Nga Doc. Kadri DINGU*

Vijon… Prindërit dhe motrat kërkuan që të na lironin, qanin dhe na ngjiteshin pas trupit për të na mbrojtur, por xhelatët i shkëputën me forcë. Në të dalë të portës, Osman Kazazi më tërhoqi dhe më shkëputi nga dy vëllezërit dhe me zë të lartë më thotë: “Ti Met, shko te pleqtë, se nuk je djalë i Hutëve; ty të ka sjellë plaka me vete”. (Osman Kazazi e njihte familjen tonë, sepse xhaxhai ynë ishte martuar me tezen e tij). Atë natë, bashkë me të dy vëllezërit e mi, arrestuan edhe Fadil Radën dhe Islam Allën që kishim komshi. Gjatë gjithë ditës së 4 shkurtit 1944 kërkonim se mos i gjenim vëllezërit të gjallë apo të vdekur, por më kot. Në mbrëmje, një miku ynë nga fshati Farkë na solli lajmin se, sipas thënieve të një ushtari gjerman, që ishte nga Kaukazi në pyllin e Saukut, në një gropë kishin hedhur shumë trupa të pushkatuar. Këtë ia tha edhe Qazim Mulleti dhc Osman Kukaleshi babait tonë, kur shkoi t’i takonte ata për lirimin e vëllezërve.

Më 5 shkurt 1944 ne dhe disa familje të tjera shkuam dhe e gjetëm gropën, por trupat e të pushkatuarve i kishin hequr. Fundi i gropës ishte mbuluar me gjak dhe aty ishin hedhur shumë sende të të pushkatuarve, si këpucë, xhaketa dhe sende të tjera. Aty gjetën xhaketat e dy vëllezërve dhe letërnjoftimet e tyre. Kjo familje i dha luftës tre djem dëshmorë: Ramiz Hutën, që ra në fushën e betejës në Çetën e Pezës dhe Haki e Maliq Hutën, të pushkatuar më 4 shkurt 1944. Po atë natë, kriminelët me Osman Kazavin arrestuan edhe dy intelektualë antifashistë, Ramiz Trenin dhe Sitki Çigon, të cilët i pushkatuan te mulliri i Fagëve në Rrugën e Dibrës, afër Medresesë. Ja, ky është Osman Kazazi që anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës të Partisë Demokratike të Sali Berishës, me në krye Albert Brojkën, e kanë shpallur “Qytetar nderi” dhe i kanë ngritur bust në bulevardin e qytetin tonë!
Të gjithë personat e tjerë të arrestuar, që nuk u pushkatuan, u burgosën në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, midis të cilëve fare pak u liruan pasi paguan qindra napolona flori, të tjerët u burgosën, ose u dërguan në kampet naziste të vdekjes. Nga ky operacion terrorist forcat mercenare të qeverisë kuislinge dhe të Ballit Kombëtar nuk mundën të arrestonin asnjë anëtar të Komitetit Qarkor të PKSH dhe të Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës.

Në këtë situatë të rëndë terroriste, në mëngjesin e 4 shkurtit 1944, sipas porosisë së Qarkorit të Partisë Komuniste mblidhen të gjitha celulat e saj dhe bëhet analiza e gjendjes së krijuar në qytet dhe përcaktohen detyra për ta hedhur popullin e Tiranës në aksione politike. Në orët e mesditës së 4 shkurtit 1944, Partia Komuniste e Shqipërisë shpërndau në të gjitha lagjet e Tiranës traktin e saj. Në të dënohej terrori i 4 Shkurtit 1944, njoftoheshin arrestimet dhe pushkatimet e bëra dhe i bëhej thirrje popullit për qëndresë ndaj pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, për vigjilencë dhe për unitet rreth Frontit Nacionalçlirimtar për çlirimin e vendit. Në traktin e shpërndarë, midis të tjerave thuhej: “Popull i Tiranës! Armiqtë duan të përkulin qëndresën tënde me terror, mblidh forcat e tua dhe me vendosmëri vazhdo luftën tënde heroike çlirimtare. Dije mirë, se vetëm rezistenca e luftës krijon Shqipërinë e pavarur dhe të lirë. Bashkohu sa më tepër rreth flamurit të luftës për liri kundër pushtuesit gjerman dhe bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë, ballistë e zogistë”.

