Me një lojë të ekipit të tij përtej pritshmërive, trajneri i Teutës, Gugash Magani është shfaqur jo plotësisht i kënaqur me barazimin 1-1 të siguruar në Korçë, përballë kampionëve të Shqipërisë, ndaj të cilëve, përpara ndeshjes do të kishte qenë mëse i lumtur nëse do të kishte një pikë të siguruar.

Sipas Maganit, loja e skuadrës në pjesën e parë, rastet e shumta të krijuara dhe eksperienca pozitive dhe konsistente në ndeshjet në transfertë, mund t'u kishin siguruar ekipit durrsak edhe më shumë se barazimi, ndonëse 1 pikë në Korçë duhet të konsiderohet pozitive. I bindur se nuk ka vjedhur asgjë ndaj kampionëve, Magani tenton të mbajë ekipin e tij me këmbë në tokë, duke e vlerësuar ende gjithçka të hapur në luftën për mbijetesë.

“Nëse do të diskutonim përpara takimit, për rezultat pozitiv do të isha shprehur i kënaqur edhe me barazimin. Përsëri jam i kënaqur, nuk vodhëm gjë, e merituam në fushë, se shënuam të parët. Nëse do t’i referohem pjesës së parë, dolëm disa herë përpara portës dhe mund të kishim shënuar edhe më shumë. Në pjesën e dytë vuajtëm, por dihet se kundërshtari që kishim përballë është i vështirë, ka kualitete. Gjithsesi, ne kemi marrë rezultate pozitive në transfertë. Kemi marrë pikë në Vlorë dhe me Skënderbeun, në fusha me koefiçent të lartë vështirësie. Në përfundim të javës së 24-t, do të flisja gabim nëse do të thoja se kemi siguruar gjithçka. Nga vendi i katërt e deri në fund rrezikojnë të gjithë dhe janë në lojë shumë pikë. Çdo ndeshje do ta trajtojmë si finale. Objektivi ynë do të jetë gjithmonë ndeshja e radhës. Me këtë seriozitet që po shfaqim kam besim se do të mbijetojmë, por gjithmonë të qëndrojmë me këmbë në tokë”, u shpreh trajneri i Teutës, Gugash Magani.