Prej vitesh shihet si pasuesi i dy yjeve të futbollit botëror, Messi-Ronaldo, por në fushë, Mbappe nuk ka arritur kurrë të ngjitet në lartësinë e tyre, të paktën deri më tani. Ky ishte një tjetër shans që “gjeli” më i famshëm e shpërdoroi, doli sërish me kokën poshtë duke u eliminuar nga B.Dortmund.

Mbappe nuk arriti të gjente kurrë atë prekje fituese, nuk arriti kurrë të bënte diferencën. Sipas mediave ishte një nga lojtarët më pak të vlerësuar në këtë sfidë, nota 5. Ky ishte shansi i fundit për Mbappe të largohej si triumfator nga Parisi, të largohej drejt Madridit me një trofe të madh në duar, por sulmuesi francez nuk ia doli sërish.

Në 7 sezonet e tij në Paris, katër herë Mbappe u eliminua në fazën e 1/8, dy herë në gjysmëfinale dhe një herë dështoi në finale, ku Coman i dhuroi Bayern Munich trofeun e Champions League. Nga 2017, kur Mbappe zbarkoi në Paris, ka arritur të fitojë 6 herë titullin në Francë dhe 9 Kupa, por këto nuk janë shifra për një lojtar që pretendon të jetë pasuesi i dyshes Messi-Ronaldo. Nuk është pritur mirë ky eliminim edhe nga mediat në Francë: “Pa zjarr”, shkruan L’Equipe në faqen e parë, titull shoqëruar me foton e Mbappe.