Ish Kapiteni Lutfi Shehu ka qenë student në Shkollën e Artilerisë Bregdetare Sovjetike në Riga për 5 vite me rradhë, nga qershori i vitit 1956 deri në shtator 1961. Gjatë qëndrimit të tij në Rusi ai e ka vizituar kryqëzorin “Aurora” gjatë periudhës së pushimeve 2 herë në fund të viteve 50-të të shekullit të kaluar, ndërsa pas riaktivizimit të lidhjeve mes vendeve tona të ndërprera në vitin 1961, ai tregon se e ka vizituar “Aurorën” edhe 3 herë të tjera.
Për shumë shqiptarë, sidomos studentët e akademisë ushtarake kryqëzori “Aurora” përfaqësonte simbolin e një epoke dhe vizita në të ishte një privilegj i shumë dëshiruar. Shehu thotë se sa herë që do të shkojë në Rusi, ai do ta vizitojë përsëri atë. Këtë anije mitike në historinë moderne ruse, ai kujton se studentët ushtarake e vizitonin në intervalet e pushimeve verore dhe dimërore, pasi në Shqipëri ata vinin për pushime një herë në 2 vite.
“Për herë të parë e kam vizituar,- thotë Lutfiu,- në janar të vitit 1958. Ishin të planifikuara pushimet dhe ne shkonim me grupe. Mbaj mend se na kishin caktuar në Akademinë e Flotës Ushtarake “Krillov”. Atje ishim sistemuar për fjetje dhe ushqim. Akademia ndodhej mu në qendër të Leningradit siç njihej Shën Petërburgu në atë periudhë kohore në Bashkimin Sovietik. Aty ndodheshin studentë oficerë nga të gjitha vendet e lindjes. Në atë periudhë ndodhej në Bashkimin Sovietik, me studime në këtë Akademi edhe Hito Çako dhe Xhaferr Matuka. Në kryqëzor na shoqëroi Komisari i Fakultetit të Artilerisë Bregdetare nën Koloneli Tkachov.
Mbaj mend se në grupin tonë ishin rreth 12 vetë që bëmë vizitë në të. Atje na priti një nën Kolonel ose Kapiten i Rangut të Dytë, sipas gradave te Flotës Ushtarako Detare, të cilin e shoqëronte edhe një cicerone që fliste mbi Historinë e Lavdishme të këtij Kryqëzori, i cili kishte marrë pjesë në disa luftëra të zhvilluara në Gjirin e Finlandës me anije finlandeze dhe gjermane.
Më kryesorja ishte që ky kryqëzor kishte dhënë sinjalin e parë të goditjes dhe sulmit mbi Pallatin e Dimrit, që për ne ishte Bastija e asaj periudhe. Kryqëzori na impresionoi si në vizitën e parë ashtu edhe në vizitën tjetër. Ashtu siç na kishte impresionuar duke na lënë përshtypje të pashlyeshme, kur kishim parë që fëmijë dhe më pas në shkollën ushtarake “Skënderbej” filmat sovietikë me kryqëzorin që qëllonte dhe me trupat që mësynin Pallatin e Dimrit.
Në kujtesat tona kishin mbetur flakët e topit të tij, trupat e armatosura që sulmonin dhe porta kryesore e Pallatit që binte nga brenda. Ishte ndërrimi i një epoke që kishte pasur si shkëndijë qëllimin e topit 130 mm në bashin e kryqëzorit, shkëndijë që ndau epokën e feudalizmit me epokën e re të Rusisë dhe popujve të tjerë. Shkurt ishte me mbingarkesë historike për ne dhe mbingarkesë emocionesh pas Luftës së dytë Botërore",- thotë Lutfiu.
Deri në atë kohë “Aurora” ishte vizituar, sipas fjalës së kapitenit te Rangut te Dytë që na priti nga 120 bashkëatdhetarë nga Shqipëria. Numri i tyre duhet të jetë shumë i madh ndër vite”. Lutfiu thotë se gjatë periudhës, kur qe student e kishte vizituar 2 herë, ndërsa pas viteve 1990 e ka vizituar edhe 3 herë të tjera.
“E kam vizituar 2 herë, kur ndodhesha në Akademinë e Artilerisë në Riga dhe 3 herë pas një periudhe 30 vjeçare. Kur e vizitova për së pari herë pas hapjes së vendit edhe atëherë ka qënë dimër”,- kujton ai. Dhe sa herë që të më jepet mundësia të shkoj unë do ta vizitoj thekson ai duke nënvizuar kështu rëndësinë që ka për brezin e tij kjo anije historike e cila i përket tashmë edhe historisë botërore.
Kryqëzori "Aurora"
“Aurora” është një kryqëzor rus i viteve 1900, që ruhet aktualisht si anije muze në Shën Petërburg. Mori pjesë në beteja kundër marinës japoneze në luftën ruse-japoneze. Një nga incidentet e para të revolucionit të Tetorit në Rusi u zhvillua në kryqëzorin “Aurora”.
Më 27 dhe 28 maj 1905, “Aurora” mori pjesë në betejën e Cushima-s. Në vitin 1906, u kthye në Baltik dhe u bë anije mësimore për kadetët. Në vitet 1906-1912 kryqëzori u vizitua nga një numër përfaqësuesish të vendeve të tjera, në nëntor 1911 anija ishte në Bangkok si pjesë e festimeve me rastin e kurorëzimit të mbretit të ri të Siamit.
Gjatë Luftës së Parë Botërore anija operonte në detin Baltik. Në vitin 1915, në armatimin e saj u vendosën katërmbëdhjetë topa 152 mm. Në fund të vitit 1916, anija u dërgua në Petrograd (sot: Shën Petërburg) për riparim kapital. Ndërkohë qytetin e kishin përfshirë ethet revolucionare dhe një pjesë e ekuipazhit të Aurorës u bashkua me revolucionin kundër perandorit, në shkurt 1917. Në anije u krijua një komitet revolucionar. Shumica e ekuipazhit u bashkua me bolshevikët (përkrahësit e Leninit), të cilët po përgatiteshin për të kryer revolucionin komunist.
Sipas historiografisë së periudhës komuniste, më 25 tetor (kalendari i vjetër, ose 7 nëntor) 1917, “Aurora” nuk pranoi të zbatonte një urdhër për të dalë në det, duke shënuar fillimin e atij që u quajt “Revolucioni i Tetorit”. Në orën 21:45 të asaj date, një e shtënë në ajër nga topi i kuvertës ishte sinjali për fillimin e sulmit mbi Pallatin e Dimrit, rezidencë dimërore perandorake dhe atë vit ishte selia e qeverisë së përkohshme. Goditja ishte episodi i fundit i Revolucionit të Tetorit. Edhe ekuipazhi i kryqëzorit mori pjesë në këtë sulm.
Në vitin 1922, “Aurora” kaloi sërish në shërbim si anije mësimore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga anija u morën topat që u përdorën në mbrojtjen nga toka të Leningradit. Anija u dokua në portin e Oranienbaum-it, ku u bombardua. Më 30 shtator 1941 u dëmtua dhe mbyt në port. Pas riparimeve kapitale në vitet 1945-1947, “Aurora” u ankorua përgjithmonë në lumin e Nevës në Leningrad (sot Shën Petërburg), si monument i “Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit” në vitin 1957 dhe u shndërrua në anije-muze. Më 2 nëntor 1927, “Aurorës” iu akordua Urdhri i Flamurit të Kuq për meritat e saj revolucionare dhe më 22 shkurt 1968 Urdhri i Revolucionit të Tetorit. Ky i fundit përmban imazhin e vetë kryqëzorit.
Si anije-muze, kryqëzori “Aurora” u bë një nga atraksionet turistike të shumta të Leningradit (tani Shën Petërburg), dhe vazhdoi të jetë një simbol i Revolucionit Socialist të Tetorit dhe një atribut i shquar i historisë ruse. Aurora qëndron sot si anija më e vjetër e Flotës Ushtarake Detare të Rusisë, por nën kujdesin e Muzeut Qendror Detar. Nga 1956 deri në ditët tona kryqëzorin “Aurora” e kanë vizituar 28 milionë veta.
Pallati i Dimrit
Pallati i Dimrit në Shën Petërburg, Rusi, në vitet 1732-1917 ishte rezidenca zyrtare e perandorëve rusë. Pallati i Dimrit u ndërtua dhe ndryshua pothuajse vazhdimisht në fund të vitit 1730 dhe në vitin 1837, kur u dëmtua rëndë nga zjarri dhe u rindërtua menjëherë. Sulmi bolshevik mbi pallatit në vitin 1917 i paraqitur në pikturat sovjetike dhe në filmin e vitit 1927 të regjisorit të famshëm Ajsenshtajn (Eisenstein) “Tetori” u bë ikonë simbolike e Revolucionit rus.
Pallati u ndërtua mbi një shkallë monumentale që kishte për qëllim të pasqyronte fuqinë dhe pushtetin e Rusisë perandorake. U projektua nga shumë arkitektë, më i njohuri mes tyre Bartolomeo Rastrelli, sipas stilit barok të epokës elizabetiane. Pallati me ngjyrë të gjelbër dhe të bardhë ka formën e një drejtkëndëshi të zgjatur; fasada kryesore është 250 m e gjatë dhe 30 m e lartë. Pallati i Dimrit u llogarit të kishte 1.786 dyer, 1.945 dritare, 1.500 dhoma dhe 117 shkallë. Rindërtimi në vitin 1837 nuk ndryshoi eksterierin, por pjesë të mëdha të interierit u riformuluan në një shumëllojshmëri stilesh dhe shijesh, duke bërë që pallati të përshkruhej si "pallat i shekullit të 19-të i frymëzuar nga një model në stilin rokoko".
Më 22 janar 1905, ndodhi një masakër e quajtur e “E diela e Përgjakshme” teksa turma e madhe e demonstruesve punëtorë marshoi drejt Pallatit të Dimrit (sipas burimeve antiqeveritare u vranë nga plumbat e ushtrisë 4000 veta, u plagosën mbi 1000 të tjerë dhe u arrestuan 688 veta). Që nga ajo kohë familja perandorake zgjodhi për banim një pallat më të sigurt dhe të izoluar në periferi, në Carskoe Selo, dhe kthehej në Pallatin e Dimrit vetëm për raste tepër të rralla për ceremoni shtetërore. Pas Revolucionit të shkurt të vitit 1917, pallati për një kohë të shkurtër ishte selia e Qeverisë së Përkohshme ruse. Më 7 nëntor 1917, pallati u sulmua nga një detashment ushtarësh dhe marinarësh të Ushtrisë së Kuqe, moment përcaktues në lindjen e shtetit sovjetik. Sot, pallati i restauruar është pjesë e kompleksit të ndërtesave të Muzeut Ermitazh.





