SPAK ka dalë me njoftim zyrtar sa i përket aksioni të mëngjesit të së martës, ku iu caktua masa “arrest shtëpie” dhe “pezullim detyre” për kreun e SHISH, Vlora Hysenit.

Gjithashtu, po mëngjesin e sotëm u zhvillua dhe një kontroll nga agjentët e BKH-së në banesën e ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Gjithashtu kontrolle pati edhe në zonën e Shkozetit në një kompleks vilash.

Njoftimi i SPAK:

SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar,  me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:

  1. “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
  2. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
  3. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.

Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit, Durrës.

Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.