REPORTAZH EKSKLUZIV NGA SHEFQET KËRCELLI*

(vijon nga datat 22, 23 shtator 2015)

24 shtator 2015 –Sapo futemi në gjirin e Drinit, një nga gjiret më të mëdha të Adriatikut juglindor, hasim të parën anije, të cilën djemtë e “Lissusit” e verifikuan nga vinte, porti i regjistrimit, leja e procedurat përkatëse ligjore. Ishte një jaht slloven, i cili pas qëndrimit në portin e Durrësit, po u drejtohej brigjeve dalmate.

MOTORISTËT

Ndërkohë që komandant Silvani merr detyrën për të dalë në derdhje të Bunës, na duhen dhe 16 milje për të shkuar atje. Por detarët e anijes janë të qetë ashtu si valët e detit. Motorët “Caterpillar” punojnë sipas parametrave dhe aparaturat e drejtimit të anijes gjithashtu. Ata kanë erdhur nga shtëpia dhe janë të freskët në kryerjen e çdo detyre. Madje mbas çdo raportimi apo situate bëjnë dhe shaka. Motoristët Fredi dhe Tan kanë vite që shërbejnë në anije të ndryshme të flotës, duke krijuar një përvojë tw shkwlqyer si motoristë. Madje Fredi, më i vjetri i ekuipazhit, e ka filluar karrierën e ushtarakut si teknik aviacioni dhe në vitin 1997 iu bashkua radhëve të Forcës Detare. Në këto18 vite ka shërbyer si motorist e kryemotorist në anije të ndryshme që nga minaheqësja e madhe e deri tek motovedetat e prodhimit italian e amerikan. Është e vështirë që këta njerëz të detit të flasin për hallet e tyre, por, me sa pashë, një merak e kishin, kohëqëndrimin në gradë, sepse ata janë thjesht specialistë të motorwve, këtu mund të tregojnë aftësitë e gjenialitetin e tyre. Ata janë modestë në kërkesat e tyre, duan thjesht përmirësimin e kushteve në anije. Ndërsa era filloi të ngrihej, nga kuverta e anijes sodismin brigjet e gjirit të Drinit, të cilat janë përthyer në vite nga grykderdhja e lumenjve Mat dhe Drin, duke krijuar dhe këneta detare të cekëta në lindje të gjirit. Zanati i detarit, mosha, patrullimet e vazhdueshme në këtë sezon veror, hallet familjare ishin copëza bisedash që shoqëronin lundrimin tonë.

DY ANIJE PESHKIMI ME EMRIN “ROZAFA”

Kështu nuk e ndiem kohën dhe në horizont u shfaq mali i Rencit, shpatet jugore të së cilit zbresin pjerët në det në perëndim të Shëngjinit. Tutje vargmalit të Rencit për në thellësi të bregdetit fillon ultësira e grykës së lumit Buna, e cila vjen në trajtë të një trekëndëshi me bazë shumë të gjerë dhe me kulm në rrjedhjen e Bunës, ku ndërpritet vargu i kodrave nga ky lumë. Kjo ultësirë vazhdon dhe në krahun e djathtë të bregdetit malazez, 5.1 milje në veriperwndim të grykës së Bunës, kepi Gjeran. Kapiteni e drejtoi anijen “Lissus” për në koordinatat e caktuara të grykëderdhjes së këtij lumi, brenda ujërave tona territoriale. Përsëri nuk hasëm asnjë anije, si me radar e vrojtim optiko-pamor. Anija ndwrroi kurs dhe mori drejtimin e Shëngjinit. Vetëm pak milje më tutje shfaqen dy objekte të bardha, të cilave u afrohemi ngadalë dhe shohim emrat në bordet e tyre. Ishin dy anije peshkimi me emrin “Rozafa”, të bukura, të mbajtura mirë që gjuanin qetësisht në ujërat e lejuara. Kapiten Silvani e afron anijen dhe informohet nga kapitenët e “Rozafës” për koordinatat, portin e regjistrimit, numrin e identifikimit, sinjalin e thirrjes, autorizimin për aktivitetin, numrin e ekuipazhit dhe gjendjen e anijes. Pasi u sigurua se çdo gjë në anije ishte korrekte me ligjin, “Lissusi” vazhdoi kursin e caktuar.

NGA BUNA NË SHËNGJIN

Nga Buna deri në Shëngjin bregdeti shtrihet me një gjatësi 10.8 milje në drejtimin veriperwndim-perwndim. Prej kepit të Shëngjinit deri në largësinë 3.2 milje në veriperwndim të tij, bregdeti është malor, me pjerrësi shumë të madhe. Lartësia e kësaj pjese të bregdetit këtu arrin deri në 510 m, pikërisht atje ku vargmali fillon t’i largohet vijës bregdetare me drejtim për në veriperwndim. Thellësitë e rajonit Bunë-Shëngjin janë të mëdha, sidomos atje ku bregdeti është i lartë. Në rajonin malor barasthellësia 5 m e kalon 1 kabel larg vijës bregdetare. Dhe barasthellësitë 10 e 20 metra këtu puqen me atë 5 metra. Atje ku bregdeti është ultësirë, barasthellësitë i largohen vijës bregdetare dhe arrijnë largësinë 2-4 kabel. Rreziqe të nënujshme nuk ka. Trualli i detit është lym, ndërsa rrëzës së bregut është rërë. Natyrisht çdokush që kalon atje, do tw shohë me kureshtje “Rërën e hedhur”, pasi duket si një plazh i krijuar nga dora e dikujt, që ka hedhur rërë, por atë në fakt e ka krijuar nëna natyrë me trillet e saj.  Më tepër këtë zonë e njihnin detarët me uniformë pasi çdo vit sipas programit zhvillonin qitje bregdetare me artilerinë e anijeve. Është një poligon i përsosur për këto lloj qitjesh. Por tashmë ish-poligoni natyror ua ka lënë vendin plazheve private dhe hoteleve luksoze. Nga larg pamë vargun e makinave që rrëzw kodrave nuk rreshtnin në dy krahët, gjw që fliste për një frekuentim të mirë të këtyre plazheve të virgjëra.

10 MILJE DERI NË GJIRIN E SHËNGJINIT

Ndërkohë, të ndihmuar dhe nga era veriperwndimore, e përshkuam lehtësisht distancën prej afro 10 milje dhe u futëm në gjirin e Shëngjinit. Ky gji ndodhet ndërmjet grykës së lumit Drin dhe kepit të Shëngjinit, 3.2 milje në veri të derdhjes së këtij lumi. Bregu lindor i gjirit të Shëngjinit, është i ulët dhe më tepër kënetor. Në verë era mbizotëruese është ajo me drejtim veriperëndim, që fillon nga ora 9-10 dhe zgjat deri në orën 22.00, kur fillon të fryjë era e lindje-verilindjes. Porti i Shëngjinit me koordinata, gjerësi 41o49’V, gjatësi 19o35’4 L, ndodhet brenda këtij gjiri të vogël, që futet në pjesën verilindore të gjirit të Drinit, ndërmjet kepit të Shëngjinit nga perëndimi dhe bregdetit në verilindje. Hyrja për në port ngushtohet nga cekwtina që vazhdon nga kepi i Shëngjinit për në lindje. Për hyrjen dhe daljen e anijeve në portin e Shëngjinit vite më parë është hapur kanali detar i këtij porti me përmasa 600 metra gjatësi, 60-80 metra gjërësi dhe thellësi nga 7.0 deri në 8.5 metra, i cili tashmë mbrohet nga dy valëpritës, ai perëndimor dhe lindor, të ndërtuar pesë vitet e fundit. Kështu, duke soditur natyrën e gjirit e plazhet e pushtura nga pushuesit, i drejtohemi kanalit hyrës të rrethuar nga dallgëthyesit. Sinjalistika detare këtu është në rregull, pasi djemtë e hidrografisë u qëndrojnë gati këtyre pajisjeve.

