Të lëvizësh me makinë apo në këmbë nëpër Durrës? Kjo është dilema para së cilës vihen këto ditët e fundit shumë drejtues mjetesh në qytetin bregdetar. Punimet në akset kryesore rrugore dhe ndërtimi i dy rrethrrotullimeve, shumë pranë njëra-tjetrës, e kanë ngadalësuar së tepërmi qarkullimin e mjeteve.

DurrësLajm sjell pamje filmike dhe foto nga trafiku i krijuar pasditen dhe mbrwmjen e sotme në bulevardin kryesor, në aksin rrugor që të çon drejt Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe rrugën që lidh sheshin “Pranvera” me bulevardin.

Kudo shihet varg i gjatë automjetesh dhe shoferë të paduruar që i bien borive, pasi kanë mbetur të bllokuar në trafik për minuta të tëra.

Në dy shkrime të mëparshme, (https://durreslajm.al/aktualitet/po-ua-nxin-jeten-drejtuesve-te-mjeteve-bashkia-e-durresit-video dhe  https://durreslajm.al/aktualitet/kaosit-te-rrugeve-te-durresit-i-shtohen-edhe-dy-rotonda-te-reja-foto ) DurrësLajm paralajmëroi kaosin që do të krijonte në trafik ngushtimi i akseve kryesore brenda në qytet dhe ndërtimi i dy rrethrrotullimeve, që ndoshta u ideuan për të disiplinuar lëvizjen në dy kryqëzimet kryesore, por që në ditët e para të funksionimit të tyre po tregojnë se po e shtojnë edhe më shumë kaosin në trafik.

Ndërhyrjet e fundit të realizuara në infrastrukturën rrugore në qendër të Durrësit kanë sjellë problematika të shumta, pasi ngushtimi i akseve, mungesa e parkimeve dhe rrethrrotullimet që pengojnë jo pak lëvizjen e mjeteve të transportit publik, kanë bërë që distancat kohore për të mbërritur në destinacionin final të zgjaten së tepërmi, konsumi i karburantit të shtohet, ashtu siç shtohet edhe niveli i stresit tek shoferët dhe qytetarët që duhet të lëvizin brenda qendrës së Durrësit.

Trafiku i këtyre ditëve është vetëm trafik i ditëve kur regjistrohen lëvizje të zakonshme, pasi në raste festash, sezonin veror apo në periudhat e kthimit të emigrantëve numri i automjeteve në qytet rritet mjaft.

Në këtë kaos që po krijohet në trafik, ndoshta zgjidhja është mbyllja e automjetit në shtëpi dhe lëvizja në këmbë.

Bashkia e Durrësit mbase po i “shtyn” qytetarët e saj drejt jetës së shëndetshme…