10 shtator 2015 – Në minilulishten pranë hyrjes së portit këto ditë është instaluar monumenti i “mosketjerit” të katërt të muzikës moderne perëndimore, Bob Dilan. Vepra e derdhur në bronx nga skulptori Dylber Neziri i shtohet monumenteve të këngëtarëve legjendarë Xhon Lenon, Tina Tërner dhe Mik Xheger, të cilat janë vendosur aty, duke filluar nga viti 2011.

Katër vjet më parë skulptori Qazim Kërtusha u bë nismëtar i vendosjes së  monumentit të këngëtarit anglez Xhon Lenon, si simbol i lirisë për brezat e të rinjve që jetuan nën diktaturë. Në maj të këtij viti u përuruan edhe figurat në bronx të artistëve Tina Tërner dhe Mick Jagger, vepra të autorëve Ilmi Kasemi dhe Arben Pajo.

Një grup intelektualësh durrsakë i kanë sugjeruar bashkisë së qytetit të zhvendosë bustin e Dom Nikoll Kaçorrit, duke e instaluar atë në lulishten pranë portit, pranë bustit të Ismail Qemalit, punuar nga skulptori Haxhi Kalluci. Busti i zëvendëskryeministrit të qeverisë së Vlorës, punuar nga Qazim Kërtusha, është vendosur në këtë lulishte 13 vjet më parë.

/portali DurresLajm/