REPORTAZH EKSKLUZIV NGA SHEFQET KËRCELLI*
(vijon nga datat 22, 23, 24 shtator 2015)
25 shtator 2015 – Në historinë moderne Shëngjini trashëgoi dhe një pasuri tjetër, bazën ushtarako-detare (BUD) me një histori të lavdishme 46-vjeçare.
FILLESAT
Fillesat e BUD-it janë në mars të vitit 1962, kur disa metra në veri të ish-portit të vjetër, u vendos një bateri topash 85 m/m, me komandant Nebi Çelën, si e para mundësi për mbrojtjen e bregdetit shqiptar. Krahas baterisë ABD, u vendos dhe një PSV, që bënte vëzhgimin e hapësirës detare, kujton veterani Fadil Dushku, (një detar i vjetër, mbi 40 vjet në det, banor i kësaj zone). Fadili ka punuar me anijen “Erzeni”, e cila, krahas detyrës si anijeshenjë për baterinë bregdetare, bënte patrullimin e rajonit detar nga kepi i Rodonit në Bunë. Më pas i pari që bregëzoi KS (kater silurues) në bankinën e thjeshtë të bazës veriore, në prillin e vitit 1969, ishte oficeri i ri tepelenas Astrit Muhaj, pastaj me radhë Kastriot Bejko, Bilal Koçi, Met Karashabani, Ismet Bilali. Pas ndërtimit të dy moleve të reja në vitin 1973, erdhën dhe 6 KS, duke formuar kështu 3 skuadrilje KS, me komandantë Llesh Kiku, Skënder Dule dhe Hasan Onuzi. Detyra kryesore e ish-bazës Shëngjin ishte ruajtja dhe mbrojtja e gjirit të Drinit, në bashkëveprim me forcat e tjera gjitharmëshe, pa harruar zbatimin e detyrave të kohës së paqes, operacionet humanitare, etj.
NGRITJA
Në mars të vitit 1974, filloi aktivitetin BUD-i i Shëngjinit, i cili në krijimin e tij kishte këtë strukturë organizative: RKS, GrAML, grupin minavënës, repartet speciale dhe ato logjistike. Bazë ishte skuadrilja e dytë e KS me 6 KS tip kinez, me krah të nënujshëm të dislokuar në portin e Shëngjinit më 6 gusht 1969. Komandant i bazës u caktua Robert Bali, komisar Lutfi Gjika dhe shef shtabi Kristaq Çito. Komandant i RKS-së ishte Aleko Dede dhe komisar Bardhyl Shehu. Në grupin AML, u caktua komandant Zisi Anastasi dhe komisar Skënder Dule, më parë Flamur Ganai. Duhet theksuar se në këtë bazë erdhën disa oficerë nga Durrësi e Vlora, të cilët kompletuan anijet dhe shtabet. RKS-ja kishte 3 KS të ardhura nga Durrësi. Në vitin 1975 Gr.AML, u kompletua me 3 GJDV tip kinez dhe një katër kufiri. Grupi minavënës kishte 6 anije peshkimi të modifikuara për marrje minash. Komandant grupi ishte Hasan Onuzi. Baza është dekoruar nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Shërbimit Ushtarak të Klasit të Parë”. Pjesëtar i bazës ishte dhe Fran Ivanaj “Hero i Popullit”, komandant i MP “Islam Mustafa” i cili nuk lejoi rrëmbimin e kësaj anijeje nga shovinistët serbo-malazezë. Shokët e armës nuk e lanë vetëm. Dy KS i shkuan në ndihmë MP-së, por nuk arritën ta shpëtonin Franin, ndërkohë që nuk lejuan rrëmbimin e anijes.
Bashkë me forcat e xhenios, efektivi detar i bazës me punë vetëmohuese. Në vitet 1972-1988, u ndërtuan tunelet e bazës Shëngjin. Ka tri hyrje që komunikojnë me detin, të kompletuara me rrjetin elektrik. Në të mund të futej pothuajse gjithë formacioni i luftimit i bazës, konkretisht KS, silurat, minat, ofiçinat, etj. madje dhe drejtimi i operacioneve mund të bëhej nga tuneli. Palombari i vjetër Shkëlqim Driza, që ka punuar disa vite rresht në këto tunele, flet me respekt për punën e qindra xhenierëve që në kushte të vështira, duke rrezikuar dhe jetën, punuan për hapjen e tyre.
“U realizuan shpime me sondë, shpërthime nënujore, ndërtime bankine, godina, që, kur i kujtoj tani, më ngjethen mishtë si kemi shpëtuar”, thotë ai.
Shkëlqimi kujton me respekt komandantin e batalionit xhenier Maks Milaqi, komisar Pajtimin, inxhinier Vangjel Lenën, si dhe anijethelluesen “Rodoni”. Në vitet 1982-1988, me punë e sakrifica vetëmohuese, u bë hapja e tre tuneleve dhe infrastrukturës tjetër të bazës. Kapiteni i paharruar durrsak, i ndjeri Zija Biduli, ishte shembulli, frymëzimi dhe modeli i të gjithë efektivit që punoi në këtë bazë. Kapiten autoritar, fisnik, i respektuar nga të gjithë. Shembullin e tij e ndiqnin dhe më të rinjtë, si kapiten Lulëzim Hate, etj. (të zgjeruar këtë pjesë e gjeni tek “Antologji e detarisë shqiptare”, vëllimet 2 dhe 3).
SOT
Gjatë viteve të fundit efektivi i reduktuar i bazës është përpjekur për të ruajtur territorin e bazës, por dhe për të zbatuar detyrat në det. Me punë ata e kanë mirëmbajtur atë duke shpresuar në të ardhmen e saj. Krahas kësaj kapter Tonin Pepa bashkë me operatorët e Qendrës së Vëzhgimit Detar në Plepa të Durrësit, jep pa ndërprerje informacion mbi situatën detare në zonën veriore. Por s’mjafton me kaq, sepse ky vendbazim ka dhe anije të gatshme të Rojës Bregdetare, të cilat në më se 5 raste kanë ndihmuar anijet e peshkimit të rrezikuara në bashkëpunim me policinë kufitare. Në këto operacione kanë marrë pjesë disa kuadro si kapiten i rangut III Rezart Bajollari, kapitenlejtënantët Ilirjan Asllani, Ervin Muçka, Aranit Demçe; major Gjon Dedgjoni; nënoficerët Fran Lleshaj, Hilë Marku Sabri Idrizi, Skënder Elezi, Florian Tafaj, Shkëlzen Hoxha, Akustin Dragaqi, Selman Hamza, Hysen Peposhi, Agim Tahiri, Ilirjan Pali, etj. Komanda e Forcës Detare e ka parë domosdoshmëri mbajtjen e anijeve të gatshme në këtë bazë, pasi kontrollohet gjitha trafiku nga derdhja e Bunës deri në Rodon. Ndërkohë që nga viti në vit shtohet transporti, peshkimi, turizmi, gjë që kërkon rritjen e sigurisë detare. Ndaj anija “Lissus” e ka strehën e vet në këtë bazë. Anija patrulluese “Lissus” ka zhvilluar stërvitje bordimi, manovrim, furnizim në zonën e saj të përgjegjësisë. Ajo tashmë molet e bazës i ka si shtëpinë e vet. Çdo vizitë të saj qytetarët shëngjinas e shohin si forcim të pranisë së shtetit, ndaj shohin nga afër çdo hyrje dalje të saj dhe kanë dëshirë ta vizitojnë, ta prekin. “Lissus”-in” ata e shohin si qytetarin më të ri, një vlerë të shtuar të bazës dhe qytetit. Njëkohësisht ata mirëpresin dhe djemtë e kësaj anijeje simbol për zonën. Forca Detare zhvilloi vitin e kaluar një aktivitet mbresëlënës me detarët e Sarandës për të promovuar anijen “Butrinti”. Gjykoj se një aktivitet i tillë duhet zhvilluar dhe me anijen “Lissus” në Shëngjin. Banorët e saj e presin me padurim. Mjaft qytetarë kishin dëshirë të vizitonin “Lissusin”, e quanin si pjesë të tyre, jo thjesht nga emri, por për faktin se Shëngjini për numër popullsie ka më shumë detarë.
