me aq kujdes nga detarët e Pompeut, sepse edhe nuk guxonin të rrinin për një kohë të gjatë larg limaneve të përhershme. Kjo shkujdesje do të pasohej edhe në tokë. Ushtria nuk u mbajt siç qe rregulli, e përqendruar në fushim, por u shpërnda në kazerma dimërore, në rehati. Vlerësimet e gabuara të Pompeut dhe veprimet që u kryen, ulën vigjilencën dhe dobësuan gatishmërinë. Pikërisht këto mungesa të kundërshtarit i shfrytëzoi për bukuri Cezari duke realizuar zbarkimin kur Pompeu nuk e priste.

Flota e Cezarit gjatë lundrimit, për arsye të kushteve të këqija të motit, pati një farë copëtimi, por edhe kjo rrethanë, ndonëse u zbulua, nuk u shfrytëzua nga flota e Pompeut për ta goditur atë pjesë-pjesë. Komandanti i flotës së Orikumit hezitoi të godasë, nuk guxoi të rrezikohej në këtë luftim natën (kalimi i Adriatikut u bë natën dhe në mesditën e së nesërmes u bë zbarkimi në Palasa-Himarë), kurse komandanti i flotës në Korfuz nuk pati kohë të bashkonte fuqitë e veta që ishin në shthurje. Pra kur Pompeu nuk arriti ta shfrytëzojë këtë shans që iu dha në det në një situatë kur me 500-600 anije, si zot i detit, dhe kur në dy portet e mësipërme kishte, përkatësisht, nga rreth 20 dhe 110 anije, ai mund t’i shkaktonte Cezarit një disfatë qysh në det.

Cezari sapo zbarkoi rreth gjysmën e trupave (skalionin e parë) i ktheu anijet në Brindizi për të mbartur trupat e tjera që kishin mbetur atje (skalionin e dytë). Ky mendim e veprim i Cezarit ishte një zgjidhje e mundshme, pavarësisht se anijet e tij, gjatë kthimit, u goditën nga flota e Korfuzit, komandanti i të cilit, duke qenë i gënjyer dhe i zemëruar nga radha e parë, kishte dyfishuar rojet në det. Goditja e anijeve të Cezarit gjatë kthimit nga anijet e Pompeut, duhet quajtur i drejtë sepse ky veprim, ndonëse me vonesë, përsëri i shkaktoi Cezarit dëme të rënda, siç ishin humbja e një mase të madhe anijesh, që ia preu Cezarit ndihmën e shpejtë dhe e la pa ushqime, për një farë kohe, e që i priste me padurim nga Italia. Kjo i krijoi një farë shkëputjeje të dy pjesëve të ushtrisë dhe me një prapavijë shumë larg teatrit të luftës. Me ushqimet që gjeti në vend, ushtria e Cezarit vetëm mund të jetonte, por jo të luftonte.

Këto rrethana, që zgjatën disa muaj, Pompeu përsëri nuk i vlerësoi dhe të ndryshonte vendimin e mëparshëm për të nisur luftën kundër trupave të Cezarit të sapozbarkuar e që kishin pushtuar Orikumin, Gradishtin (mbi Vjosë) dhe Apolloninë (Pojanin) për t’i likuiduar pjesë-pjesë dhe për të mos i lejuar të bashkoheshin në një kryeurë të vetme të madhe, siç ndodhi më vonë. Ai ra në gabime të tjera të rënda, kur u kufizua me vendosjen fortësisht në Durrës dhe me ndonjë pengim të pjesshëm e të parëndësishëm që i bëri Cezarit.

Nga analiza e kësaj faze del se në sferën e artit ushtarak Pompeu u dha veprimeve luftarake kryesisht karakter mbrojtës e pasiv dhe nuk ndërmori asnjë masë vendimtare me karakter mësymës. Pikërisht ky gabim, nënvleftësimi i mësymjes dhe mbivlerësimi i mbrojtjes, i dha mundësi Cezarit të zgjerojë kryeurën fillestare duke u shtrirë tashmë në një brez bregdetar prej Himare gati deri në Durrës. Kjo rritje e kryeurës e bëri Cezarin më pak të prekshëm dhe i dha mundësi të zbarkonte trupat e tij në disa pika.

2. Veprimet para ndeshjes në Durrës, skema nr. 1

Pompeu refuzoi bisedimet për paqe (armëpushim) dhe me shpejtësi përqendroi trupat e u mbyll në Durrës, ku mbriti edhe vetë me shpejtësi nga Thesalia e Greqisë. Pozita strategjike që zinte Dyrachiumi (Durrësi) në Adriatik dhe në bregdetin ilir shërbente për të dy palët si një bazë nevralgjike. Kundërshtarët synonin Durrësin sepse ky ishte qyteti dhe porti më i afërt për romakët për të shtrirë pushtimet në drejtim të Lindjes, por edhe në drejtim të perëndimit. Pra Durrësi për Romën e Vjetër përfaqësonte një nyje lidhëse strategjike. Nëse për Pompeun Durrësi shërbente për të ndaluar hovin e Cezarit, për Cezarin Durrësi ishte kryeura kryesore për të hyrë në thellësi të tokës ilire, në Maqedoni, në Epir e më tutje. Durrësi, në ato vite, ishte i fortë dhe i siguruar me gjithçka për luftë, si ushqime, municione, armë dhe flori. Durrësi, siç thotë Lukiani (historiani romak – N.Z), është jo një vepër dore, por një fortesë natyre, e vendosur mbi shkrepa aq shumë të lartë sa që lundronjësit kur e shikojnë së poshtmi lartësinë e mureve, mbeten gojëhapur jo vetëm nga një farë admirimi, por edhe nga frika e rrezikut. I rrethuar nga deti ai bashkohet me tokën kontinentale nga njera anë, ku është kodrina me shkrepa të thepisura. Këndej ka një liman fort të sigurt dhe të përshtatur, andej fusha shumë të gjëra dhe të bukura, tokë pjellore dhe të pasura me çdo gjë… Ky është ai qyteti i Durrësit… jo më pak i shënuar se sa i pafat për gjakderdhjen civile dhe luftërat e brendshme.

