Policia Bashkiake Durrës ka “zbarkuar” sot në zonën e plazhit, ku mësohet se janë gjobiitur dy subjekte private që automjetet me tabelën “Shitet” i kishin vendosur në parkimet publike përgjatë aksit “Pavarësia”.

Fenomeni i tregtimit të mjeteve dhe reklamimit të tyre pa leje në hapësira publike dhe jo në tregun e makinave në Shënvlash vihet re në shumë lagje të qytetit bregdetar, siç dëshmoi “DurrësLajm” përmes pamjeve filmike në shkrimin: Këshilltarja Kasa: Në Durrës ka treg makinash, automjetet me tabelën “Shitet” të mos zënë parkimet publike (VIDEO)

Megjithëse e njeh prej kohësh si problematikë, Policia Bashkiake e ka të pamundur t’i largojë këto mjete nga rruga.

“Duhet të hartohet me urgjencë kuadrin ligjor dhe më pas të miratohet nga Këshilli Bashkiak, sepse në kushtet që jemi është e pamundur nga ana jonë të ndërhyjmë për t’i hequr këto mjete. Aktualisht mund t’i ndëshkojmë vetëm me masa administrative. Nëse do të ekzistonte kuadri ligjor dhe në territorin e bashkisë do të kishte një pikë grumbullimi për automjetet e bllokuara nga Policia Bashkiake apo Policia e Rendit puna jonë në terren për zgjidhjen e kësaj problematike do ishte shumë më e lehtë”,- bëjnë të ditur për “DurrësLajm” burime nga Policia Bashkiake.

Në shumë rrugë të qytetit ndesh ngado automjete të braktisura prej muajsh e prej vitesh, të cilat në jo pak raste, krahas zënies së hapësirave publike prishin edhe imazhin e qytetit, cënojnë sigurinë publike dhe kthehen në vend grumbullimi mbeturinash.

Vetëm përgjatë muajit janar, Policia Bashkiake Durrës ka vendosur 2303 masa administrative për shkeljet e Kodit Rrugor, lidhur me parkimin e mjeteve.

Sipas burimeve pranë kësaj policie, rastet më të shpeshta të shkeljes së Kodit Rrugor lidhen me parkimin e mjetit në trotuar, parkimin e mjetit para kazanëve të hedhjes së mbeturinave apo parkimin e mjetit tek vijat e bardha, sidomos afër shkollave.

Kërkojmë bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve që të respektojnë Kodin Rrugor dhe të mos parkojnë makinat ku të munden”,- apelon Policia Bashkiake.

Këshilltarja bashkiake Flutura Kasa, në intervistën për “DurrësLajm” ngriti shqetësimin për punën e disa efektivëve të Policisë Bashkiake, të cilët sipas saj operojnë me dy standarte për vendosjen e gjobave.

Burime nga kjo polici shpjegojnë se pretendimi i ngritur nga këshilltarja Kasa “nuk na rezulton të jetë i vërtetë, por qytetarët kur konstatojnë raste të abuzimit kanë të drejtë të ankohen tek Policia Bashkiake apo në organe të tjera ligjzbatuese dhe për çdo rast abuzimi do të merren masa sipas procedurave disiplinore”.

Zgjerimi i trotuareve në rrugët kryesore të qytetit dhe minimizimi i vendeve të parkimit, sidomos në zonën e qendrës, ka nxjerrë në pah vitet e fundit mungesën e vendeve të mjaftueshme për të parkuar automjetet.

Një qytet gjithnjë në rritje përsa i përket numrit të popullsisë dhe zhvillimit demografik, por projektet në infrastrukturë, sidomos në 10-vjeçarin e fundit, nuk kanë ecur paralelisht me këtë zhvillim.

Durrësi është kthyer në një qytet “anemik” në qendër të tij, pasi trafiku i rënduar dhe mungesa e vendparkimeve janë problematika e përditshme e qytetarëve. Ngushtimi i rrugëve kryesore dhe mungesa e projekteve dhe investimeve në rrugë alternative për devijimin e trafikut do vijojë t’i penalizojë banorët e qytetit edhe në vitet në vijim.    

M.B.