Lufta në Iran ka rritur çmimet e barnave, përfshirë qetësuesit e dhimbjeve dhe ilaçet kundër alergjive sezonale, kanë paralajmëruar farmacistët kryesorë në Angli.
The Guardian shkruan se farmacitë po u kërkojnë klientëve 20-30% më shumë për paracetamolin sesa në muajin shkurt, sipas Shoqatës Kombëtare të Farmacive (NPA), dhe shumë prej tyre kanë mbetur pa disa doza të aspirinës dhe co-codamolit.
Çmimet pa recetë për tabletat e cetirizinës, një ilaç i zakonshëm kundër alergjive sezonale, vlerësohet gjithashtu se janë rritur me 20-30% në të njëjtën periudhë.
Rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës që nga fillimi i luftës, gati tetë javë më parë, ka shtuar kostot e prodhimit dhe transportit për furnizuesit e barnave. Këto kosto janë reflektuar te farmacitë, të cilat po paguajnë 40-50% më shumë për të siguruar furnizime.
Konflikti ka dyfishuar gjithashtu kostot e transportit ajror.Nnjë në pesë barna të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor Britanik vijnë me avion dhe ka kufizuar furnizimet me derivate të naftës nga Gjiri, të cilat përdoren për prodhimin e shumë barnave të zakonshme, përfshirë paracetamolin, aspirinën dhe co-codamolin.
Prodhuesit e barnave gjenerike me marzhe të ulëta fitimi kanë filluar të rrisin çmimet e tyre, duke rritur kështu faturën e barnave për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor Britanik si dhe çmimet në farmaci.
Disa farmaci kanë ndaluar shitjen e aspirinës pa recetë, pjesërisht për shkak të kufizimeve në furnizim që kishin filluar edhe para luftës në Iran. Mungesat e përkohshme të barnave janë të zakonshme, por mund të bëhen më serioze nëse ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e petrokimikateve, nuk rihapet së shpejti.
Olivier Picard, kryetar i NPA-së, që përfaqëson 6 mijë farmaci komunitare në Angli, tha se më 27 mars farmacia e tij në Berkshire nuk kishte mundur të porosiste paracetamol. Kur u bë sërish i disponueshëm disa ditë më vonë, “çmimi me shumicë ishte dyfishuar”.
Ndërsa furnizuesit kanë marrëveshje afatgjata çmimesh me spitalet e NHS-së, ata kanë më shumë fleksibilitet për barnat që furnizojnë për farmacitë dhe mjekët e familjes.