Ishin këto rrethana politiko-ushtarake dhe strategjike që i vunë në garë dy udhëheqësit ushtarakë, se kush do ta zaptonte Durrësin. Cezari kërkonte ta pushtonte sa më parë Durrësin, jo aq që të gjente sendet e nevojshme që i mungonin, (që nuk i kishin ardhur ende nga Italia) siç mendojnë disa historianë sesa për një qëllim strategjik më të thellë. Strategjia e Cezarit duke pasur karakter vendimtar synonte asgjësimin e forcës së gjallë të kundërshtarit, ruajtjen e forcave të tij dhe jo vetëm pushtimin e territoreve. Duke shtënë në dorë Durrësin ai mund të siguronte krahun dhe shpinën e legjioneve që do të lëviznin në thellësi të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit. Nisur nga kjo ai lëvizi gjatë bregdetit, duke ndjekur itinerarin: Palasë-Orikum-Nartë-Apolloni (Pojan) ku do të priste Mark Antonin me gjysmën tjetër të ushtrisë dhe, pastaj, të vazhdonte marshimin për të sulmuar e pushtuar Durrësin, bazën kryesore strategjike të Pompeut në detin Adriatik dhe në gjithë Ilirinë. Një veprim i tillë duhet quajtur me vend. Edhe Pompeu, nga ana tjetër, e konsideronte Durrësin si port e si qytet shumë të nevojshëm për ta mbrojtur, për të mos ia lënë Cezarit dhe për këtë vendosi (me sa duket me të drejtë për këtë rast) të mos mjaftohej në mbrojtjen e Durrësit vetëm me forcat që ndodheshin gjithmonë atje, por t’i përforcojë ato e t’i dalë përpara kundërshtarit duke sjellë forca kryesore nga Thesalia nëpërmjet luginës së Genusit antik (Shkumbinit). Në këtë mënyre dy ushtritë, duke lëvizur në drejtim të njëra-tjetrës, përgjatë bregdetit Adriatik, arritën gati në një kohë në lumin Apsus (Semani i sotëm) dhe aty ndaluan përballë njëra-tjetrës. Burimet historike antike mbi këtë manovër e garë të dyanshme nënvizojnë: “Pompeu si mori vesh ngjarjet që kishin ndodhur në Orik dhe në Apolloni, u tremb për Durrahun dhe prandaj vrapoi… duke udhëtuar ditë e natë… Meqënëse Pompeu e kishte zënë rrugën për në Dyrrah, Cezari e ndaloi marshimin dhe ngriti lëmin (fushimin – V.K.) afër lumit Apsus, në kufi të Apollonisë… dhe vendosi të presë këtu legjionet e tjera nga Italia… Po këtë bëri edhe Pompeu; si ngriti lëmin në anën tjetër të lumit Apsus, grumbulloi atje gjithë ushtrinë e tij.

Me aq forca sa kishte, Cezari zgjodhi me të drejtë, rrugën e pritjes derisa t’i vinte ndihma e trupave që kishte lënë në Itali (Brindizi), ndërsa forcat e Pompeut nuk deshën të rrezikoheshin nga një betejë e tillë, gjë që përbën një rast tjetër pasiviteti e plogështie për një ushtri, për një komandant. Kështu dy ushtritë qëndruan përballë njëra-tjetrës duke mos kryer asnjë luftim. Gjatë kësaj pauze, siç del nga historianët, vëmendja e strategëve, e dy ushtrive, ishte drejtuar nga deti. Cezari me lajmëtarët e tij, kishte njoftuar trupat e mbetura në Itali se, në atë situatë, deti nuk mund të kalohej sepse anijet e Pompeut e ruanin mirë atë. Edhe pompeasit ia kishin frikën anijeve të Cezarit që e ruanin bregun e detit, përveç që e kishin keq edhe për furnizim, të cilët duhet t’i merrnin në Korfuz, bazë detare e largët. Pra edhe në det zhvillohej një garë kush do t’ia hidhte njeri-tjetrit: Cezari për të kaluar trupat nën mbulimin e disa anije luftarake; flota e Pompeut për të mos lejuar lëvizjen e anijeve të transportit të kundërshtarit që do të sillnin trupat.

Ndihmësit e Cezarit nuk guxonin të lëviznin në Adriatik nga frika e goditjeve të flotës së Pompeut. Ky hezitim e alarmoi Cezarin. Si prijës ushtarak ai nuk ishte mësuar të rrinte në pritje. Historia e luftërave të tij karakterizohej nga lëvizjet dhe sulmet, prandaj edhe u detyrua të lajmërojë disa herë ndihmësit e tij për t’u nisur. Vetëm kur moti dhe era u bënë të favorshme, filloi nisja nga Brindizi për të zbarkuar në Apolloni 4 legjione (3 legjione veteranësh, 1 me ushtarë të rinj dhe rreth 800 kuaj). Gjatë lundrimit legjionet e Cezarit mbaheshin në vrojtim dhe do të thyheshin me lehtësi por, rastësisht e në mënyrë të papritur, u krijua një stuhi, duke ndryshuar kursin e lëvizjes nga lindja në veri dhe i çoi anijet për të zbarkuar në skelën e Shëngjinit. Kjo rastësi në ndryshimin e motit dhe ngritja me vonesë në alarm e flotës së Pompeut që ndodhej në Durrës, ishin shpëtimi i sigurt i ekspeditës së Mark Antonit prej asgjësimit të plotë. Goditja që ndërmori një pjesë e flotës së Pompeut nga Lezha për të mos lejuar që të dilnin në shpinë forcat e Cezarit jo vetëm nuk dha ndonjë rezultat (sepse legjionet e Cezarit kishin zbarkuar përveç dy anijeve që ndodheshin në bisht të konvoit), por përkundrazi nga një vonesë e tillë pësuan vetë dëme nga kjo ndeshje.

Duke analizuar këto veprime detare, rezulton se do të ishte më e arsyeshme që goditja ndaj konvoit të Cezarit të bëhej qysh në portin e Brindizit. Pompeu edhe këtu ja la iniciativën kundërshtarit. Si zot i detit Adriatik Pompeu, po të guxonte, mund t’i jepte një mësim të mirë Cezarit në bazën (portin) e nisjes, ose të paktën në det dhe kjo mund t’i siguronte iniciativën në shkallë strategjike.

Mark Antoni pasi i zbriti trupat ktheu përsëri në Itali pjesën më të madhe të anijeve për të sjellë ushtarë dhe kalorës të tjerë. Kur Cezari e pa flotën e tij që mori drejtimin e veriut, u nis me të shpejtë me legjionet për të marrë kontakt me forcat e Mark Antonit. Për këtë ai vendosi që bashkimi i forcave të bëhej në Tiranë (diku rreth kodrave të Prezës), në një distancë afërsisht të barabartë për të dy skalionet (pjesët) e ushtrisë së tij dhe në një vend nga ku mund të ndërmerrte veprime ushtarake mbi Durrësin. Ndarja në dy pjesë, të shkëputura e larg njëra-tjetrës e ushtrisë së Cezarit, ishte një minus i madh dhe një rast (situatë) i përshtatshëm për forcat e Pompeut të cilat, po të mos ishin të plogta, mund t’i goditnin tashti e jo më vonë, siç po përpiqeshin, por pa rezultat, sepse më në fund ato dy pjesë u bashkuan. Ndërkohë, një ndarje rastësisht në dy pjesë kishte dhe të mirën e saj, sepse e vuri ushtrinë e Pompeut midis dy zjarreve. Pompeu e vlerësoi këtë situatë dhe mori vendim, por me vonesë, për të mos lejuar bashkimin e tyre duke përdorur, për realizimin e kësaj ideje, taktikën e goditjes së secilës pjesë veçmas, në atë kohë e në atë vend ku nuk mund ta prisnin. Këto vlerësime dhe mendime të të dy prijësve kundërshtarë i çuan ata në braktisjen e shesheve të vet të luftimit që kishin ngritur më parë në brigjet e lumit Apsus (Semanit).

Pompeu u shpërngul natën, sepse e ndihmoi pozicioni i terrenit. Dukë qënë në anën veriore të lumit, ai nuk do të kish pengesë ujore përpara dhe udhën do ta kishte të shkurtër e të lirë, mbasi trupat e M. Antonit, që vinin nga veriu, ishin larg. Këto pluse i dhanë dorë Pompeut për të marshuar në drejtim të Peqinit, ku do të zinte pozicione të përshtatshme ndërmjet dy pjesëve të ushtrisë së Cezarit, që ato të mos mundnin të bashkoheshin, por edhe t’i godiste në befasi legjionet e Mark Antonit që vinin nga Durrësi. Cezari zgjodhi ditën për lëvizje, sepse i duhej të kalonte lumin (në atë kohë lumi nuk kapërcehej natën) dhe rrugën me që e kishte të gjatë, i duhej të përshkonte me sa më shumë ditë duke ndjekur itinerarin Pojan-Fier-Roskovec-Kuç i Beratit – Gostimë e Elbasanit, për t’u bashkuar me pjesën tjetër të ushtrisë. Ai do të përpiqej t’i shmangej ndeshjes me forcat e Pompeut, derisa të bënte bashkimin, të përmirësonte raportin e forcave dhe të vendoste kompaktësinë e gjithë ushtrisë. Ndihmësi i Cezarit, M. Antoni, i informuar për manovrën e Pompeut, për t’i prerë rrugën, mori vendim të ri, i dredhoi armikut e, duke iu shmangur drejtimit të Durrësit e la këtë nga e djathta, duke zgjedhur për itinerar Shëngjin-Lezhë-Tiranë-përpjetë grykës (Qafës) së Kërrabës dhe arriti të bashkohet me Cezarin që vinte nga jugu në afërsi të Elbasanit. Pra bashkimi u realizua në Elbasan, e jo në Tiranë siç parashikonte Cezari.

3. Veprimet luftarake për pushtimin e Durrësit

Bashkimi i forcave të Cezarit prej afro 40.000 veta, duke ndikuar në ndryshimin e raportit sasior të forcave, krijoi një kërcënim të rrezikshëm për vetë Pompeun, ndonëse në këtë sasi forcash raporti i forcave mbeti përsëri në favor të Pompeut, por kjo u zbut duke zbritur për forcat e përgjithshme nga 2,3:1 në 1,5:1 dhe në kalorësi nga 10:1 në 6,6:1.

