*Mjeshtër amerikanë dhe specialistë shqiptarë përgatiten për përballimin e emergjencave të ndryshme detare
Nga Shefqet Kërcelli
Më datën 16 dhjetor në Qendrën e Simulimeve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua faza finale e stërvitjes “Delfini-2015”. Në këtë stërvitje të drejtuar e organizuar nga QNOD, {Qendra Ndërinstitucionale Detare Operacionale} dhe Qendra e Simulimeve, morën pjesë specialistë të institucioneve përbërëse të kësaj qendre, koordinatorë dhe specialistë nga Forca Detare, Policia Kufitare, Kapitaneria e Porteve, Antikontrabanda Detare, personel i Forcave Ajrore, Inspektorati i Peshkimit, Inspektorati i Mjedisit, Qendra Kombëtare e Emergjencave, etj. Për mëse një javë, pjesëmarrësit mbi bazë të skenarëve të parapërgatitur për situata të ndryshme në det, provuan aftësitë vendimmarrëse e organizuese të tyre në lidhje me variantet e parashikuara si dhe përdorimin efikas të mjeteve në përdorim. Shefi i trajnimeve në QNOD, zoti Petrit Baduni dhe Koordinatori i FD-së në këtë Qendër, Kapiten i Rangut të III-të, Urim Bulica, sqaron se, e veçantë e kësaj stërvitjeje ishte se u planëzuan dhe realizuan variante taktike të operacioneve të kërkim-shpëtimit SAR si dhe ato kundër trafiqeve njerëzore, të cilat përkojnë dhe me situatat aktuale rajonale, nga të cilat vendi ynë nuk është i përjashtuar. Me theks të veçantë u pa bashkëveprimi midis të gjithë aktorëve shtetërorë që veprojnë në det gjatë këtyre operacioneve, dhënia në kohë optimale e ndihmës për personat në rrezik, përzgjedhja e mjetit më të përshtatshëm, monitorimi i situatave komplekse të krijuara nga këto emergjenca detare, kërkim-shpëtimi në përputhje me Manualin SAR, ndërveprimi dhe bashkëpunimi i të gjitha agjencive përgjegjëse për menaxhimin e këtyre situatave, etj.
Gjithashtu, në stërvitjen “Delfini-2015”, vend të veçantë zunë situatat dhe operacionet për kontrollin e kufijve detarë, si ato për kalimin e paligjshëm të qenieve njerëzore e refugjatëve gjatë kufirit detar, rastet kur në bordet e anijeve ka dhe persona të armatosur, por dhe rastin kur vetë anija pëson avari dhe e rëndon më tepër situatën detare. Në përputhje me situatat e dhëna nga koordinatorët e stërvitjes u përcaktuan dhe mjetet e Forcës Detare, të Policisë Kufitare, Antikontrabandës dhe Kapitanerisë, që u përdorën në çdo rast. Është stërvitja e tretë që institucionet tona detare zhvillojnë në Qendrën tonë të Simulimeve, një nga asetet më të mira të FA, që i ka dhënë frymëmarrje të veçantë gjithë procesit stërvitor në ushtrinë tonë. Madje spektri i veprimeve të saj e ka zgjeruar shtrirjen deri në rajon, siç ishte stërvitja “Joint Reaction-2015”. Major Lulëzim Salihi, një nga specialistët e Qendrës së Simulimeve që në krijimin e saj, theksoi se, që nga stërvitja “Pulëbardha-2014”, “Adrijon-2015” deri te “Delfini-2015”, ka një përmirësim të procedurave dhe rritje të aftësive profesionale të personelit të këtyre institucioneve. “Sigurisht në situatat që japim në monitorë përpiqemi t’i përafrohemi ngjarjeve reale në det. Gradualisht, Qendra e Simulimeve po familjarizohet me skenarë të tillë, anasjellas dhe detarët shqiptarë ndjehen mirë gjatë ushtrimeve në kabinetet dhe sistemin dixhital të Qendrës. Stërvitjet në Qendrën tonë, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, kanë mjaft vlera në të gjitha aspektet stërvitore”, thotë majori. Së pari shkurtohet koha e stërvitjes, ulet kostoja e saj disa herë, mënjanohet dëmtimi i mjedisit, zbatohet standardet e NATO-s për këto lloj stërvitje, gjithashtu, si Drejtuesit e operacioneve apo Komandantët e anijeve dhe sikur te bëjnë gabime në vendimmarrje, kanë mundësinë t’i korrigjojnë ato, pa shkaktuar konsekuenca në ecurinë e operacionit, siç mund të ndodhte në një situatë reale. Nën drejtimin e specialistëve amerikanë, ish-ushtarakë, {Tony Darlington e Dee Esplind}, si dhe personelit të Qendrës së Simulimeve, u arrit që të realizohen objektivat e stërvitjes, ku bazë ishte përmirësimi i aftësive individuale dhe bashkëveprimit midis institucioneve tona ligjzbatuese në det, gjatë misionit dhe detyrave të tyre parësore.
Në konkluzionet e stërvitjes pjesëmarrësit falënderuan personelin e Qendrës së Simulimeve dhe nxorën disa mësime për t’i korrigjuar në të ardhmen si, dhënien në kohë të situatave, saktësimin e koordinatave të objekteve të ndryshme në det, futjen e shpejtësisë reale të çdo mjeti detar në Database, përmirësimin e legjislacionit e rregulloreve, të sistemeve të komunikimit, shkëmbimi i informacionit, përdorimi i helikopterëve për zbulim detar, përafrimi i punës nga ajo ç’ka bëjmë te Qendra e Simulimeve me zbatimin e detyrave funksionale në QNOD, etj.
Kapiten Besnik Deda e vlerësoi këtë stërvitje si një eksperiencë të re dhe me perspektivë në përgatitjen e personelit të institucioneve detare të shtetit shqiptar. Nuk është e paktë të përgatisësh dhjetëra kuadro e specialistë në përballimin e emergjencave të ndryshme detare, theksoi kapiteni. Ndërsa Drejtori i Antikontrabandës Detare, zoti Ylli Hatellari nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve detare, verifikimin e saktë të situatave e objekteve dhe planifikimin e aseteve të duhura për çdo operacion.
“Delfini-2015”, mbylli siparin e 13 stërvitjeve të zhvilluara në Qendrën e Simulimeve gjatë vitit 2015. Në këtë kuptim, kjo qendër është nga më produktivet në Forca tona të Armatosura.





