Detaje të reja dalin në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, për të cilin policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar, Armand Shakaj 41 vjec.

Ky i fundit për t’iu fshehur kontrolleve rutinë të policisë, ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij brenda të cilit dyshohet të ketë qenë edhe 34-vjeçari deri në zonën e Ibës. Kjo ka ndodhur në datën 6 qershor, 1 ditë pasi u denoncua i zhdukur nga familjarët 34-vjeçari Koçi, raporton “tvKlan”.

Policia identifikoi pronarin e karrotrecit dhe e shoqëroi për ta marrë në pyetje. Ai ka pohuar se automjeti e kishte lënë pranë një servisi në zonën e Ibës, pasi Shakaj i kishte thënë se makinën e kishte me defekt. Prej andej, thotë dëshmitari, nuk di se çfarë ka ndodhur pasi është larguar dhe nuk kishte ide se çfarë kishte brenda në makinë.

Ndërkohë, brenda ambientit të zyrës ku është mbajtur Koçi, janë gjetur mbetje baruti, por që grupi hetimor pret përgjigjen e ekspertizës për të përcaktuar çfarë ka ndodhur.

Prej ditësh policia është fokusuar në 2 drejtime kontrolli, së pari për të gjetur 34-vjeçarin Eglant Koçi në rrethinat e Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit si dhe gjetjen e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim, Armand Shakaj. Burime bëjnë me dije se 41-vjeçari, gjatë ditëve të fundit ka ndryshuar 6 numra celulari, në përpjekje për të mos u lokalizuar.