21 shtator 2015 – 88 mijë e 500 punonjësit e administratës shtetërore do të kenë penalitete deri në largim nga puna, nëse kapen pa marrë kuponin tatimor. 

Ky është urdhri i kryeministrit Edi Rama, i siguruar nga “Vizion Plus”, i cili është dërguar fillimisht pranë Ministrisë së Financave për zbatim. Më pas ky model do të shpërndahet në të gjithë administratën, përfshirë edhe institucionet e pavarura dhe njësitë vendore.

“Të gjithë nëpunësit, që ushtrojnë një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore (këtu e më poshtë referuar si nëpunësit) duhet të angazhohen në marrjen e masave për përmbushjen e detyrimit ligjor të marrjes së kuponit tatimor për çdo blerje ose përftim të shërbimit.”

Në këtë dokument specifikohet se Drejtoria e Tatimeve çdo tri muaj duhet të hartojë listën e personave qe ka gjobitur për mospajisje me kuponin tatimor. Më pas dokumenti i çohet për verifikim Departamentit të Administratës Publike, i cili konstaton nëse mes te ndëshkuarve ka apo jo nëpunës civilë.

Struktura përkatëse e burimeve njerëzore i raporton me shkrim eprorit direkt të nëpunësit ndaj të cilit është marrë masa e gjobës nga administrata tatimore. Dënimi me gjobë i nëpunësve për mosmarrje të kuponit tatimor sipas nenit 125 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore”, përbën shkak për fillimin e procedurave disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës.

Procedurat disiplinore që duhet të merren ndaj punonjësit të administratës publike shkojnë deri në pushim nga puna të tij, nëse ai është gjobitur në mënyrë të përsëritur nga tatimet për faktin se nuk ka marrë kuponin.

/portali DurresLajm/