29nëntor 2015 – Politika shqiptare është e ndarë ende sot përsa i përket datës së çlirimit të vendit, nëse ndodhi më 28 apo me 29 nëntor të vitit 1944. Por ajo që nuk ndryshohet është data kur Durrësi u vu në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht nga ky qytet filloi historia e Luftës nacionalçlirimtare, pas pushtimit nga Italia fashiste më 7 prill 1939.

Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Më 7 prill në Durrës ra dëshmori i parë i luftës, heroi i popullit Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij të flijuar në mbrojtje të trojeve tona.

Fryma e kohës i kishte ndërgjegjësuar banorët durrsakë dhe shumë të rinj ishin hedhur në çetat partizane. Të tjerë u ngritën në demostrata kundër pushtimit fashist. Dëshmorë të rinj ishin: Sotir Noka, Dalip Tabaku, Aleksandër Goga etj. Në këtë atmosferë e gjeti Durrësin pushtimi nazist në shtator 1943. Komanda gjermane e konsideroi qytetin tonë qytet të lëvizjes dhe ishte kjo pasiguri që e detyroi komandën gjermane të ndërmarrë operacionin e koduar “Shëtitje në port”. Banorët u detyruan me forcë ta braktisnin qytetin ndërsa të rinjtë u internuan në kampet e përqendrimit, qyteti dhe vija bregdetare u minua, rast unikal ky në historinë e luftës së dytë botërore.

/portal DurrësLajm/