Ndonëse Pompeu lëvizte në drejtim të Durrësit, Cezari iu vu pas me gjithë ushtrinë për të marrë kontakt dhe për ta detyruar që të pranonte ndeshjen. Thuhet se kontakti midis dy ushtrive është arritur në rajonin e Rrogozhinës. Por Pompeu u tregua tepër i përmbajtur dhe prudent ndaj qëllimeve të Cezarit dhe nuk pranoi ndeshje në fushë të hapët nga frika se, në rast disfate, do të humbiste si ushtrinë ashtu dhe Durrësin. Më këtë veprim Pompeu vazhdonte të mos përpiqej për t’i marrë iniciativën kundërshtarit, por i linte liri veprimi. Cezari e priste Pompeun për luftë, por kur e pa se ky i shmangej ndeshjes duke zgjedhur variantin e tërheqjes, sepse donte Durrësin, në drejtim të të cilit do të vazhdonte marshimin, ndërroi planin e parë dhe ndërmori një manovër të re të guximshme: i dha të kuptojë Pompeut sikur u tërhoq për t’u furnizuar në thellësi të territorit (version që mund ta pranonte Pompeu, kur e dinte se Cezari me të vërtetë ishte në gjendje të vështirë furnizimi). Sapo shkëputi kontaktin Cezari kaloi lumin Shkumbin në një vend përballë Peqinit dhe pastaj i vuri forcat e kalitura në një marshim të sforcuar (ditën dhe natën pa pushim) në itinerarin e vështirë nga pikëpamja e terrenit: Peqin-Pezë-Ndroq-Arapaj-Durrës. Këtë manovër të Cezarit Pompeu e mori vesh dhe, aty për aty, vendosi të shkëputej nga baza e vet e operacioneve në Rrogozhinë, duke i rivendosur në kodrën e Petrës (Shkëmbi i Kavajës), që bashkohet me detin dhe u mbyll në kampin e fortifikuar. Cezari arriti në Durrës pikërisht në atë kohë mëngjesi kur u dukën së largu pararojat e Pompeut. Pra të dy ushtritë u gjetën gati në të njëjtën kohë përballë qytetit të Durrësit, ndonëse me vonesë prej 1 dite, e shkaktuar prej shkujdesjes dhe plogështisë së njohur të Pompeut dhe që mund t’i sillte disfatë.

Kjo vendosje, gati e njëkohshme e të dy ushtrive në këto rajone, solli një situatë të tillë: Pompeu ndodhej, nga pikëpamja e terrenit, në pozita më të sigurta se të Cezarit, sepse kishte kapur Shkëmbin e Kavajës dhe lartësitë e Shkallnuerit, ndërsa në det flota e tij sundonte gjirin e Durrësit, duke vendosur kështu kontakt të drejtpërdrejtë me forcat e garnizonit që mbronin qytetin. Ai urdhëroi, disa herë, anijet e veta që t’i sillnin aty, sa të ishte e mundur më shumë, ushqime nga magazinat e Durrësit. Cezari ndodhej në kodrat e Arapajt dhe prej andej, me goditje të drejtpërdrejtë (ballore), Durrësi nuk merrej, sepse rrethohej nga këneta në anën e brendshme, përveç faktit më të rrezikshëm se forcat e Cezarit gjatë sulmit në krahun e majtë dhe shpinën do ta kishin nën kërcënimin e forcave të shumta të Pompeut, që sundonin dhe mund të kundërsulmonin nga lartësitë e Shkallnuerit e nga Shkëmbi i Kavajës.

Cezari, me gjithë përpjekjet që bëri, nuk ja kishte arritur qëllimit final: shmangies së forcave kryesore të Pompeut dhe kapjen e Durrësit gjatë ecjes. Prandaj hartoi një plan të ri, që konsiderohet nga historianët shumë i guximshëm, por me sa e mendojmë sot i gabuar: vendosi ta mbyllë Pompeun në Shkëmbin e Kavajës dhe të bllokojë qytetin e Durrësit, duke e rrethuar me një qark llogoresh një armik më të madh nga pikëpamja sasiore dhe i siguruar me shumë rezerva materiale. Duke studiuar këtë vendim të Cezarit duhet të pranojmë përfundimin se taktikisht ky ishte gabim, për arsye se forcat komplekse të Pompeut ishin shumë më të mëdha se të Cezarit. Pompeu nuk mund të bllokohej për arsye se sundonte detin me anën e flotës së tij të fuqishme që vepronte lirisht, kurse Cezari i shpërndau forcat për të formuar harkun e rrethimit të largët rreth Durrësit dhe pozicioneve të Pompeut me një gjatësi prej dhjetëra kilometrash,

Vija e frontit të rrethimit, që zuri Cezari sipas historianëve, kalonte: Shmil (mbi Plazhin e Durrësi)-Arapaj-Manzë (Rumanat), Seferaj,-Golem-Xhafaj-Përroi i Lishjatit-bregdet. Cezari ndërtoi gjatë kësaj vije llogore duke vendosur në secilën kodër garnizone të forta. Ai, duke lakmuar, i zhvilloi më tej veprimet, bëri bashkimin e llogoreve (garnizoneve) duke e rritur murin me redute, në një gjatësi prej afro 23 km. dhe, duke përfunduar kështu me forca e punime xheniere rrethimin e plotë të Pompeut. Vija e mbrojtjes e Pompeut kalonte: Shkëmbi i Kavajës-Shkallnuer-Filaj-Berbere-Mali i Robit-bregdet, ku rrethimi i kampit me një mur redutësh e përhapur në një front më të ngushtë ishte me gjatësi prej rreth 18 km. Prej këtu Pompeu ndiqte aktivitetin e Cezarit dhe për të mos rënë përsëri në ndonjë kurth, nuk pranonte t’i dilte në betejë. Po ashtu, duke mos qenë në gjendje të pengonte kryerjen e punimeve nga forcat e Cezarit, u kufizua, sa i lejonin mundësitë, në zgjerimin e kufijve të sheshit (të përqëndrimit e të vendosjes në mbrojtje). Duke krahasuar gjatësinë e këtyre dy vijave mbrojtëse del se shtrirja e Cezarit, si palë rrethuese e sulmuese, ishte e justifikuar, sepse është anakronike që, duke qenë mësymës e bllokues, të përhapësh forcat në mënyrë të barabartë në një front të gjerë. Pasojat e kësaj mospërputhjeje (e mospërqëndrimit të forcave me dobësimin e pjesëve të veçanta të frontit rrethues të gjatë e të zënë me pak forca) nuk do të vononin të dukeshin gjatë zhvillimit të ngjarjeve.

