Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tha sot (29 qershor) në fjalën e tij se teknologjia digjitale dhe rrjetet sociale qarkullojnë një sasi të madhe informacioni, ndërsa drejtësisë i duhet të përshtatet dhe të bashkëpunojë në komunikimin publik, pavarësisht sfidave që ka.

Në fjalën e tij përshëndetëse në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, para magjistratëve të rinj, ai e cilësoi si pjesë të sfidave raportin e drejtësisë me median në përcjelljen e informacioneve, që shpesh janë edhe në diskrecion.

“Gjetja e rrugëve më të përshtatshme dhe institucionale për vendosjen e rrugëve të komunikimit mes publikut dhe tyre. Dikur ndërmjetësi mes opinionit publik dhe institucionet ishte media tradicionale. Format analoge të komunikimit kufizonin sasinë e informacionit. Zhvillimi i teknologjisë dixhitale shkundi nga themelet modelin e vjetër, informacione të pafundme qarkullojnë dhe përhapen me shpejtësi marramendëse, me përmasa të paimagjinueshme nga disa dekada më parë. Shkalla globale e rrjeteve sociale ka mundësuar krijimin e shesheve virtuale të debatit publik, që kapërcejnë lehtësisht kufijtë fizike. Në këtë kontekst mendoj se duhet trajtuar edhe raporti publik i institucioneve të drejtësisë ,në raport me median, në këtë komunikim të rëndësishëm”, tha ai mes të tjerave.

Më tej ai foli edhe për situatën e mbingarkesës së çështjeve në systemin e drejtësisë dhe rëndësinë për t’ia përcjellë publikut informacionin nëpërmjet medias.

“Teknologjia me përhap informacionin me shpejtësi. Nuk është e lehtë për institucionet të përshtaten në kohë, aq më tepër institucionet e drejtësisë. Por duhet të gjejnë ekuilibrin, që lind nga nevoja për të qenë të besueshme për publikun. Sistemi jonë i drejtësi është duke kaluar ende një fazë komplekse. Mbingarkesa do ndikojë organet e drejtësisë ende. Por çdo prokurori ka faqen e saj të informacionet ku klikohet. Ka postime në anglisht dhe shqip, që nga viti 2022. Me gjithë këto zhvillime pozitive ka ende shumë sfida për të kapërcyer. Sikurse rritja e besimit të publikut te drejtësia dhe bashkëpunimi me media. Transparencë dhe besueshmëri tek publiku. Çështja kryesore është se sa d e ruajmë ne integritetin e institucionit përballë presioneve”, vijoi Çela.

Kryeprokurori vlerësoi se sistemi i drejtësisë ndodhet ende në një fazë komplekse transformimi dhe se rikuperimi i besimit të publikut, i cili sipas tij ka arritur nivele rekord të ulëta në 10–15 vitet e fundit, është një proces që kërkon kohë.

“Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t’u përshtaten në kohë transformimeve, aq më tepër për organet e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë po kalon ende një fazë komplekse transformimi shoqëror. Modernizimi i formave dhe strategjisë së komunikimit është kthyer në domosdoshmëri”, u shpreh ai.

Në fund ai pati edhe një mesazh për magjistratët e rinj që diplomohen:

“Magjistratët që diplomohen sot padyshim do sjellin një frymë moderne në raport të komunikimit me median dhe publikun por edhe në rritjen e besueshmërisë”, përfundoi kryeprokurori.