REPORTAZH EKSKLUZIV NGA SHEFQET KËRCELLI*

(vijon nga datat 22, 23, 24, 25 shtator 2015)

26 shtator 2015 – Vërtet Shëngjini, ky qytet historik, ka shumë pasuri natyrore, detare, ekonomike, por, në të vërtet, pasuria më e çmuar e tij janë detarët e tij, që janë bërë të tillë, pasi kanë shërbyer në bazën ushtarake detare. Këta bij të detit i gjeje kudo: në anijet luftarake, të peshkimit, tregtare, në forcat e sigurisë së portit, në sigurinë e hoteleve, menaxherë e pronarë lokalesh. Në qoftë se para viteve ’90 baza i jepte frymëmarrje qytetit, tani janë detarët shëngjinas që i japin frymëmarrje këtij qyteti në të gjithë arteriet kryesore të këtij sezoni turistik. Ata përbëjnë shtresën më punëtore, profesionale dhe mikpritëse të këtij qyteti të vogël. Duket se baza i ka shërbyer si shkolla më e mirë e jetës.

– O GJYSH, UNË DO BËHEM KAPITEN SHQIPTAR!

Atë buzëmbrëmje gushti 2015 mbasi përshëndes rojën e postbllokut Pr-2 Ilirjan Pali, nën shoqërinë e kapiten Silvanit, shëtisim në rrugën kryesore të Shëngjinit, të mbushur me lokale të shumta. Në fakt, unë desha të bashkoja një kapiten të vjetër dhe të ri. Në lokalin e Prel Stakajt, marinar i vjetër, na priste kapiteni i vjetër Selim Allajbeu, ish-komandant i bazës dhe poet. Bashkë me kapitenin e vjetër ishte dhe Kapllan Zhejani (xhaxhi, si i thërrasin të gjithë), një nga dashamirësit më të mirë të detarëve. Kapllani, një qytetar i nderuar në Shëngjin e flotë, ishte shoqëruar nga djali i tij i madh Melsi, tashmë emigrant në Angli me fëmijën e tij shqiptaro-anglez, Majëlls. Biseda rrjedh natyrshëm për punën, shëndetin, detarinë, bazën, pushimet, etj. Ka një veçori tash në verë më thotë xhaxhi, lezhjanët shkojnë në Shirokë, shkodranët vijnë këtu. Ne hamë karas për krap, ata hanë kancelat për peshk deti. Duke dëgjuar këto biseda, me atë shqipen e thjeshtë Majëllsi i vogël i thotë Kapllanit:

– O gjysh, unë do bëhem kapiten shqiptar!

– Po, – ia kthyem njëzëri, madje, që nesër do të jesh mik tek anija “Lissus”.

Me  ndjesinë dhe ëmbëlsinë e këtyre fjalëve të djaloshit anglo-shqiptar Majëlls, vazhdojmë shëtitjen atë buzëmbrëmje. Pushues të shumtë shijonin jodin dhe kënaqësinë që të jep një natë shëngjinase. Me fjalët, sjelljen, veshjen dhe ecjen e tyre përpiqeshin të ishin vetvetja. Në fakt Shëngjini më tepër të afron rërën e veçantë dhe gatimet e prodhimeve të detit, sepse mundësitë e tjera për argëtim janë të kufizuara. Pavarësisht kësaj, në fytyrat e tyre shprehej kënaqësia që për pak ditë ishin në Shëngjin. Por koha e miqve të mi ishte e kufizuar dhe ndërsa Silvani shkoi në anije, Selimi me Kapllanin kishin miq në shtëpi. Kështu i uruam natën e mirë, njëri-tjetrit.

DETARË E BANORË TË ARSIMUAR NGA GJITHË VENDI

Në shëtitoren “Wilson” po më prisnin përsëri miq të vjetër. U gëzova që emrin e portit “Wilson” tani e mbante shëtitorja kryesore. Detarë të tjerë do të ishin pjesë e shëtitjes në këtë mbrëmje të bukur. Qyteti ruan bukurinë e tij karakteristike në çdo stinë të vitit. Erërat e forta në dimër kombinohen me mikroklimat e natyrën e qytetit bregdetar verior. Kështu bashkë me kapitenët Skënder Haruni, Nazmi Shahini, Idriz Byku dhe Festim Zotaj, vazhduam ta shijonim atë mbrëmje gushti plot vapë. Skënderi ka shërbyer shumë vite si oficer në bazën e Shëngjinit, madje dhe familjen e ka pasur në këtë qytet deri vonë. Ai, bashkë me këta detarë, tani shërbejnë si oficerë lundrues në anijet tregtare “Koravi” dhe “Bergfjord” me pronar Mark Gjinin (Pukjani), të cilat po përpunoheshin në port. Atje me shërbim ishin dy marinarë me përvojë Mikail Suku dhe Agron Curri. Kapiteni kujton marinarët e bazës, kurorën me pisha në sistemin kodrinor të qytetit, e cila u mboll nga efektivi i bazës në vitin 1980. Por gjurmët e marinarëve të bazës së Shëngjinit ndjehen kudo, thotë ai. Para 40 viteve gjetëm një qytet me baraka të vogla, ku strehoheshin peshkatarë të vjetër dhe barinj, por tepër mikpritës e miqësorë. Në disa dekada ngritën një qytet të bukur me detarë e banorë të arsimuar nga gjithë vendi. Ata kanë marrë dhe kanë dhënë në këtë qytet ashtu si enët komunikuese. Ndërsa morën erën dhe valët e detit, dashurinë dhe miqësinë e malësorëve të Shëngjinit e rrethinave, i dhanë qytetit-port rininë e tyre, vlerat më të mira profesionale e qytetare, ndanë me komunitetin hallet, dijen dhe kulturën e fituar në vite, duke e formësuar në bërthamën e tij këtë qytet të vjetër. Mjaft detarë të bazës, pavarësisht nga rrethe të tjera, kanë zgjedhur të jetojnë në Shëngjin, ku janë integruar me aktivitetin e këtij qyteti.

– Mos harro të përmendësh një njeri human, peshkatarin e vjetër Ndrecë, – thotë Skënderi, – për më shumë gruaja e tij infermiere u ka shërbyer ditë e natë familjeve të detarëve.

Me këto tregime të Skënderit, koha kaloi dhe akrepat po shënonin 24.00, kështu që u përshëndetëm bashkë dhe unë iu drejtova “Lissus”-it, ndërsa ata anijes “Koravi”.

ISH-MARINARËT E BAZËS

Takime dhe vizita të tjera na prisnin të nesërmen. Kështu mbas disa orëve gjumë dhe kafes së mëngjesit me djemtë e “Lissus-it, nën shoqërinë e një kuadri të vjetër të bazës, rreshter Akostin Dragaçi, bëhem përsëri pjesë e qytetit. Marinarë të tjerë na përshëndesin. E shoh që mbajnë gjallë shumë nga tradita e detarit dhe zakonet e shqiptarit. Sapo hymë në portin e vogël të qytetit, pamë që herët në mëngjes kishte filluar puna dhe ndihej zhurma e punonjësve të tij, shumica ish-marinarë të bazës. Ata shërbejnë tashmë në kapitanerinë e portit, ekuipazhet e anijeve tregtare, peshkatore, rimorkiatorëve, policinë portuale, antikontrabandën detare, etj. Zanati i fituar në vite i ka ndihmuar të integrohen në vendet e punës që afron porti i Shëngjinit, por dhe institucionet detare të tij. Porti i Shëngjinit ka përmirësuar kapacitetet e tij përpunuese në sajë të disa projekteve të realizuara vitet e fundit. Atë mëngjes një anije po shkarkonte çimento rinfuso, disa peshkatore po kalonin skalierën e portit për gjuetinë e radhës, dhe njerëzit, pas kafes së mëngjesit, po i drejtoheshin punës së ditës. Kapitenët e portit Ilir Shahini, Gjin Nikolli e kolegë të tjera ishin në krye të detyrës. Por miq të detit dhe detarëve në Shëngjin tashmë janë dhe dashamirës të hershëm të detit, që kanë krijuar dhe biznese të lidhur me të.

ME DJALIN E NDREKË LUCËS

Një nga këta është dhe zoti Gjergj Luca. E kam ndjekur Gjergjin shpesh herë në debatet televizive të zhvilluara për çështjet e peshkimit dhe më ka pëlqyer qetësia, mençuria dhe profesionalizmi, me të cilën ai ka diskutuar këto probleme të rëndësishme për pasurinë detare të vendit. Në fakt kontaktin e parë e bëmë me dy anije të kompanisë së tij që gjuanin në  rajonin e lejuar për peshkim. Anije të reja, të bukura, “delfinë” të flotës sonë të peshkimit. Dëshira për të takuar këtë njeri na u shtua rastësisht, kur djemtë e anijes “Lissus” në mëngjes po ndiqnin një film të kaluar, ku baba i Gjergjit, Ndreka Luca, luante në një nga rolet e pakta si personazh pozitiv. Pa dyshim që ky artist i madh me nivelin artistik e origjinalitetin e interpretimeve të tij ka krijuar një galeri rolesh, që do ruhen gjatë në memorien e shqiptarëve. Me përshtypjen e disa roleve të tij iu drejtova lokalit “Rozafa”, rreth 100 metra nga postblloku i bazës. Aty Gjergji, djali i Ndrekës, menaxhonte punët e shumta të biznesit të tij. Është e vështirë që këtyre njerëzve t’u marrësh sadopak kohë të lirë. Dhe sikur një anije të kesh në det ke probleme, e jo më të drejtosh disa të tilla bashkë me aktivitete të tjera komplementare. M’u duk shumë i qetë psikologjikisht në raport me punën e tij si menaxher i një kompanie të fuqishme peshkatore, që nuk e has tek biznesmenët e tjerë. Detarë dhe pushues shijonin kafen e paradites në lokalin e tij. E shkëputa për disa minuta nga punët e tij të shumta për t’i tërhequr disa mendime si qytetar, që e ka lidhur jetën me Shëngjinin, detin dhe peshkimin. Më thotë Gjergji:

“Me Shëngjinin më lidh jo vetëm aktiviteti, por dhe dëshira ime e kahershme për detin. Vë re një përmirësim të situatës peshkimore këto vite, por prapë ka shumë për t’u bërë. Është i domosdoshëm forcimi i ligjit në det, ashtu si po forcohet me pyjet, drogën, etj. Moszbatimi i ligjit, gjuetia e paligjshme me trata fundore, dinamit, e kanë varfëruar e masakruar peshkun në ujërat tona. Ndaj ka ardhur momenti që ne duhet të bëjmë një ndarje të plotë nga kjo situatë, duhet të përfshihen dënime me burg për shkelësit e ligjit. Po ashtu duhet përmirësuar kuadri ligjor i regjistrimit të anijeve, marrja e matrikullit të detarit, mbas një përvoje në det, p.sh. 3 muaj, jo thjesht pas kurseve të caktuara. Ngritja e një komisioni të veçantë testimi për të gjitha nivelet e detarëve deri tek kapiteni, ku mund të merret dhe mendimi i pronarëve të anijeve. Nuk e di çfarë po bëhet për ringritjen e shkollës së peshkimit, pasi ajo do jetë bazë për ekuipazhet e anijeve tona”.

 

“POLITIKA DUHET TË JETË MË LARGPAMËSE”

Më mirë se ç’i njohin problemet e peshkimit këta njerëz që merren direkt me këtë aktivitet, s’ka person tjetër. Peshkimi ka shumë halle e probleme, nga legjislacioni, administrimi, riparimi i anijeve, ndaj është domosdoshmëri zhvillimi i një programi kombëtar për ruajtjen dhe administrimin e resurseve të peshkimit. Këto masa duhet të parandalojnë peshkimin e paligjshëm, krijimin e rezervave peshkimore, duke siguruar ruajtjen e zhvillimin e resurseve kombëtare të pasurisë iktiologjike. Natyrisht për realizimin e këtij programi lipset një bashkëpunim efikas i gjithë institucioneve shtetërore me bizneset e subjektet private që ushtrojnë këtë veprimtari. Shëngjini me rrethinat e veta përbën dhe një zonë të rëndësishme turistike, ndaj para se të ndahesha i kërkova një mendim për këtë çështje Lucës, i cili thekson:

“Ka nevojë për një mentalitet bashkëkohor, përmirësim të shërbimit, specialistë që të sjellin diçka të re në këtë sektor. Ka çmime të larta në hotele e artikuj, në mjaft shërbime, gjë që i largon turistët. Në mjaft raste investimi i kryer nuk i përgjigjet me shërbimin profesional e cilësor. Është e njëjta situatë që përjetoi zona e jugut, Saranda, para 4 vitesh. Sivjet atje po shkojnë më shumë njerëz, pra, kanë korrigjuar shumë në çmime e cilësinë e shërbimit, se natyra është e ngjashme. Për turizmin në Shëngjin është domosdoshmëri përgatitja profesionale dhe kontrolli i shtetit për shërbimin dhe çmimet, se kjo situatë u lë vend abuzimeve. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që merren me këtë biznes. Në të gjitha këto zhvillime rol të veçantë ka dhe porti i Shëngjinit, i cili duhet t’i paraprijë perspektivës së kësaj zone dhe të shndërrohet në një port jahtesh, peshkimi dhe tragetesh, që të bëjnë linjën më të afërt me Italinë. Për këtë ka studime dhe masterplane efikase. Gjatë këtyre viteve janë bërë debate pa fund dhe janë shpalosur projekte të shumta zhvillimore për këtë port. I kam ndjekur me vëmendje këto debate herë politike, herë klienteliste, pa vizionin e së ardhmes, në më të shumtën e rasteve joprofesionale. Personalisht, zhvillimin e portit të Shëngjinit e shoh të integruar me tre portet e tjera të vendit, ku përparësi të kenë turizmi, peshkimi dhe transporti i pasagjerëve. Pavarësisht pozicionit gjeografik, më pëlqen një masterplan dhe pamje si porti i Sarandës. Dhe politika duhet të jetë më largpamëse, të mos vërë kushte për biznesmenët, se këta njerëz janë pasuri e vendit, dhe u intereson më tepër puna e tyre se politika”.

FRYMËZIMET  

E gjithë kjo veprimtari e gjithanshme e transportit detar në portin e Shëngjinit ka formësuar një traditë të spikatur detarie në këtë trevë, duke krijuar breza të tërë detarësh që janë një nga pasuritë më të mëdha të Shëngjinit. Ndërkohë këtu janë frymëzuar shkrimtarë dhe poetë duke na dhënë krijime të spikatura për detin. P.sh. shkrimtari i madh Dritëro Agolli në vitin 1961, në një festë me ekuipazhin e barkës “Bajram Curri” na ka dhënë poezinë më të bukur të titulluar “Varka në det”.

Me këto mendime vazhdova rrugën tek shëtitorja “Wilson” ku takova përsëri marinarë, shokë dhe miq që gjallërojnë në çdo stinë të vitit këtë shëtitore me emër domethënës. Më priste Kapiten Selimi, i cili e filloi karrierën në këtë bazë dhe e mbylli komandant i saj. Ai shpesh bëhet pjesë e detarëve tanë dhe anijeve të Flotës. Kapiteni gjendet shpesh mes tyre, i këshillon, u tregon kujtime, por prezanton dhe poezitë e tij më të reja. Allajbeu ka botuar 4 vëllime me poezi dhe së afërmi do të botojmë së bashku një buqetë letrare-artistike për detin. Këtë buqetë do t’ua dhurojmë detarëve shqiptarë më 25 dhjetor, në kuadrin e 90-vjetorit të krijimit të Flotës sonë Luftarake. U rikthyem përsëri në bazë dhe mbasi vizituam ambientet e saj u ulëm në zyrën e dikurshme të komandant Selimit, ku muza e tij poetike na dhuroi këto vargje të bukura:

“Lidhur fort me detin/ Jeta zhurmë dallgësh dhe kaltërsi na u mbush, / Sytë me ujë të kripur i kemi larë, / Dhe, kur deti është sjellë ashpër me ne, / Prapë kemi thënë, deti s’ka të sharë. / Përkundrazi, jemi lidhur fort me të, / Lëndinave të kaltra rrëshqasim pa gjumë, / Ballin stolisur me dritë yjesh, / Zemrën me buzëqeshjen e bardhë shkumë. / Ndodh që kthehemi “të vrarë” nga deti, /Sërish guxojmë për ditë të reja. /S’na shkon ndërmend ta braktisim kurrë, /Aty mbushemi me farë betejash. / Mbase kjo mund të ndodhte, / Me çdo njeri, ka të ngjarë, / Fola me zemrën e detarit plak, / Detin e kujton si dashurinë e parë….”

EPILOG

Shpirti poetik i kapiten Selimit është i lidhur përjetësisht me detin, ndaj ai kalon një pjesë të kohës mes detarëve të bazës ku kaloi gjysmën e jetës: “Kur u nisa për në shkollën e marinës në Vlorë, gjyshi im Shaqiri, më tha: – Të qoftë udhë e mbarë, o bir! Deti është një gjë që e pastron veten, s’ka më mirë, ndaj bëhu pjesë e tij”. Por dhe ambienti që e rrethon kapitenin është i mbushur me tregime për detin. Vërtet ka plazh të bukur Shëngjini, por, mbi të gjitha, ka marinarë të zotë e bujarë. Madje në raport me numrin e popullsisë, numri i marinarëve këtu është më i lartë se në çdo qytet tjetër bregdetar të vendit. Ata i gjen kudo dhe në kuptimin e mirë të fjalës krahas natyrës, relievit e klimës, marinarët janë një tjetër pasuri e zonës së Shëngjinit. Kuadrot dhe detarët, që kanë shërbyer në bazë e jetojnë në këtë qytet, kanë dëshirën dhe merakun të shohin anije të mirëmbajtura e marinarë me uniformë të bukur, një bazë të vogël që do e monitorojë hapësirën detare në bregdetin verior. Ata shpresojnë dhe besojnë në të ardhmen e vendbazimit, të portit e qytetit, me një histori të ndritur të kombit shqiptar. U ndava me miqtë e mi detarë të Shëngjinit me premtimin se do të shkruaj përsëri për ata.

* Ish-ushtarak, studiues, historian, gazetar, operator, bashkëpunëtor i portalit “DurresLajm”.

(Fund)

/red. th. m. portali DurresLajm/