Gjendja e rrethimit dhe bllokimit të Durrësit vazhdoi disa muaj dhe, gjatë kësaj periudhe, u kryen mjaft veprime luftarake të shkallës së vogël taktike, të cilat, pavarësisht nga vlerat e artit ushtarak e të veprimtarisë së dy ushtrive, nuk sollën ndonjë ndryshim rrënjësor në situatën e përgjithshme. Punimet e kryera nga të dyja palët nuk i dhanë shkas ndonjë beteje të madhe. Këtu mund të ketë ndikuar edhe ngurimi i Pompeut, i cili duke vazhduar t’i qëndrojë fanatik vendimit për t’iu shmangur çdo rasti për betejë, nuk ndërmerrte veprime aktive të ndjeshme, por ndoqi taktikën e sulmeve të shkurtra mbi pozicionet e Cezarit për ta detyruar që të sulmonte pozicionet e fuqishme të mbrojtura nga forca të shumta. Por edhe Cezari, gjithashtu, nuk bëri asnjë përpjekje. Në këtë pasivitet të dyanshëm mund të llogariten edhe këto mendime: Pompeu duke i pasur trupat e veta më pak të stërvitura e me pak përvojë i trembej Cezarit dhe anës cilësore të ushtrisë së tij. Ndërsa Cezari i ruhej epërsisë sasiore të forcave të Pompeut dhe merrte parasysh rezervat e shumta materiale të tij. Kjo taktikë pritjeje, nga të dy palët, nuk mund të mos çonte në zgjatjen e luftës dhe në krijimin e mungesave ushqimore e materiale. Megjithëse Pompeu kishte më shumë ushqime, rrethimi sa vinte e ngushtohej. Kjo gjendje rrethuese dhe pasiviteti shkonte duke u keqësuar edhe nga një masë tjetër që mori Cezari, duke u prerë atyre ujin e pijshëm dhe duke ndryshuar drejtimin e rrjedhjes së përrenjve e të lumenjve që vinin ga kodrat në drejtim të detit. “Cezari i kishte kthyer ose i kishte mbyllur gjithë përrenjtë dhe burimet që derdheshin në det. Meqënëse ishin vende malore dhe grykat e luginave shumë të ngushta, Cezari kishte udhëzuar të ndërtohen penda, për të ndaluar ujin”. Mungesa e ushqimeve për kafshët dhe sëmundjet ngjitëse, që u shfaqën në kampin e Pompeut, e thelluan më tej gjendjen e keqe në legjionet e tij. Por edhe Cezari veç gabimeve të mëparshme, lejoi gabime të tjera të rënda. Meqenëse kavaleria e Pompeut qe mbyllur në kamp dhe rrugët e lira të komunikacionit i lejonin liri manovrimi në pjesët e tjera të Ilirisë, ai shpërndau disa legjione, një pjesë të forcave, në drejtime të tjera, jo aq të rëndësishme, në atë situatë siç ishte likuidimi i Pompeut në një rrethim të fortifikuar. Nga ana tjetër vonesa e përforcimeve (rezervave) që ishin duke lëvizur për në Iliri dhe pa të cilat nuk mund të mendohej rritja e sasisë së forcave rrethuese dhe kthimi i raportit të forcave në të mirë të palës mësymëse, ishin një faktor negativ në një betejë kaq të madhe që, për kohën e saj, kishte karakter strategjik. Sepse shpërndarja e vëmendjes, e forcave dhe lëvizjet në shkallë strategjike të Gai Jul Cezarit, ishin shumë të pakujdesshme për një prijës të njohur ushtarak, prandaj edhe ai, siç pohojnë historianët dhe udhëheqës të shquar ushtarakë, edhe u dënua, siç do ta shohim. Në këtë kompleks duhet futur edhe gjendja moralo-fizike e legjioneve të tij, të cilat sa vinin e dobësoheshin nga rrethimi i gjatë, nga punët e rënda dhe nga ushqimi i keq.

