GJKKO ka shpallur të pafajshme Majlinda Bufin, kryebashkiaken e Roskovecit e akuzuar nga SPAK për përdorim të funksionit publik për veprimtari politike.
Bufi u mor e pandehur nga SPAK më 14 nëntor 2025. Ajo u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg si dhe konvertimin e tij në shërbim prove për 2 vjet.
Bufi u mor e pandehur për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike”, parashikuar nga neni 328/a/3. Ndaj saj u depozituan tre kallëzime në SPAK.
Sipas kallëzimeve, kryebashkiakja ka ushtruar qëllimisht dhe vetë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale shkelje të rënda ndaj punonjësve të administratës publike, me qëllim që të pengojnë ato të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të lirë, duke përdorur kërcënime, presione dhe shantazhe.
Gjithashtu, PD Roskovec depozitoi një kallëzim tjetër penal në SPAK ndaj saj, duke e akuzuar për keqpërdorim të tenderave.





