Numri i viktimave nga shpërthimi i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka kaluar shifrën 900, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga autoritetet shëndetësore të vendit.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë konfirmuar 2.344 raste me Ebola, ndërsa 930 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit. Aktualisht, 724 pacientë ndodhen në izolim ose janë duke u trajtuar në spital, ndërsa 466 të tjerë janë shëruar.

Sipas ministrisë, shkalla e vdekshmërisë ka arritur në 39.7 për qind, ndërsa gjurmimi i kontakteve të rasteve të konfirmuara është realizuar në 85.8 për qind.

Shpërthimi, i shpallur më 15 maj, ka prekur pesë provinca: Haut-Uele, Ituri, Kivu Verior, Kivu Jugor dhe Tshopo. Provinca Ituri mbetet epiqendra e epidemisë së shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, ku transmetimi në komunitet vazhdon.

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) bënë të ditur se ekipet në terren, autoritetet shëndetësore dhe partnerët ndërkombëtarë po vazhdojnë bashkëpunimin për të vënë nën kontroll shpërthimin.