Studiuesit ushtarakë vërejnë se në analizën e anëve pozitive e negative të të dy palëve një ndikim të rëndësishëm duhet të ketë pasur edhe një e dhënë, se gjoja në garnizonin e qytetit të Durrësit ishte organizuar një komplot kundër forcave të Pompeut. Cezari i informuar për këtë, i etur për Durrësin e ambicioz nga natyra, duke menduar se i erdhi çasti, bëri orvajtjen e parë për marrjen e qytetit – port. Kjo orvajtje nga historianët dhe studiuesit ushtarakë quhet beteja e parë për të shtënë në dorë Durrësin. Mirëpo kjo përpjekje, duke u mbështetur në një informatë të vetme, të pakrahasuar me faktorë të tjerë, i kushtoi shumë Cezarit sepse, jo vetëm nuk u gjend para një komploti, por mori edhe një përgjigje të përgjakshme. Me saktësi nuk mund të pohojmë, por logjika e dinakërisë ushtarake mund të tregojë se këtu Cezari u ndodh, ndoshta, para një disinformacioni të kurdisur nga Pompeu për ta mashtruar Cezarin që ky të largohej përkohësisht nga fronti dhe forcat rrethuese. Në këtë orvajtje të parë Cezari nuk gaboi vetëm në zgjedhjen e formës së manovrës. Ai e mori parasysh terrenin dhe pozicionin e Durrësit, i cili nuk mund të sulmohej nëpërmjet rripit të ngushtë të bregdetit (nga ana e rrugës së sotme), sepse forcat e tij do të rrezikoheshin nga goditjet e Pompeut në shpinë (nga ato që ishin te Shkëmbi i Kavajës). Duhet të ketë qenë kjo arsye që Cezari, duke mbajtur forcat kryesore mbi kodrat e Arapajt, me një forcë tjetër prej afro 20 kohortash (rreth 10.000-12.000 veta) ndërmori një manovër të thellë e të vështirë krahëmarrëse nga e djathta në intenerarin Arapaj-Shenvlash – rreth kënetës së Durrësit-Kepi i Pallës-Porto Romano dhe sulmoi Durrësin pastaj nga shpina. Kjo manovër krahëmarrëse e goditja në shpinë u kombinua me sulmin e dretpërdrejtë (ballor) të një force më të vogël nëpërmjet rripit të ngushtë të tokës midis kënetës dhe gjirit të Durrësit (rrugës së sotme nacionale). Ky operacion dështoi, sepse nuk u morën parasysh e në lidhje dialektike të gjithë ato faktorë që sigurojnë suksesin. Në rastin konkret shpërndarja në dy fronte, këmbëngulja e pamjaftueshme për të rritur sasinë e forcave, duke i sjellë sa më parë nga Italia dhe dobësitë e shërbimit të zbulimit, të gërshetuara edhe me ndonjë dozë të vogël aventure ushtarake (ambicja e Cezarit ka qenë shumë e theksuar, kjo shpesh çonte edhe në nxitim) e detyruan Cezarin, të kthehej me të shpejtë në bazën e nisjes, pasi pësoi humbje të ndjeshme.

Mbrojtja me rrethim e Durrësit e dha provën e parë, por përdorimi vetëm i llojit të luftimit mbrojtës në rrethim fsheh edhe rrezikun e izolimit. Prandaj rrethimi i gjatë dhe pasiv, kur nuk shoqërohet me aktivitete dhe përpjekje për të çarë rrethimin, duke përdorur ato lloj luftimesh, forma manovre dhe aq forca e mjete që të japin fitoren, në sferën e artit ushtarak mund të quhet si një zgjidhje e drejtë për një ushtri, për një strateg ushtarak. Me sa duket këtu gjejmë një farë përpjekje të Pompeut për t’u shkundur nga një plogështi karakteristike. Ai, siç e pohojnë kronistët, kishte menduar, më në fund, për ndonjë sulm për t’iu shmangur darës së rrethimit që sa vinte shtrëngohej. Duket se situata komplekse që ishte krijuar në radhët e ushtrisë së Cezarit dhe vështirësitë në rritje në fushimin e kundërshtarit e nxitën Pompeun të vendoste për të vepruar. Në këto situata kritike atë e ndihmuan (ashtu siç kishte përfituar edhe në rastin kur ndiqej nga ndihmësit e Cezarit gjatë largimit nga Italia për në Iliri), siç pohojnë disa historianë, edhe dezertimi (tradhtia) nga sheshi i Cezarit i dy personave me rëndësi të cilët duke e njohur me hollësi karakterin e sheshit (e rreshtimit të forcave) nga kishin dezertuar (tradhtuar), i dhanë Pompeut të dhëna të vlefshme mbi vendet e dobëta të Cezarit dhe e shtynë më shumë Pompeun të dilte nga pozicionet mbrojtëse dhe të ndërmerrte një sulm. Kjo tradhti i kushtoi (përkohësisht) shumë Cezarit. Si drejtim goditjeje, me forcat e 6-10 kohortave (rreth 1 legjion 5000-6000 veta), Pompeu zgjodhi këndin jugor, krahun e majtë të linjës (rreshtimit të forcave rrethuese) të Cezarit, sepse ky vend, edhe pse ishte i përforcuar me punime, përsëri ishte më i dobëti nga të tjerët, ishte më larg nga Durrësi ku ndodhej vetë Cezari dhe më afër bregdetit për t’u sulmuar edhe nga deti. Në këtë mënyrë sulmi ballor nga toka do të kombinohej me desantim nga deti në shpinë të fortifikimeve të krahut të majtë të ushtrisë së Cezarit.

Mësymja nisi në agim, në një kohë nga toka dhe nga deti, dhe sukseset e para ishin të mjafta, sepse sulmi ishte i befasishëm dhe u dha në pikën më të dobët. Pra pati kombinim të disa elementëve të artit ushtarak, si p.sh., të formave të manovrës (në krah e në ballë), me kohën e sulmit, me befasinë dhe në pikën më të dobët, duke i shoqëruar këto edhe me veprime të shpejta teknike të trupave në fushën e betejës. Përpjekja që bëri ndihmësi i Cezarit, M. Antoni me 12 kohorta (më shumë se 1 legjion me mbi 6000 veta) sollën një përmirësim të pjesshëm të fatit të luftimit në krahun e majtë, por ato nuk e penguan Pompeun dhe kalorësinë e tij për mbledhjen e drithit e të barit aq të domosdoshëm nga ky inkursion (sulm).

