Kukullat Labubu, lodrat që shiten në “kuti surprizë” për rreth 20 dollarë, janë kthyer në një fenomen masiv në Kinë. Në dyqanin kryesor të Pop Mart në Shanghai, klientët duhet të presin mbi një javë për të siguruar një prej tyre. Një version i rrallë i kukullës u shit për 150 mijë dollarë në një ankand më 10 qershor. Edhe yje si David Beckham dhe Rihanna janë shprehur se janë fansa të tyre.
Kjo mani ka çuar në rritjen e aksioneve të Pop Mart me 170% që nga fillimi i vitit, duke simbolizuar ringjalljen e markave vendase në Kinë. Në vend të markave të huaja, konsumatorët kinezë po përqafojnë produkte lokale të cilësisë së lartë dhe me çmime të përballueshme, nga çaji me qumësht dhe kozmetika, te bizhuteritë dhe automjetet elektrike.
Kompani si Chagee, Laopu Gold, Luckin Coffee dhe Mao Geping po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në tregun e brendshëm dhe po zgjerojnë praninë e tyre edhe jashtë Kinës.
“Konsumatorët kinezë janë tani shumë më pak të tërhequr nga produktet e huaja thjesht sepse janë të huaja. Rritja e shpejtë e Laopu është prova më e qartë e kësaj. Kompania, e cila shet bizhuteri ari qartësisht kineze, ka arritur të mbajë shitjet për dyqan mbi 300 milionë juanë, të paktën 50% më shumë se shumica e konkurrentëve të saj të huaj. Çmimi i aksioneve të saj është rritur me mbi 2 mijë përqind që kur u listua në bursën e Hong Kongut, rreth një vit më parë. Është një nga markat e pakta luksoze vendase në Kinë. Prej kohësh ky sektor ka qenë i dominuar nga kompani të huaja, por shumica e tyre tani po shënojnë rezultate të dobëta në këtë treg. Në vend që të përpiqen të duken perëndimorë, si Laopu ashtu edhe Chagee kanë vënë në pah identitetin e tyre kinez. Dhe kjo strategji ka funksionuar”, shkruan La Repubblica.
Tregu i makinave elektrike luksoze gjithashtu po dominohet gjithashtu nga prodhuesit vendas si Nio dhe Li Auto.
“Edhe pse mund të duket e kundërta, segmenti që po rritet më shpejt në tregun kinez të automjeteve elektrike nuk është ai më i liri, por ai me çmime nga 200 mijë deri në 400 mijë juanë, i konsideruar si “luks i nivelit fillestar”. Prodhuesit e huaj kanë dominuar për një kohë të gjatë këtë segment, por shumë nga modelet më të njohura sot në këtë kategori çmimi prodhohen nga konkurrentë vendas si Nio dhe Li Auto”, shkruan La Repubblica.
Ndryshe nga e kaluara, konsumatorët kinezë nuk i shohin më produktet e huaja si më të mira vetëm për shkak të origjinës. Identiteti kulturor, çmimet konkurruese dhe cilësia e produkteve vendase po i japin fund dominimit shumëvjeçar të markave perëndimore në tregun më të madh të konsumit në botë.
Por trendet nuk hyjnë më vetëm në Kinë, dalin edhe prej saj. Pop Mart ka hapur më shumë se 20 dyqane në vende të ndryshme, përfshirë të paktën 37 në SHBA. Mixue, që nisi si një kioskë akulloresh në një provincë të varfër, është shtrirë në gjithë Azinë Juglindore. Chagee planifikon të hapë mbi 1.300 dyqane jashtë Kinës deri në vitin 2027, nga thuajse zero që kishte katër vite më parë.
Pas dekadash ku Kina ndiqte modën e importuar, duket se tani ajo po e eksporton atë. Dhe markat perëndimore duhet të fillojnë të shqetësohen.