Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 muaj e dhjetë ditë burg një 26-vjeçare të akuzuar për dhunimin fizik të gjyshes së saj 79 vjeçe. Sipas Gjykatës, e moshuara është qëlluar me një karrige druri nga e pandehura Z.D. në ambientet e banesës së saj, raporton sot “Panorama”.

Episodi i dhunës, i shënuar në prill të këtij viti, ka qenë pika kulmore e një marrëdhënieje të tensionuar mes të moshuarës nga njëra anë dhe mbesës dhe nënës së saj nga ana tjetër.

Ngjarja e lexuar në vendimin e gjykatës

Ditën e ngjarjes, mbesa i ka kërkuar gjyshes së saj 89-vjeçare të shkonte dhe të thërriste vajzën e saj, që jetonte në të njëjtën lagje, për t’u sqaruar. E dëmtuara i ka kërkuar ta linte të qetë. Meqenëse e moshuara nuk ka pranuar të thërrasë vajzën e saj, e pandehura është afruar pranë dhomës ku ajo rri, dhe i ka hapur derën me forcë. E dëmtuara ka dalë nga dhoma e saj në korridor për t’u sqaruar me të pandehurën, ndërsa kjo e fundit ka marrë një karrige që gjendej aty dhe e ka goditur të dëmtuarën me të në krah dhe te këmbët. E dëmtuara ka rënë në tokë dhe me pas ka njoftuar shërbimet e Policisë.

E moshuara kishte marrë një urdhër-mbrojtjeje më herët këtij episodi, që ndalonte mbesën dhe nënën e saj (nusja e djalit të të moshuarës) t’i afroheshin më shumë se 3 metra të moshuarës që jetonte në një nga dhomat e banesës, për shkak të pretendimeve të mëparshme për dhunë, shkruan “Panorama”.