Teuta mori fitoren e parë në kampionat dhe e bëri këtë ndaj Tiranës kampione në fuqi, të cilës synon t’i marrë edhe fronin, objektiv ky që e theksoi sërish edhe trajneri Edi Martini në intervistën e dhënë pas ndeshjes në “Gol pas Goli”.

Është folur shumë që jeni për titull, ndërsa sot e treguat edhe në fushë…

Unë e thashë që pas ndeshjes me Skënderbeun, që ato dy pikë do t’i qajmë gjatë, pasi e nënvlerësuam disi kundërshtarin dhe nuk bëmë mirë në rastet që u paraqitën. Futbolli është i këtillë, që ndaj korçarëve duhej ta kishim menaxhuar disi më mirë, por sot bëmë mirë punën tonë. Kemi lojtarë me cilësi dhe këtë e treguam mirë sot në fushë.

Mund ta thoni me zë të lartë që jeni për titull?

E kam thënë edhe pas ndeshjes me Skënderbeun, që kemi në skuadër lojtarë që mund të synojnë titullin dhe jemi gati të bëjmë maksimumin për këtë objektiv. Kemi ruajtur boshtin e skuadrës së sezonit të kaluar dhe kemi sjellë edhe futbollistë të tjerë cilësorë, duke shtuar alternativat, eksperiencën dhe rivalitetin në grup. Sot lëvizëm shumë mirë, zhbllokuam ndeshjen dhe çuam lojën në ato ujëra që donim.