Cezari u lajmërua menjëherë për situatën dhe vendosi të hakmerret me një kundërmësymje të befasishme, me 30 kohorta (3 legjione me rreth 15000-18000 veta) kundër një legjioni me rreth (5000-6000) të Pompeut me shpresë se do t’i thyente lehtë. Mirëpo forcat e Pompeut edhe pse u ndodhën në një raport 3:1 në favor të Cezarit mësymës, qëndruan trimërisht. Kështu krahu i djathtë i formacionit sulmues të Cezarit u thye me të shpejtë, duke i dhënë kohë Pompeut të thërresë në ndihmë dhe, së bashku me to, duke rritur numrin e forcave, të kundërpërgjigjet shpejt dhe pikërisht në atë çast kritik kur trupat e Cezarit po e quanin të sigurt fitoren. Kjo kundërmësymje e Pompeut me forca të reja, në atë çast kur nuk pritej, veçanërisht kur mendja qe e fjetur në fitore, kur nuk po mbahej iniciativa e fituar, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve të luftimit në favor të tij. Ato shkaktuan në radhët e forcave të Cezarit, pikërisht kur pritej kurorëzimi i fitores (e cila mund të jetë shndërruar në një eufori), një panik të madh të papritur, deri në shkatërrimin e kohortave (prishjen e formacioneve) dhe ikjen sa andej-këndej të ushtarëve. Në lidhje me këtë betejë dhe lakmia e Cezarit për marrjen e Durrësit dështoi. Mirëpo murit s’i bihet dot me kokë. Durrësi nuk merrej dhe Pompeu, duke parë se kundërshtari po dobësohej, e ndoqi atë deri në brigjet e Aoos (Vjosës) dhe Cezarit legjendar i shkaktoi një disfatë të madhe sa që legjioneve të tij u hipi paniku dhe për pak e vranë edhe imperatorin e tyre, i cili përpiqej t’i mbante që të mos e braktisnin fushën e luftës. Por Pompeu s’diti të fitojë, tha Cezari, ai nuk na ndoqi të na shfaroste.

Pra atë ditë fitorja e Pompeut qe e plotë d.m.th., në betejën e dytë Pompeu tregoi guxim kur u hodh në kundërmësymje menjëherë sapo theu sulmin e krahut më të dobët të Cezarit. Humbja e Cezarit dhe fitorja e Pompeut vetëm për betejën e Durrësit tregon se, përveç faktorëve të tjerë, një rëndësi të veçantë ka pasur fortifikimi i vetë garnizonit të qytetit. Ky moment në historinë e artit ushtarak nxjerr më në pah mendimin se objektet mbrojtëse të fortifikuara, siç ishin Shkëmbi i Kavajës, por kryesisht Durrësi, nuk merrej nga Cezari në rast se nuk sillte forca rezervë për të shumuar numrin e tyre e për të rritur fuqinë goditëse.

Në këtë betejë iniciativa kaloi në dorë të Pompeut dhe ky, po të kishte ditur të mos e lëshonte atë, por ta rriste e ta mbante, po të ishte treguar këmbëngulës për të fituar nga ajo situatë e t’i vihej në ndjekje, duke e sulmuar këmba-këmbës Cezarin, në tërë linjën e lëvizjes e të qarkullimit të tij, me siguri do t’i shkaktonte atij një thyerje vendimtare. Pikërisht këto raste janë një nga ato fenomene në histori për të cilat Stalini na jep këtë mësim: “… në historinë e ushtrive ka pasur raste kur kanë egzistuar të gjitha mundësitë për sukses, për fitore, por këto mundësi kanë shkuar kot, sepse udhëheqësit nuk i kanë parë këto mundësi, nuk kanë ditur t’i shfrytëzojnë ato, dhe ushtritë kanë pësuar disfatën”.

Shpërndarja e kalorësisë e vënia e saj në ndjekje të të ikurve, duke mos i goditur me forca të përqëndruara legjionet e grumbulluara në fushime të Cezarit, mund të kenë ndikuar, por këto ishin çështje që zgjidheshin me ndërhyrje në rast se Pompeu, si komandant, do të dinte të përfitonte nga një fitore që, po të shfrytëzohej, nuk do të kthehej më vonë në një disfatë të turpshme për të, në Farsalla. Në këtë mënyrë Cezarit iu dha kohë për të rregulluar prapë ushtrinë e shpartalluar e për t’u rivënë në rrugën e ndreqjes së gabimeve. Ja si e përshkruajnë kronistët këtë moment vendimtar në sferën e artit ushtarak: “…pa humbur kohë, si rregulloi më parë të sëmurët dhe të plagosurit, urdhëroi që posa të ngrysej të nxirrnin nga lëmi (fushimi, shesh- – N.Z.) të gjitha plaçkat e të niseshin për në Apolloni, duke i porositur që në asnjë vend të mos ndaleshin rrugës… Si qe kryer kjo punë, mbajti në lëmë dy legjione… Pak kohë më vonë (mendohet ndaj të gdhirë – N.Z.) me qëllim që ikja… e tij të merrej vesh sa më vonë që të ishte e mundur, dha urdhër që të binte borija e zgjimit… Pompeu me të marrë vesh ikjen, pa humbur kohë vendosi të na ndjekë me qëllim që të kapte në befasi rrugës të hutuarit dhe të tremburit, e nxori ushtrinë e tij nga lëmi dhe nisi përpara kalorinë për të kapur praparojën tonë. Por nuk mundi t’i arrijë se Cezari, që nuk pengohej nga plaçka, ishte larguar shumë”. Pra nga kjo humbje Cezari mendohet, se e ndryshoi strategjinë e luftës. Ai bashkoi trupat e veta, lëshoi Durrësin, u vu në tërheqie duke shkëputur kontaktin me Pompeun që ditën e parë të luftimit, dhe u drejtua po në jug, në drejtim të Apollonisë. Pompeu, ndonëse e pa këtë lëvizje, u tregua përsëri i plogët, sepse nuk e zhvilloi kundërmësymjen në thellësi, për ta kthyer atë në ndjekje, për shfrytëzimin e plotë të suksesit dhe për shpartallimin e forcave të Cezarit.