NJË TREKËNDËSH HARMONIK DETAR

Ishte mesditë. Pamja që të afrohet është mbresëlënëse. Nga moli kryesor i portit, ngjitur është bregëzuar flotilja e peshkatoreve dhe pak metra më tutje baza detare e Shëngjinit dhe kapitaneria e portit. Është një nga portet e veçanta në Adriatik e Mesdhe, ku në basenin e tij vendosen kaq afër anijet tregtare, peshkatore dhe luftarake, një trekëndësh harmonik detar, me brinjë e madhësi të disa jardëve, ku detarët komunikojnë lehtësisht nga bordet e anijeve, madje mund të ndwrrojnë cigare. Djemtë e “Lissusit” me kujdes po e bregëzojnë anijen në një nga molet-tunele të bazës dhe unë po shihja veprimet e tyre tepër korrekte në kësi rastesh. Distancat ishin të vogla dhe çdo gabim të kushtonte përplasje me minaheqësen ose betonin. Dy nënoficerë të bazës, Sokol Pjetrushi dhe Edmond Hysa, shtrënguan me shpejtësi cimat e anijes me kapjunat e minaheqëses. Mbasi siguruan anijen djemtë e “Lissusit”, iu drejtuan kuzhinës për të ngrënë drekën dhe mëngjesin bashkë. U bashkova dhe unë me ta, bukë, djathë, kripë, domate e zemër të hapur. Një vakt i varfër për këta marinarë pas atij lundrimi të gjatë.

NIMFEION-LISUS

U përpoqëm të pushonim pak, na prisnin mjaft punë e detyra. Së pari, m’u desh të shtoja diçka për historinë e limanit dhe qytetit të Shëngjinit, krijimi i të cilëve ka kushtëzuar njëri-tjetrin; një studim me titull “Roli i Shëngjinit në transportin detar të trevës Lezhë, Shkodër dhe Ulqin e më gjerë”, fryt i kërkimeve të mia disavjeçare. Limani dhe porti i Shëngjinit është qytet port në bregdetin e Adriatikut, me një pozitë të favorshme gjeografike e shumëllojshmëri relievi, natyre dhe klime. Në një distancë të afërt me qytetin antik të Lezhës (5 milje) dhe rreth 10 milje në juglindje të grykëderdhjes së Bunës, ky liman ka luajtur rol të rëndësishëm në trafikun detar të Adriatikut Verior, por dhe nw ngjarjet historike të Lezhës, Shkodrës, Ulqinit deri në bregdetin dalmat.  Duke pasur formën e një gjysmërrethi kontinental, limani u siguron mbrojtje tw pwrsosur anijeve nga kushtet e motit dhe një përpunim të sigurt këtyre.  Në këtë vend dhe në afërsi të vijës bregdetare gjatë mijëvjeçarit I p.e.s jetonte fisi ilir i Ardianëve, të cilët merreshin kryesisht me peshkim, lundrim dhe blegtori. Gjiri i limanit u shërbente anijeve ilire si strehë e sigurt nga stuhitë dhe piratët, njëkohësisht u siguronte pozicion të mirë për sulm nga çdo rrezik. Në vitin 385 p.e.s. dhe këtu si në disa pjesë të bregdetit u themelua koloni helene nën sundimin e Dionisit, tiranit të Sirakuzës. Kolonistët helenë e emërtuan Shëngjinin  Nimfeion, dhe për herë të parë në burimet e shkruara del si  Nymphaeum, që do të thotë, nimfë-nuse, ose vendi i zanave. Ky emërtim vazhdoi deri në periudhën e pushtimit romak. Emri i Shëngjinit në çdo etapë është një cilësim i huaj, fillimisht helen dhe më pas i ritit katolik. Në veprën e tij “Lufta civile” perandori i famshëm Jul Cezari thotë se “disa nga anijet tona të kryesuara nga Mark Antoni, vazhduan lundrimin deri në limanin  Nymphaem, 300 hapa larg Lissit”. Vendbanimi i lashtë me emrin  Nimfeum është ngritur afërsisht në në të njëjtën kohë me Lisusin, Lezhën e sotme. Në Historinë e Popullit Shqiptar, (HPSH),vëllimi I, f. 76, thuhet: “Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Shkodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni, etj. lindën vetëm në fundin e shek. IV-fillimi i shek.III p.e.s. Ndërkohë në periudhën e luftrave iliro-romake, limani mori një rol të veçantë, sepse kufiri jugor i lundrimit të anijeve ilire të Gentit dhe Teutës ishte rajoni i Shëngjinit" (të zgjeruar këtë histori e gjeni tek “Antologji e Detarisë Shqiptare”, vëllimi I).

* Ish-ushtarak, studiues, historian, gazetar, operator, bashkëpunëtor i portalit “DurresLajm”.

(Vijon)

/red. th. m. portali DurresLajm/