Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, do të mbërrijë në një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë ditës së hënë.

Mësohet se ai do të zbresë në Rinas rreth orës 09:00 të mëngjesit, dhe do të pritet nga vetë kryeministri Rama.

Erdogan dhe delegacioni i tij do t’i drejtohet Kurbinit, ku do të shohë nga afër ndërtesat e reja, produkt i ndihmës së Turqisë për rindërtimin. 524 apartamente të reja banimi që tanimë kanë përfunduar, do të përurohen nga Erdogan.

Presidenti turk mbërrin rreth orës 14:00 në Tiranë, ku do të ketë një takim në Kryeministri me kreun e qeverisë Rama.  Dy orë më vonë, Presidenti turk do të vizitojë Xhaminë e Et’hem Beut, e cila është restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Erdogan pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e parë plenare të sesionit të dytë të legjislaturës së X-të.

Në janar të një viti më parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u prit nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara.