Produkte të shumta që mbërrijnë nga Kina, si telefona, kompjuterë, veshmbathje e vegla pune, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të tregut në Kosovë. Por lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës pritet të sjellë pasoja direkte edhe për konsumatorët kosovarë.
Së fundmi, SHBA vendosi tarifa të larta ndaj mallrave kineze, duke arritur në 104 për qind, si pjesë e një përshkallëzimi të tensioneve ekonomike mes dy fuqive botërore. Kina u kundërpërgjigj me tarifa të ngjashme për produktet amerikane.
Ekspertët në Kosovë paralajmërojnë se këto zhvillime do të sjellin rritje çmimesh, veçanërisht për produktet kineze që mbushin tregjet vendase. Profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi, thotë se vendet si Kosova, të varura nga importi, do ta kenë të vështirë të shmangin pasojat.
“Konsumatorët në Kosovë mund të paguajnë deri në 40% më shumë për produktet kineze”, tha Bektashi, duke shtuar se një valë e re inflacioni pritet të ndodhë në nivel global.
Megjithatë, jo të gjithë ndajnë këtë qëndrim. Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë Elkos Group (ETC), që çdo vit importon mallra deri në 12 milionë euro nga Kina, mendon se konkurrenca do të shtyjë çmimet të bien.
“Kina nuk do e ndalë prodhimin. Produktet që nuk do shkojnë më në SHBA, do orientohen në tregje të tjera si Kosova, dhe çmimet do ulen”, u shpreh Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.
Kina, megjithëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është partneri i tretë më i madh tregtar i saj, pas Gjermanisë dhe Turqisë. Në vitin 2023, Kosova importoi mbi 748 milionë euro mallra kineze, ndërsa eksportoi vetëm 426 mijë euro, kryesisht xeherorë, krom e fustane.
Për shkak të mungesës së njohjes diplomatike, marrëdhëniet janë të kufizuara, ndërsa qytetarët kosovarë duhet të aplikojnë për vizë kineze në Prishtinë, që shqyrtohet në Ambasadën e Kinës në Beograd.