REPORTAZH EKSKLUZIV NGA SHEFQET KËRCELLI*
(vijon nga data 22 shtator 2015)
23 shtator 2015 –Anija ushtarake “Lissus” e mori këtë emër kuptimplotë pak ditë pas 100-vjetorit të pavarësisë, pikërisht më 3 dhjetor 2012, kur u lëshua në thellësitë e Pashalimanit për të vazhduar qetësisht lundrimin drejt Adriatikut verior. Nga ajo ditë dhjetori “Lissus”-i ka bërë me mijëra milje lundrim e patrullim në ujërat tona territoriale, duke kryer disa operacione kërkim-shpëtimi, ku mund të veçohet ajo për shpëtimin e ekuipazhit të peshkatores “Katherina” në mars të vitit 2014, po ashtu dhe ajo për shpëtimin e tragetit “Norman Atlantic” në dhjetor 2014. Detarët e shpëtuar nga këto fatkeqësi e kanë fiksuar në memorien e tyre anijen “Lissus” si gjënë më të shtrenjtë. Për mbi dy dekada më ka qëlluar të lundroj me shumicën e anijeve të Forcës Detare. Natyrisht, çdo anije, veç karakteristikave të ndryshme teknike të dhuron profile të ndryshme detarësh, kurse dhe itinerare të tjera lundrimi, koordinata të panjohura, pamje, bukuri dhe relieve, që të duken sikur i shikon për herë të parë.
NJERËZ TË THJESHTË E PUNËTORË
Kështu, atë mëngjes të qetë gushti 2015, mbasi përshkoj qetësisht hyrjen e portit të Durrësit, përshëndes policët e sigurisë të APD, vinçierët, dokerët që mblidhen rreth më të vjetrit, të palodhurit, Spiro Tengu, tek Antikontrabanda Detare, profesionisti Ed Zuriqi, në vijim Policia Kufitare, marinarë të ekuipazheve të anijeve të bregëzuara nga moli “5” deri tek moli “0”, ku anije të Rojës Bregdetare qëndrojnë të gatshme për çdo emergjencë detare. Me kënaqësi u bëj nga një foto. Me ecën dita mbarë sa herë me “Canonin” tim fokusoj këta njerëz. Hej! them me vete, janë këta njerëz që gdhijnë natën për të mbajtur gjallë transportin detar të vendit. Po sa të vlerësuar janë ata?! Gjithsesi, unë kënaqem me faktin që shkruaj dy rreshta për këta njerëz të thjeshtë e punëtorë, që hapin trastat e bukës dhe me plot gojë të thonë “Bujrum! Ec ta ndajmë një kafshatë bashkë!”. Këta njerëz me bujarinë dhe sinqeritetin e tyre, të japin zemër për të shkruar. Mbasi përshkoj molet e anijeve të pastrimit detar, Antikontrabandës detare dhe policisë kufitare më shfaqet hijerëndë silueta e anijes “Lissus”. Bri tyre zhytësit e sigurisë portuale kishin bërë gati pajisjet dhe presin detyrën e ditës. Pavarësisht qendrave të tyre të banimit, gjetjeve të rastësishme sa në Durrës, Tiranë apo rrethina, ekuipazhi i anijes “Lissus” kishte mbërritur thuajse që në muzg. Janë të përgjegjshëm për detyrën dhe zanatin këta marinarë.
KAPITEN SILVANI
Kapiteni i anijes, Silvan Boni ka fjetur në anije. Ai e ka shtëpinë në Tiranë, kështu që udhëtoi një natë më parë. Pavarësisht origjinës së tyre beratase, familja Boni e do detin, duke i dhënë madje dy detarë. Më parë Aristoteli, vëllai i madh, drejtoi disa anije të flotës luftarake dhe më pas si kapiten në flotën tregtare lundroi dhe në oqeane. Silvani është një kapiten i zoti, modest në detyrën e tij, i pasionuar pas librave, veçanërisht atyre historiko-gjeografikë. Ai renditet ndër kapitenët e kompletuar për drejtimin e anijeve të klasit “Iliria”. Ndërsa në horizont shfaqen tragetet e parë që zgjojnë portin e Durrësit, komandant Silvani, jep komandën: “ekuipazhi, nëpër vende për lundrim!”. Thuajse me sy mbyllur, pjesëtarët e anijes zunë vendet dhe zbatonin komandën e radhës. Brenda pak minutash Sokoli me Eltonin ngritën flamurin e anijes dhe hoqën cimat, ndërsa motoristët Fred Mara dhe Artan Kojtari që më parë i kishin ndezur motorët e fuqishëm “Caterpillar”. Anija u shkëput lehtësisht nga moli dhe rrëshqiti drejt kanalit hyrës të portit të Durrësit. Tashmë pamja e portit të Durrësit meriton vëmendje nga çdo fotograf me ndryshimet e bëra, pasi është përmirësuar infrastruktura dhe porti i peshkimit e ka zgjeruar sipërfaqen e tij.
NISJA
Në kursin e caktuar lemë kanalin, fenerët e gjelbër e të kuq dhe marrim kursin për veri. Të përqendruar në detyrat e tyre funksionale, djemve të “Lissusit” më tepër i tërheqin vëmendjen anijet e ndryshme që lundrojnë në ujërat tona, sepse relievin tonë bregdetar ata e dinë symbyllur. Janë një ekuipazh me moshë mesatare relativisht të re, por me plot vite pune e dallgë deti në http://www.durreslajm.com/node/add/openpublish-articleshpinë. Ndërsa në horizont shfaqeshin tragetet e linjës Durrës-Bari, në kanal filluan të hyjnë peshkatoret e para. Në radë ishin tre anije tregtare që, me sa dukej, prisnin radhën për t’u përpunuar në port. Oficerët e rinj Myfiti dhe Fationi janë përqendruar në harta dhe radarë, ndërsa inxhinier Brikel Topi kontrollon në kompjuter punën e motorëve. Me këtë ekuipazh nga ura e komandimit, kapiten Silvani është i sigurt se lundrimi do të shkojë i qetë, gjë që e favorizojnë dhe kushtet atmosferike të kësaj dite.
NËPËR GJIRIN E DURRËSIT
Të lundrosh nga gjiri i Durrësit deri në gjirin e Drinit, në një gjatësi të vijës bregdetare 55.3 milje, do të hasësh më tepër dy trajta relievi, kryesisht kodra dhe ultësira. Nga Durrësi deri në rajonin e Porto-Romanos, vargu i kodrave të Durrësit është i valëzuar, me qafa të thella dhe maja konike, me lartësi maksimale 186 m. Fundi i detit në largësinë 1 milje nga vija bregdetare është lym, kurse në afërsi të bregut shtrihen shkëmbinj të nënujshëm gurorë në cekëtinat 1-2 kabel, gjë që bën të rrezikshëm afrimin e anijeve në këtë rajon. Kalojmë traversë portin e ri të Porto-Romanos, kepin e Palit, gjirin e Lalzit dhe kepin e Rodonit. Nga anija shquhen lehtësisht dhe pushuesit e shumtë që kanë pushtuar plazhet e kësaj vije bregdetare.
* Ish-ushtarak, studiues, historian, gazetar, operator, bashkëpunëtor i portalit “DurresLajm”.
(Vijon)
/red. th. m. portali DurresLajm/