Më 23 shkurt 1944 u arrestuan 4 ilegalë që kërkoheshin nga Policia Sekrete e qeverisë kuislinge dhe nga Gestapoja gjermane, zbuluar e spiunuar nga Gëzim Latifi, kriminel lufte.
Operacioni i arrestimit të tyre u drejtua nga Qazim Mulleti, Osman Kukaleshi dhe Said Matja, të cilët i pushkatuan 4 të rinjtë me duart e tyre në mes të rrugës, ku është sot lapidari.
Pas 4 shkurtit 1944 populli i Tiranës martire, duke përballuar me dhimbje të thellë humbjen e bijve të tij tregoi edhe njëherë shpirtin luftarak dhe të pamposhtur, duke forcuar edhe më tej unitetin rreth Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe rriti në një Shkallë më të lartë pjesëmarrjen në luftën për çlirimin e vendit, Kështu njësitet guerile rritën aksionet e tyre ndaj forcave pushtuese të gjermane, të qeverisë kuislinge e balliste. Qindra të rinj dhe të reja u hodhën në radhët partizane, ku luftuan heroikisht. Me dhjetëra të rinj ish partizanë, të riaftësuar (të plagosur e të sëmurë, të strehuar në Tiranë inkuadruan në njësitet guerile dhe, me përvojën e tyre të luftës partizane, luftuan me heroizëm deri në çlirimin e Tiranës.
Masakra e 4 Shkurtit 1944 damkosi me vulën e tradhtisë regjencën kuislinge me në krye Mehdi Bej Frashërin, qeverinë kuislinge të Rexhep Mitrovicës dhe organizatat e Ballit Kombëtar e të Legalitetit si terroristë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit nazistë gjermanë.

Kjo është e vërteta historike e masakrës së 4 Shkurtit 1944 në Tiranë. Zoti Uran Butka, me mashtrimet e tua dhe me ato të Partisë së Ballit Kombëtar vazhdoi të shtrembëroni dhe të mohoni të vërtetën e kësaj masakre. Në vazhdimësi të terrorit, forcat e policisë, të qeverisë kuislinge dhe personalisht Qazim Mulleti, Osman Kukaleshi e Said Matja më 28 Shkurt 1944 arrestuan 4 antifashistë në orën 11.00. Gjergj Frashërin, Viktor Gjokorecin, Traian Pekmezin dhe Skënder Kosturin duke i pushkatuar në orët e vona të natës, në afërsi të xhamisë së Zajmit, ku sot është ngritur lapidari i tyre. Sipas deponimit të Said Matjes në gjyqin e popullit në vitin 1945 policia kuislinge ishte informuar nga agjenti i tyre, Gëzim Latifi që njihej si aktivist i Ballit Kombëtar dhe ekzekutuar në vitin 1944.

Siç shihet shkrimi i zotit Uran Butka është kontradiktor akuzon për terror jo vetëm forcat e nacionalçlirimtares (terror i kuq), por edhe qeverinë kuislinge (për terror të zi të ekstremit të djathtë), që Balli Kombëtar bashkëpunonte me të, madje thotë, se tre ish – anëtarë të udhëheqjes kryesore të Ballit Kombëtar u futën në qeverinë kuislinge (kjo është e Vërtetë, të cilën edhe vetë këta tre persona e kanë pranuar në gjyqin e popullit, kur u dënuan për krime lufte ndaj popullit shqiptar).

Drejtuesi kryesor i Ballit, zoti Mit’hat Frashëri, porosiste që të mbronin Ballin Kombëtar, duke e paraqitur jo si bashkëveprues me qeverinë kuislinge shqiptare të Mitrovicës e të Regjencës së Mehdi Frashërit, që ishin mbështetësit kryesorë të pushtuesve nazistë gjermanë. Gjithashtu, ai shkon më tutje, kur thotë, se këtë veprim të Qeverisë Balli Kombëtar e bëri për të përmirësuar imazhin e saj të keq pas masakrës së 4 Shkurtit dhe për të siguruar mbështetjen e kësaj qeverie me para dhe me armatime, që Ballit Kombëtar i mungonin. Pra, Balli Kombëtar ishte bashkëpunëtor në tërë veprimet terroriste të forcave të xhandarmërisë dhe të qeverisë kuislinge. Nuk mund ta mohoni pjesëmarrjen e Kadri Cakranit, drejtues kryesor i forcave balliste, që kishte bërë krime të shumta në krahinat e Mallakastrës, Fierit, Lushnjës dhe, që më tej, bashkë me Xhafer Devën mori pjesë aktive në masakrën e 4 Shkurtit të vitit 1944 në Tiranë.

Gjithashtu, ju, zoti Uran Butka, me shkrimin tuaj përpiqeni jo vetëm të shfajësoni Organizatën e Ballit Kombëtar, por dhe qeverinë kuislinge në këtë masakër, duke paraqitur si autor kryesor të masakrës Xhafer Devën dhe, që pas masakrës u paska kërkuar zotërinjve Mehdi Frashëri e Rexhep Mitrovica
që të bënin ndryshime në qeveri, duke e larguar atë nga qeveria kuislinge, por që paskan dështuar nga mosmiratimi i kërkesës së tyre nga përfaqësuesi kryesor i Hitlerit në Shqipëri. Kjo tregon për qëndrimin dyfytyrësh tuajën; nga një anë e akuzoni këtë qeveri për terror të zi dhe, nga ana tjetër, akuzoni për këtë masakër vetëm Xhaferr Devën dhe mbroni qeverinë kuislinge.

*Historian-Veteran i LANÇ