Një projektvendim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, lidhur me materialet drusore dhe ato jo drusore sa i takon tregtisë apo etiketimit të tyre, vendos rregulla të reja.

Konkretisht bëhet fjalë për  projektvendimin“ Për Miratimin e Rregullave për trajtimin, shfrytëzimin, shitjen, eksportin, importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor dhe të prodhimeve jodrusore pyjore,  kategorizimin e rrugëve autopyjore, përdorimin dhe standardet teknike të tyre, si dhe kriteret për shënimin dhe etiketimin e prodhimeve drusore dhe për prerjet shfrytëzuese në sipërfaqet me filizëri të zhvilluar mbi lartësinë optimale” .

Në relacionin që shoqëron këtë draft thuhet se qëllimi i tij është përcaktimi i rregullave për trajtimin, shfrytëzimin, shitjen, eksportin (rastet e lejuara), importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor dhe të prodhimeve jodrusore pyjore, si dhe kategorizimi i rrugëve autopyjore, përdorimi dhe standardet teknike të tyre.

Relacioni parashikon të paktën shtatë objektiva që synohen të arrihen përmes projektvendimit:

1. Hartimi dhe miratimi i akteve, rregullave dhe dokumentacionit për zbatimin e ligjit 57/2020, datë 30.4.2020 “Për pyjet”, i ndryshuar;

2. Rregullimet teknike dhe ligjore lidhur me trajtimin dhe shfrytëzimin e pyjeve për material drusor dhe prodhimeve pyjore jodrusore, bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore (BMET), nisur nga zhvillimi i qëndrueshëm në sektorin e pyjeve, duke rregulluar marrëdhëniet në këtë sektor, rregullime që kanë ndikim thelbësor në cilësinë e mjedisit natyror;

3. Krijimi i një pakete bazë (sistemi) dokumentacioni teknik e ligjore për aktivitetet në pyje, duke patur parasysh pikësëpari ruajtjen dhe përmirësimin e potencialeve prodhuese, të ekuilibrave të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve gjenetike, regjimit hidrik, etj.;

4. Rritja e të ardhurave për njësitë e vetëqeverisjes vendore ose për strukturat përgjegjëse për administrimin e fondit pyjor, duke u mundësuar atyre të ri-investojnë në mirë administrimin, rehabilitmin, rigjenerimin, shtimin dhe monitorimin e fondit pyjor;

5. Rregullimi i procesit të administrimit dhe shfrytëzimit të pyjeve, në mënyra dhe intensitete të tilla që të ruajnë larminë e tyre biologjike, prodhimtarinë dhe kapacitetet ripërtëritëse, për të përmbushur tani dhe në të ardhmen funksionet ekologjike, ekonomike dhe shoqërore, pa shkaktuar dëme në ekosistemet e tjera.

6. Rregullimi i procesit të prerjes, transportit, shitjes apo edhe import-eksportin e materialit drusor/pyjor jodrusor dhe BMET.

7. Standardizimi teknik i rrugëve pyjore si infrastrukturë e domosdoshme në fondin pyjor./ Monitor