SHBA, 24 shkurt 2013– Mbështetësit e armëvebajtjes së ligjshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën një manifestim kombëtar, kundër reformës së paralajmëruar që mund të kufizojë këtë të drejtë kushtetuese.

Mbi 100 manifestime u zhvilluan dhe pritet të zhvillohen në të gjithë vendin, nën moton “dita e rezistencës kombëtare”.

Sipas protestuesve, plani i administratës Obama bie ndesh me të drejtën e tyre kushtetuese të armëmbajtjes.

Obama lajmëroi për mundësinë e kufizimit në të drejtën e pronësisë dhe blerjes së armëve në dhjetor, pak ditë pas një masakre në një shkollë fillore në Konektikat, që i mori jetën 26 personave, mes të cilëve 20 fëmijë.

Në atë ngjarje, por edhe në disa raste të tjera në vend, persona të ç’ekuilibruar kanë qëlluar mbi njerëz të pafajshëm, duke provokuar tragjedi të përmasave kombëtare.

Secili prej këtyre sulmeve është lehtësuar nga e drejta e çdo shtetasi pa precedentë penalë dhe që është në gjendje të vërtetojë shëndetin e tij mendor për t’u pajisur me armë.

Për mbështetësit e legjislacionit aktual, heqja e të drejtës së pronësisë së një arme do ta shndërrojnë SHBA-në në një vend shumë më të pasigurt nga sa është aktualisht.