Rreth 761 organizata joqeveritare dhe grupe ndihmash nga mbarë bota kanë nënshkruar një apel të përbashkët, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të ndalur atë që e quajnë “uri e shkaktuar nga njeriu” në Rripin e Gazës. Ato i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të thyejë rrethimin izraelit dhe të dërgojë një konvoj humanitar diplomatik përmes pikës kufitare të Rafah-ut.
Apeli u iniciua më 12 maj nga grupet e shoqërisë civile palestineze dhe brenda vetëm një dite u mbështet nga mbi 300 organizata, përfshirë Human Rights Watch dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë.
“Nxisim shtetet që t’i bashkohen këtij konvoji humanitar duke dërguar misione diplomatike zyrtare – në nivelin më të lartë të mundshëm – për të shoqëruar kamionët e ndihmës që tashmë presin në pikën kufitare të Rafah-ut dhe për të hyrë në Gaza së bashku me ta”, thuhet në tekstin e peticionit. “Ky veprim mbështetet në detyrimet ligjore ndërkombëtare të shteteve, guximin moral dhe solidaritetin njerëzor.”