Edi Martini mendon se Teuta, përtej pretendimeve për 11-metërsh, nuk fitoi nga vetëkënaqësi ndaj Skënderbeut pas barazimit 1 me 1 në shtëpi. Trajneri shkodran vë dorën në plagë, pikërisht te rastet e humbura.

“Humbëm shumë raste. Ishim më nervozë në pjesën e dytë. Gjithsesi, mendoj se këto ndeshje janë për të marrë pikë. Kam besim se në ndeshjet e ardhshme do të përmirësohemi. Kemi humbur 4 raste shënimi në pjesën e parë, po të jepej penalltia, shkonim 2-0. Nuk dua të justifikohem, por të shikojmë të rregullojmë gjërat për të ardhmen. Më duket se ishim të sigurtë që do fitonim. Kur nuk shënon, e pëson. Pas pësimit të golit, u bëmë nervozë, na bëri të mos jemi aty ku duhet. Pjesa e fundit e lojës, e kishim nënvlerësuar pak, qarkullonim vazhdimisht topin.”

Ndërsa trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, pas takimit të “Niko Dovanës” tha se skuadra e tij mund të merrte më shumë në këtë transfertë. T’i marrësh pikë Teutës në Durrës është një arritje jo e vogël për një që qëllimin kryesor ka të promovojë lojtarë të rinj.

“Ishim të vetëdijshëm për vështirësinë e ndeshjes. Teuta është skuadër me pretendime dhe me stabilitet. Shumica e lojtarëve te skuadra jonë, e kishin për herë të parë që luanin në Superiore. E prisnim një pjesë të parë jo shumë të mirë. Në pjesën e dytë edhe mund ta kishim fituar ndeshjen.”