PËR NJË KOMPLEKS USHTARAK-HISTORIK-TURISTIK
Por, ndërsa shoh gatishmërinë e këtyre njerëzve për gjithçka që lidhet me detin, pamja që të afron infrastruktura e bazës, le për të dëshiruar. Të them të drejtën, e kam vizituar bazën për mbi dy dekada, por këtë radhë ndjeva trishtim. Ka disa vite që sipërfaqja e bazës është tkurrur, duke i rrëmbyer nga një copë kush të mundet. Trajtimi i pronave ushtarake gjatë këtyre 25 viteve ka qenë një turbullirë ligjore dhe administrative. I vetmi ligj i mirë dhe Vendim i Këshillit të Ministrave ka qenë ai i vitit 1992, për të mundësuar strehimin e ushtarakëve në disa objekte ushtarake gjysmë të rrënuara, zgjidhje emergjente. Por dhe kjo ishte gjysmake, pasi ata mund të privatizonin vetëm truallin e shtëpisë dhe për të dalë në rrugë duhet të fluturonin. Nga kjo kanë përfituar shumë pseudopronarë, që në kohën e sistemit monist kur kërkonin punë në administratë ose pranoheshin në parti, deklaronin se s’kemi një centimetër katror tokë. Tash me dëshmitarë të blerë kanë përfituar vend e pa vend. Në trajtimin e pronave ushtarake nuk ka pasur vizion, projekte dhe masterplane transformuese për to nga lidershipi ynë politiko-ushtarak, gjë që u le vend spekulimeve. Janë hequr nga puna specialistë inxhinierë e topografë që mund t’u jepnin drejtim këtyre punëve. Nga mosshfrytëzimi i tyre shteti shqiptar ka humbur dhe humbet miliona. Mjaft prej tyre mbas viteve ’90 mund të ishin bërë dhe baza të NATO-s, por politikuejtë tanë vazhduam avazin, hidhnin vickla. Disa ushtarakë që i parashikuan këto zhvillime nuk i dëgjoi kush. Tani NATO-ja ka avancuar për shkak të situatave, kushteve e strategjive të reja, ka shtete të tjera në lindje që i falin baza të tëra, ku e ku me tonat. Ndaj tani ne duhet të përpiqemi vetë për t’i transformuar e për t’i bërë atraktive, jemi të vonuar. Në rastin konkret baza e Shëngjinit mund të kthehet në një kompleks ushtarak-historik-turistik. Ka pozicionin dhe kushtet më të përshtatshme për këtë. Në fakt pata hedhur një ide 15 vite më parë për të bërë një muze të Luftës së Ftohtë në Vlorë, por këtu mund të realizohet më lehtë. Me një grup pune të përbërë nga topografë, ekonomistë dhe historianë ushtarakë mund të realizohet një projekt tepër dobiprurës për shtetin shqiptar, duke përshtatur infrastrukturën e tij për këtë qëllim. Rifreskimi i infrastrukturës nuk mund të bëhet në mënyrë empirike, por mbi masterplane të rregullta gjeo-hartografike, ku të shpaloset e gjithë hapësira e marrë në studim, dokumente që shpalosin zhvillimin e saj në të ardhmen. Një masterplan i kësaj baze duhet të shtjellojë në pamje dhe shtrirje, planin afatgjatë të mjediseve, planin e vendosjes e përshtatjen e ambienteve për një kompleks të tillë. Ai është një studim i gjithanshëm që ka dorën e modelimit nga specialistët topografë, hartografë, urbanistë e historianë ushtarakë. Theksoj ushtarakë, se ne kemi pasur një elitë ushtarake që qëndronte e qëndron shumë më lart intelektualisht se zboristët e Mamurrasit. Nga një vëzhgim dhe përllogaritje e thjeshtë, duke pasur eksperiencën e muzeve të këtij lloji në vendet e NATO-s, unë i them opinionit se vetëm tre muajt e verës shteti shqiptar mund të futë në arkën e tij nga 40 milionë lekë të reja në muaj, ndërsa muajt e tjerë 5 deri në 10. Përfitimet janë të shumta. Në një mol mbajmë anijet e gatshme, “Lissus”-in, “Archangelat”, etj. dhe hapësirat e tjera i shfrytëzojmë për muzeun dhe ambiente për turistët. Atje ke çfarë të tregosh. Dhe në ato kushte mjerane kishte interes. Pashë që nëpërmjet repartit, tokë shtetërore, kalonin mijëra makina në ditë për tek “Rëra e hedhur”. O zotëri, të kalosh traun e e repartit duhet të paguash një taksë, e jo të bësh karshillëk! Këta persona që tek hotelet lenë dhjetëra mijëra lekë, s’e kanë problem t’i paguajnë shtetit 2-3 mijë lekë të vjetra. Pra, kjo është C-ja e famshme, kapitali fillestar, që ne e lëshojmë kot! Duke zbatuar politika të tilla ekonomike mund të riparohet krejt infrastruktura e bazës dhe të kompensohen dhe disa pronarë të ligjshëm atje. Me një kompleks ushtarak-historik-turistik mund të thithen mijëra turistë të huaj, njëherësh punësohen dhe dhjetëra qytetarë të Shëngjinit. Në qoftë se bëhet kjo, bashkë me përmirësimet në infrastrukturën e qytetit dhe masa të tjera në nivel lokal e rajonal, Shëngjini mund të konkurrojë Ulqinin.
* Ish-ushtarak, studiues, historian, gazetar, operator, bashkëpunëtor i portalit “DurresLajm”.
(Vijon)
/red. th. m. portali DurresLajm/