Mbas kësaj disfate dhe arritjes në Apolloni Cezari, siç mund të kuptohet, i hyri analizës së këtyre betejave. “Dhe Cezari – nënvizon shoku Enver – dy ditë e dy net, i mbyllur në një dhomë, mendonte për sulmin e ardhshëm. “Si e bëra unë atë gabim që atakova Durrësin, tha Cezari, ai është vend i fortë, nuk merret, prandaj duhet ta nxjerr Pompeun nga Durrësi dhe ta çoj në atë fushë ku është më e përshtatshme për mua. Dhe kështu bëri, e çoi në Farsalla, ku e theu përfundimisht”.

Në Apolloni Cezari i ndihmuar nga legjione të tjera të ardhura nga Italia, bashkoi tërë fuqinë e ushtrisë që pati në dorë, rivendosi aftësitë luftarake dhe kompaktësinë në dy bazat bregdetare, siç ishte Apollonia e Orikumi, dhe i ndjekur tashmë gjithnjë nga Pompeu, por në rrugë paralele, u drejtua për në Thesali të Greqisë. Këtu, siç rezulton nga studimet historike, Cezari u ndesh për të fundit herë në Gadishullin Ballkanik dhe me një manovër të shpejtë e të shkathët, por tani me forca të shumta (ndreqi gabimet që kishte bërë për marrjen e Durrësit), e tërhoqi Pompeun në betejë dhe, mbasi e futi ushtrinë e vet në prapavijën e dislokimit të ushtrisë së Pompeut, e dërmoi atë përfundimisht në afërsi të qytetit Farsalla. Kjo betejë e dëgjuar në histori ka marrë emrin Beteja e Farsallës.

Në këtë mënyrë periudha e dytë e Luftës Civile në Romë, që u zhvillua në tokën e Ilirisë ishte vazhdim i periudhës së parë të nisur në Spanjën e largët. Kjo ndeshje e dytë e madhe nuk e zgjidhi fatin e tërë Luftës Civile të Romës. Ajo që u zhvillua në Spanjë dhe vazhdoi në Shqipëri u pasuan në periudhën e tretë në Farsallë të Greqisë. Dy periudhat e fundit (e dyta dhe e treta) përbëjnë atë që quhet Lufta e Epirit, e cila ishte etapa vendimtare e luftës së dytë civile në Romën e Vjetër (49-45 para erës sonë) mbi këtë zhvillim, F. Engelsi, arrin në përfundim: “Në qershor të vitit 48 para erës sonë në betejën e Farsallës ushtria e Cezarit e dërmoi ushtrinë e Pompeut. Me këtë luftë civile Republika e Romake në fakt u likuidua dhe u vendos perandoria me në krye Cezarin).

***

Ngjarjet që u trajtuan në këtë artikull i përkasin kohërave të lashta. Midis shumë mësimeve mund të nxjerrim edhe rëndësinë që ka faktori shpejtësi për fatin e luftimit. Kështu, p.sh., sikur me disa orë vonesë të kishte ardhur Pompeu në Shkëmbin e Kavajës, Cezari do ta kishte pushtuar Durrësin. Ose fakti tjetër se ç’rrjedhime negative sjell plogështia, mungesa e iniciativës. Po të mos ishte treguar i plogësht Pompeu, po të kishte pasur më tepër iniciativë, do të kishte shpartalluar plotësisht ushtrinë e Cezarit, të paktën në betejën e dytë të Durrësit. Pra atë që nuk e bëri Pompeu, kur e kishte në dorë (rastin) duke e lënë armikun, arriti, pas jo shumë kohësh, ta bëjë kundërshtari, Cezari.

Situatat, rastet duhen vlerësuar drejt dhe duhen shfrytëzuar me guxim dhe vendosmëri. Gjithë historia e artit ushtarak botëror vërteton se befasia dhe shpejtësia kudo dhe kurdoherë kanë luajtur rol të madh, kurse plogështia dhe mungesa e iniciativës të çojnë përpara rreziqesh të mëdha, në të shumtën e rasteve të çojnë në disfatë. Shembulli i Pompeut me Cezarin është një rast i tillë tipik. Ka interes gjithashtu të mbahet parasysh dhe ajo këshillë e urtë e Skënderbeut sipas Barletit që: “Dy janë kryesisht rastet për sukses në luftë: kur armikun e shikon ose të zënë me të tjerë, ose të dërmuar”. Pompeu veproi drejt dhe shfrytëzoi rastin kur Cezari u zu me forca të tjera në Durrës, duke e sulmuar në tjetër vend. Por ai gaboi rëndë në rastin kur Cezari ishte thyer (dërmuar) dhe ai nuk e ndoqi për ta shpartalluar, që do të ishte rast shumë i mirë për suksesin e tij përfundimtar të luftës.

Historia dëshmon se luftëra midis ushtrive të huaja në truallin shqiptar ka pasur edhe në shekujt e mëvonshëm. Këtyre ndërhyrjeve ushtarake për zgjidhjen e konflikteve politike dhe duke përdorur territorin shqiptar për pushtime në Lindje etj, iu pre rruga dhe ju tha ndal një herë e përgjithmonë që kur u bë kthesa vendimtare në fatet e popullit tonë, me fitoren e epopesë më të shkëlqyer të historisë shumëshekullore të popullit shqiptar – me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Populli shqiptar, zot i tokës së Atdheut dhe i fateve të tij, ashtu sikurse gjatë gjithë historisë, nuk ka qëndruar duarlidhur por i ka luftuar e sabotuar luftërat. Edhe në të ardhmen, në kuadrin e NATO-s, nuk do të lejojë asnjëherë armiqtë e vjetër ose të rinj, të mëdhenj ose të vegjël, që ta bëjnë Shqipërinë fushë beteje të forcave e palëve ndërluftuese.

Përgatiti Dokt. Shkenc. Novruz Zejnati

Kolonel. R.