TIRANË, 25 shkurt 2013 – MASH-i u zë “pritë” maturantëve që synojnë të kopjojnë me celularë apo mjete të tjera komunikimi hi-tech.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi sot se më 12 mars do të zhvillojë tender për blerjen e pajisjeve të bllokimit apo zhurmimit të sinjalit telefonik në mjediset e zhvillimit të provimeve të maturës shtetërore.

Afati për dorëzimin e pajisjeve është një muaj nga nënshkrimi i kontratës, për të pasur kështu kohë në dispozicion për t’i shpërndarë zhurmuesit në të gjithë vendin.

Qeveria shqiptare ka nxjerrë nga buxheti i shtetit një fond prej 16,6 milionë lekësh për “mësymjen” kundër kopjacëve apo mësuesve të korruptuar.

Por tërheq vëmendjen dhe fakti që njoftimi publik i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është i mbushur me gabime drejtshkrimore!

Nuk dihet nëse në këtë dikaster të diturisë do të vendosen “pajisje” kundër punësimeve me njerëz të paditur në gjuhën shqipe.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/