Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, duke folur për skemën e re sociale për pajisjen me abone falas për të gjithë pensionistët e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se deri më tani rreth 30 mijë prej tyre kanë përfituar abonenë falas.
Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt pensionistët do të pajisen me Kartën e Pensionistit, e ngjashme me kartën e studentit, e cila ofron shumë shërbime të tjera në qytet, me çmime të reduktuara.
“Historia e abonesë për pensionistët pati një interes të jashtëzakonshëm. Pasi bëra konsultën e parë me përfaqësues të shoqatave të pensionistëve, të të gjithë njësive, një nga propozimet ishte: Pse nuk bëjmë një kartë të pensionistit, ashtu siç kemi kartën e studentit? Studenti nuk merr vetëm abonenë dhe gjysmën e konviktit, por edhe ulje në çmime në shumë prej dyqaneve, minimarketeve, supermarkete, kinkaleri etj. Besoj që për gjyshërit tanë çdo kursim në çdo shërbim apo në çdo shpenzim është diçka e dobishme“, tha Veliaj.
Ai u bëri apel pensionistëve që të mos krijojnë radhë, pasi ka abone për të gjithë.
“Po të kalosh tani është bosh kioska e aboneve. Nuk ka nevojë të shkojnë të gjithë në 07.00 të mëngjesit. Duhet edhe pak sensibilizim, për sa kohë që është e hapur gjatë gjithë ditës. Kemi abone për të gjithë, nuk ka një limit. Vetëm në muajin e parë jemi mbi 30 mijë. Do vijojmë të shohim kuotat dhe do jemi të gatshëm për t’u përgjigjur edhe me kartën e pensionistit. Besoj që ky është një super lajm për gjyshet e gjyshërit tanë”, – tha Veliaj.