Argjentinasi vlerësohet në “Globe Soccer Award” në Dubai

Diego Armando Maradona është lojtari më i mirë i shekullit. “Pibe de Oro” u vlerësua me këtë çmim gjatë edicionit të tretë të Globe Soccer Award në Dubai.

Së bashku me legjendën argjentinase, në Emiratet e Bashkuara Arabe u vlerësuan Radamel Falcao si lojtari më i mirë i vitit, Atletico Madrid si skuadra më e mirë, Michel Platini me një çmim special për karrierën dhe José Mourinho si trajneri më i mirë.

“Kur u transferova në Itali, Platini fitonte gjithçka ndërsa unë isha xhonglieri. Kur iku ai, nisa të fitoj unë. Tani Michel drejton UEFA-n ndërsa unë mendoj vetëm të drejtoj një skuadër”-shprehet Maradona.

“Si Real Madrid e dimë që mund ta fitojmë, por edhe ta humbasim Champions-in. Filozofia jonë është e ndryshme nga ajo e Manchesterit, por ky duel do të jetë një kënaqësi. Jam përkrah Maradonës, ai përfaqëson futbollin jo unë. Lojtari ka peshë dhe famë që trajneri nuk do ta ketë kurrë”- thotë Murinjo.

Ndryshe nga edicionet e kaluara, këtë vit u dha edhe çmimi për menaxherin më të mirë, që u fitua nga Jorge Mendez, i cili mes të tjerëve përfaqëson Mourinhon, Cristiano Ronaldon e Falcaon.

Eric Abidal u vlerësua me çmimin për karrierën më të mirë.