Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar këtë të martë seancën gjyqësore ndaj ish-kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili përballet me akuzat për korrupsion në zgjedhje.
Në qendër të seancës së sotme ishte dëshmia e Aleksandër Dodanit, banor i zonës i cili u pyet mbi pretendimet për ndikim të paligjshëm gjatë procesit zgjedhor.
Gjatë rrëfimit të tij përpara trupit gjykues, Dodani pranoi se kishte pasur një komunikim telefonik me ish-kryebashkiakun Shkreli. Sipas dëshmitarit, Shkreli i kishte kërkuar atij që t’i përcillte një mesazh krushkut të tij, me qëllim që ky i fundit të votonte për Partinë Socialiste.
Pjesë nga dëshmia:
Dodani: Unë kam dhënë dëshminë te prokuroria, atyre fjalëve i qëndroj
SPAK: Jeni në një dijeni për një investim për një linjë elektrike në shërbim të banorëve?
SPAK: A e njihni Kristjan Shkrelin
Dëshmitari: Jemi të zonës. Është kryetar i bashkisë së Vaut të Dejës.
SPAK: Në vitin e kaluar 11 maj 2025 janë bërë zgjedhjet, a keni pasur kontakt për zgjedhjet elektorale?
Dëshmitari: Unë s’kam pasur kontakt. Më ka marrë në telefon. Kam një mik timin aty në Araç, zona jonë është e ndarë PS, PD. Miku im është i djathtë, unë jam i majtë. Kristjan Shkreli më ka marrë në telefon. Unë mikut tim (krushkut) i kam thënë të votojë për PS, por ai është demokrat.
Avokati: Ju kërkoi votën kundrejt ndonjë përfitimi?
Avokati: Kristjani ju ka bërë ndonjë presion?
Për çfarë akuzohet Shkreli?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë fushatës zgjedhore, Kryebashkiaku i Vaut të Dejës u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. SPAK bën me dije se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për shqyrtim gjyqësor.





