VATIKAN, 23 shkurt 2013 – Llogaria e Papës në “Twitter”, @pontifex, do të mbyllet, kur Papa Benedikti XVI të lërë detyrën, raporton CNN, duke cituar radion e Vatikanit. 

“Duket e paimagjinueshme që mund të vazhdojnë të përdorin një mjet komunikimi kaq popullor dhe të fuqishëm, kur Papa të japë dorëheqjen,” ka thënë Radio Vatikani, pa dhënë informacion, nëse pasardhësi i Benediktit XVI do të vazhdojë të përdorë “Twitter”. 

Papa ka njoftuar kohët e fundit se do të japë dorëheqjen, duke përmendur moshën e vjetër, si arsye kryesore. Kjo është dorëheqja e parë në shekuj, sepse Papa i fundit që dha dorëheqjen ishte Papa Gregori XII në 1415. 

Për tre muaj pas hapjes së llogarisë në “Twitter”, Papa Benedikti XVI ka grumbulluar më shumë se 1.5 milionë ndjekës. Numri i përgjithshëm i postimeve të dërguara nga Papa është shumë i ulët, deri më tani janë postuar vetëm 36 mesazhe. 

Ka të ngjarë që Papa të dërgojë një mesazh të fundit më 27 ose 28 shkurt, para se të dalë në pension, bëri të ditur radio Vatikani.